Home Bota Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare?

Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare?

nga Albina Hoxhaj

Thirrjet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, tashmë ua kanë bërë të qartë të dy vendeve që një dialog i tillë është i pashmangshëm dhe se duhet t’i krijojnë parakushtet për të, vlerësojnë njohësi e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Por, sipas tyre, tashmë në opinion ekzistojnë dilemat nëse dialogu i ardhshëm do ta ruajë formatin që ka pasur, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian ose ky format do të evoluojë, apo do të ketë ndonjë konferencë ndërkombëtare.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që formati i dialogut i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është i mjaftueshëm për të vazhduar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse që të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, deri më tash, formati i dialogut nuk ka qenë pengesë për të shënuar përparim, por pengesë kanë qenë sjelljet e Serbisë dhe Kosovës, pritjet e tyre nga ky dialog si dhe platformat e të dy vendeve që janë krejtësisht në kundërshtim me njëra-tjetrën.

“Si duken gjasat, (dialogu) do të vazhdojë në formatin e vjetër, sepse Bashkimi Evropian nuk dëshiron që të humbë shansin që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ndërsa, parametrat për dialog tashmë janë përcaktuar, sidomos nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që thonë se dialogu duhet të prodhojë njohjen reciproke dhe dialogu duhet të sjellë normalizim e marrëdhënieve. Bashkimi Evropian, duke mos dashur të paragjykojë, nuk po e përmend njohjen reciproke, por po e përmend vetëm normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Tahiri.

Video:Palmer: Palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve


Ai shtoi se në çfarëdo formati tjetër që mund të zhvillojnë dialogun Kosova dhe Serbia, nuk e garanton ndonjë marrëveshje, sepse marrëveshja synohet të jetë një lloj kompromisi, por i cili nuk i cenon interesat e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe që e minimizon shtetësinë e saj.

Lajme te ngjashme