Home Aktualitet ‘Lider rajonal’, apo me mision për të përçarë Kosovën me Shqipërinë?!

‘Lider rajonal’, apo me mision për të përçarë Kosovën me Shqipërinë?!

nga Albina Hoxhaj

Nga Poli Hoxha

Fiksimi i i Edi Ramës (nëse është vetëm kaq) se është një lider që tejkalon kufijtë e Shqipërisë, deri më tani ka qenë vetëm objekt talljesh dhe memesh. Por me përfshirjen e tij në të ashtuquajturin ‘mini-shengen ballanik’, ky fiksacion qesharak po kthehet realisht, edhe në një faktor përçarës të madh dhe sabotim kombëtarë.

Njeriu që është tallur më së shumti dhe sa herë që i është dhënë rasti, me ‘Edi Ramën, lider rajonal e global”, ka qenë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Por duket se ky i fundit këtë bipolaritet të kryeministrit të Shqipërisë, po e kthen edhe në një përfitim maksimal për Serbinë dhe për veten si politikan.

Nëse Edi Rama me nënshkrimin në Novi Sad dhe në takimin e fundit në Ohër për këtë çështje, sërish ka arritur që të vetëkënaqet me protagonizëm, ai që ka përfituar më së shumti është Vuçiç.

Nga ana tjetër faktori shqiptarë në rajon e ka gjetur veten edhe më të përçarë, pas këtyre veprimeve jo transparente dhe të çartura të Edi Ramës, të cilat i ndërmerr në emër të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se plaga e përçarjes mes Shqipërisë dhe Kosovës është boll e mahisur, pas tentativës për realizimin e projektit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, ku Edi Rama ka qenë protagonist i fortë, edhe pse në hije.

Por le ti kthjellojmë shkurt synimet ekonomike dhe politike të këtij projekti, për të kuptuar se sa Shqipëria dhe Kosova përfitojnë nga kjo marrëveshje, të cilën Edi Rama e ka firmosur dhe po e çon përpara pa pyetur askënd, as në Tiranë e as në Prishtinë.

Ai pretendon se të dy shtetet shqiptare, përveçse lëvizjes së lirë, do të kenë edhe përfitim të madh ekonomik. Por nga deklarimet e deritanishme, Dhomat e Tregtisë së Kosovës e ajo në Shqipëri (Madje edhe ajo në Maqedoninë e Veriut), janë shfaqur mjaft skeptikë, duke argumentuar se përveç Serbisë, vendet tona nuk do të kenë ndonjë përfitim të qenësishëm.

Aq më tepër kur dihet, se nuk është bërë asnjë vlerësim ekonomik-financiar konkret, me ekspertët e fushës. Dhe kjo është e qëllimshme dhe në funksion të tymnajës, që nxit debatin dhe përçarjen.

Madje Dhoma e Tregtisë, bizneset dhe ekspertët në Kosovë, përkundrazi po sjellin argumente të forta se prej këtij projekti, përfitues i madh do të jetë vetëm Serbia, si vend me prodhim dhe tregti shumë më të zhvilluar.

Gjithashtu të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, tregtinë e lirë e kryejnë si nënshkrues dhe anëtarë të CEFTA, pavarësisht se Serbia këtë e pengon veçanërisht ndaj Kosovës, me vendime politike dhe të tjera burokratike të qëllimshme.

Nga ana tjetër do të ishte një absurditet, që Kosova të ulej në këto takime, e akoma më shumë të nënshkruante, kur taksa 100% është ende në fuqi. Një hap i tillë do të shënonte kapitullim direkt dhe një pranim de fakto të heqjes së saj, pa marrë mbrapsht nga Serbia asnjë gjë.

Rama e fton Kosovën që të nënshkruajë me Serbinë një zonë të lirë ekonomike dhe të lëvizjes së lirë, por nga ana tjetër bën sikur harron që shteti i Vuçiç nuk njeh as targat e automjete të Republikës së Kosovës. Një firmë e Kosovës mbi këtë projekt djallëzor të dalë nga prapa-dhoma e zyrës së Vuçiç, do të thoshte rikthim e pranim i një skeme të ngjashme me autonominë ekonomike (Kosova faktikisht punonte për Serbinë) që u kishte dhënë Tito, e prej së cilës shpëtuan duke derdhur lumenj me gjak.

Edhe në marrëdhëniet ekonomike, Shqipëri-Kosovë, kjo që po bën Edi Rama është një hipokrizi e madhe. Shumica e marrëveshjeve të nënshkruara nga dy qeveritë dhe veçanërisht ato për lehtësimet e bizneseve kanë mbetur në letër, e të bllokuara eksluzivisht nga pala shqiptare. Ndërkohë që Rama flet për “liri ekonomike dhe qarkullimi’ në një zonë që të kujton ish-Jugosllavinë e Titos, ai e ka penguar pikërisht këtë gjë mes dy shteteve shqiptare. Mjafton të rikujtojmë taksën në rrugën e Kombit e cila kërcet fortë, veçanërisht në kurriz të biznesmenëve dhe qytetarëve të Kosovës.

Në Ohër, veçanërisht Edi Rama në fjalën e tij, tha se ky projekt është thjesht ekonomik dhe jo politik, duke synuar kështu që të sfumojë zërat, për rikthimin e një mini Ish-Jugosllavie të përshtatur për shekullin XXI, me lider absolut Serbinë.

Që kjo marrëveshje është thellësisht politike, Rama dhe Vuçiç e pranuan hapur në takimin e Novi Sadit, ku edhe hodhën firmat. Aty u tha nga kryeministri ynë, se kjo po bëhet si kundërpërgjigje ndaj vendimit të BE-së për mos hapjen e negociatave. Nuk do presim BE-në-tha qartë Edi Rama.

Por nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ‘të vetë justifikuara’ në këtë drejtim, po Serbia e Vuçiç që i ka hapur negociatat prej kohësh, çfarë halli ka?! Po Mali i Zi, përse refuzon prerë, që të bashkohet në këtë projekt?!

Dhe tallja e hipokrizia më e madhe është, se ndërkohë që Vuçiç firmos me Ramën dhe Zaev për këtë zonë të lirë ekonomike në rajonin tonë, pak kohë më parë ka hedhur një firmë tjetër në krah të Rusisë, si pjesëmarrës i grupimit që po synon ti bëjë karshillik BE-së, (BEEA) Bashkimi Ekonomik Euro-Aziatik. Paralelisht me nxitimin për të krijuar ‘mini-shengenin ballkanik’, këtë xhep në mes të Europës, Rusia ju dërgoi ftesa për anëtarësim në BEEA, edhe Ramës edhe Zaevit. Por ndërsa ky i fundit deklaroi se, ‘as në mendje nuk më bie një punë e tillë dhe nëse ka një ftesë, uroj që të mos arrijë kurrë”, kryeministri i Shqipërisë vazhdon që të hesht duke kujtuar ‘i shkreti’, se po provokon perëndimin.

Situata kthjellohet dhe më shumë kur mësojmë, se ndërkohë që “mini-shengenin ballkanik’ ka përçarë edhe më shumë Prishtinën zyrtare e politike me Tiranën e Ramës, Vuçiçit, me rikthimin e ëndrrës për një  “mini ish-Jugosllavi’ të re me qendër rëndese në Beograd, i janë rritur pikët në maksimum në Serbi.

Ndërkohë që nga Ohri, Edi Rama, kritikon Kosovën në krah të Vuçiç i cili nënqesh pa e fshehur, se përse refuzuan kurthin e radhës, ministri i Jashtëm serb Daçiç hap shampanjën dhe shpall festën për fitoren e lobimit të tyre në funksion të tërheqjes së njohjes së shtetit të Kosovës, edhe nga Gana!

Pra është realitet që serbët po shfaqen në bllok dhe të bashkuar për këtë projekt, për të cilin mediat në Beograd zbuluan pak kohë më parë se është skicuar personalisht nga presidenti i tyre, kurse dy shtet shqiptare e gjejnë veten edhe më të përçarë.

Në Shqipëri është Edi Rama i cili pa pyetur askënd (Parlamentin, opozitën, biznesin etj) po hedh firma poshtë e përpjetë në emër të vendit, kurse në Kosovë të gjithë faktorët pa përjashtim janë deklaruar kundër.

Pas dështimit (momental) të ndarjes së Kosovës, ky projekt tjetër që u shfaq habitshëm direkt, e që sërish nuk po përkrahet zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj euro-atlantikë të shqiptarëve (Përveç disa burokratëve dështuar të BE) dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama si kryeministër, kryetar i PS-së dhe politikan protagonist është një përçarës i madh i botës shqiptare në rajon, por edhe më tej.

E bën këtë për të ushqyer fiksimin e tij të protagonistit si “lider Rajonal’ (që ja ysht aq shumë Vuçiç), apo e ka mision; detyrim-përcaktim?!

Nuk është e largët koha, kur kartat do të hapen mbi tavolinë; si për projektin e ndarjes së Kosovës, si për këtë tentativë të re malinje të Serbisë!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!