Home Aktualitet Kryeministri në detyrë: Taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet

Kryeministri në detyrë: Taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet

nga Albina Hoxhaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se tarifa prej 100% në mallrat e Serbisë, është masë e dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj, ka thënë se vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar po ashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor.

“Një vit më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifës prej 100% në mallrat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb. Me këtë hap të rëndësishëm, Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb. Vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar po ashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor. Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës, që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës”, ka shkruar më tej Haradinaj.

Kurse, Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka thënë që nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë.

Ai ka shpjeguar se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Evropian.

“Dogana që me marrjen e vendimit e ka zbatuar 100 për qind, jemi të obliguar ta zbatojmë. Fillimisht në fund vitin e kaluar ka ndikuar pak në të hyrat doganore, për arsye deri sa është stabilizuar komuniteti i biznesit, pra kanalet e reja të biznesit, furnizimet e reja. Nëse marrim vitin 2019, kjo nuk ka ndikuar për arsye se importi i atyre produkteve të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vendet e rajonit apo qoftë nga vendet tjera të BE-së”.

Ai thotë se Serbia pas vendosjes së tarifës ka importuar 99 për qind më pak mallra në drejtim të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.

Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për të hequr taksën 100 % ndaj Serbisë nuk ka të ndalur. Ditë më parë Franca ka kërkuar që kjo taksë të hiqet sa më shpejt. Edhe zyrtarë të Bosnjës kanë kërkuar që Kosova të heqë këtë taksë.

Franca e sheh si të rrezikshme mbetjen në status-quo të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ambasadori francez në Beograd, Federico Mandoloni, gjatë Forumit për Siguri. “Status-quo ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e rrezikshme” – ka thënë Mandoloni.

Më tej, ai u shpreh se Ministria e Punëve të Jashtme të Francës është e gatshme që, së bashku me Gjermaninë e me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, të përfshihet në çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Ministria e Punëve të Jashtme, së bashku me Gjermaninë është dhe ndërmjetësimin e BE-së të përfshihet në këtë çështje, në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – vijoi Mandoloni.Franca, sipas tij, dëshiron që të dyja palët të eliminojnë kushtet për rikthim në dialog, pasi Macron dëshiron një takim në Paris sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne duam që të japim një impuls politik dhe të kemi një takim të ri në Paris. Është shumë e qartë për ne që tarifa duhet të hiqet, nëse qeveria e re në Prishtinë dëshiron të bisedojë me Beogradin, në mënyrë që të gjejnë një kompromis”. Javë më parë, ministri i Tregtisë në Bosnjë – Hercegovinë, Mirko Sharoviq, u shpreh se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës – pritet që të qetësojnë raportet rajonale.

Ai u shpreh se para së gjithash, Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj. “Menjëherë pas formimit të qeverisë, pres heqjen e tarifave. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë komplikim të raporteve brenda CEFTA-s, por edhe në përgjithësi në rajon”, ka thënë Sharoviq.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Bosnjë – Hercegovinës, Nemanja Vasiq, pret heqjen e tarifave për mallrat nga Bosnja. Vasiq thotë se është mirë që klima politike në Kosovë po ndryshon, dhe se kjo mund të çojë në eliminimin e tarifave.

“Sipas deklaratave të para të fituesve, pritet që ato të shkojnë drejt heqjes, por gjithashtu është e qartë se do të ketë kushte të reja politike. Kjo është ende në sferën e politikës”. Taksa prej 100 % për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht. Kjo ndërpreu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Europian.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!