Home Aktualitet Çka kemi kërkuar dhe çka kemi marrë?!

Çka kemi kërkuar dhe çka kemi marrë?!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Në 30 vite demokraci kemi kërkuar që pas çdo votimi të kemi një qeverisje të drejtë, të pakorruptuar dhe të përgjegjshme, por ajo që kemi marrë pas nuk ka qenë aspak e tillë, kurse tani mund të themi se është përkeqësuar ndjeshëm. Ky nuk është vetëm perceptim, por kjo shprehet në dhjetra raporte të institucioneve ndërkombëtare dhe moniturese. Shpesh i kam dëgjuar opinionistët të thonë se populli bën gjithmonë zgjedhjen e duhur, gjë me të cilën nuk do të pajtohesha, pasi po ta pranoja këtë më duhet të them se kemi marrë atë që kemi kërkuar.

Në fakt, këtu konsiston edhe zhgënjimi më i madh, në raportin politikë – qytetarë, sepse qytetarët mendojnë se nuk kanë marrë aspak atë që ka qenë pritshmëria e tyre. Natyrisht që pritshmëritë janë kudo më të mëdha se arritjet, madje edhe në demokraci të konsoliduara, por këtu jo vetëm që nuk janë realizuar ato, por pushteti i radhës ka qenë më i padrejtë se ai paraprak, gjë e cila ka bërë që zhgënjimi të shtresohet nga zgjedhjet në zgjedhje, nga rotacioni në rotacion.

E si mund të ishte ndryshe, kur në zonat rurale kërkohet ende ujë i pijshëm, rrugë dhe qendra shëndetësore? E si mund të ishte ndryshe kur pronarët e tokave, jo vetëm që nuk kanë marrë asgjë, por shohin sesi dy palë fallcifikatorësh zihen me njëri-tjetrin për tokat e tyre? E si mund të ishte ndryshe, kur biznesi ngulfatet, kur ekonomia vuan në masë të madhe informalitetin, kur ai që është i rregullt në biznes rrethohet nga ata që nuk janë të rregullt dhe ky gjobitet e të tjerët jo? E si mund të ishte ndryshe, kur vendi fqinjë me ty jep dhjetra herë më shumë subvencione dhe lehtësira për bujqësinë, kurse te ne fermeri nuk mbështetet për asgjë? Kështu mund të vazhdojmë gjatë, të përmendim fakte si këto…

Këtu e ka zanafillën depresioni në shoqërinë tonë, ikjet masive dhe për më tepër zhgënjimi në klasën politike. Fatkeqësisht ne nuk kemi nxjerrë mësime nga gabimet dhe kjo ka bërë që padrejtësia të bëhet rregull, korrupsioni kapilar dhe papërgjegjshmëria zakon. Unë besoj te vetëkorrigjimi po aq sa edhe te presioni pozitiv për tu korrigjuar që vjen nga jashtë. Ndaj nuk e humb shpresën dhe nuk stepem. Problemi është që rotacioni politik duhet të jetë në sensin e vetëkorrigjimit dhe pushteti në ardhje duhet të adresojë disproporcionin e hendekut ndërmjet pritshmërive dhe arritjeve, duke e nisur nga të qenit një qeverisje e drejtë.

Një program qeveritar si ofertë e opozitës duhet të ketë pikërisht në thelb elementët e qeverisjes së drejtë, të përgjegjëshme dhe të pakorruptuar. Kjo do të ishte ofertë që ngjall shpresën, mëkëmb ekonominë dhe vendos një raport tjetër me qytetarët. Kjo mund të krijonte një kimi tjetër në raportet ndërmjet qytetarëve me politikën dhe ndërmjet aktorëve brenda saj. Ne nuk mund ti ofrojmë qytetarëve vetëm qasjen anti-Ramë, anti-Rilindje, por edhe se si duhet të jetë shteti që kërkojmë të ndërtojmë, pa propagandë, me përulësi dhe dinjitet.

Tashmë të gjithë e kanë të vështirë tu besojnë fjalëve dhe premtimeve, por ne duhet patjetër të përkrahim ndryshimin dhe tu japim mundësinë të na tregojnë se së paku nuk bëmë keq që i dhamë besimin për të na qeverisur, duke ditur se nuk mund ti bëjnë të gjitha në një ditë apo në një mandat, por ishin të drejtë, të përgjegjshëm dhe të pakorruptuar!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!