Home Ekonomi Dyfishohen shërbimet e borxhit të jashtëm më 2020 nga pagesat e Eurobondit

Dyfishohen shërbimet e borxhit të jashtëm më 2020 nga pagesat e Eurobondit

nga Albina Hoxhaj

Pavarësisht se qeveria synon të sjellë në ulje raportin e borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto edhe në vitin 2020, fondet për shërbimin e borxhit dyfishohen vitin që vjen.

Pagesat për shërbimin e borxhit sipas ministrisë së Financave do të arrijnë në 66 miliardë lekë më 2020 nga 31 miliardë lekë që pritet këtë vit ose më një rritje 120 për qind. Ministria e Financave argumenton se rritja vjen nga shlyerja e Eurobondit 250 milionë euro të vitit 2015 afati i të cilit përfundon vitin që vjen. Gjithashtu shërbimi i borxhit po rëndohet edhe nga rritja e madhësisë së borxhit në vlera neto, çka shton presion për më shumë interesa dhe pagesa principali.

Gjatë viteve të fundit ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit ka ardhur duke u zbutur, kryesisht për shkak të rikompozimit të portofolit të borxhit të brendshëm në drejtim të titujve afatgjatë me norma interesi fikse. Megjithatë, risku i normave të interesit vazhdon të jetë i konsiderueshëm, pasi rreth gjysma e portofolit të borxhit shtetëror rivlerëson normën e interesit në harkun kohor të një viti. impakti në buxhet nga luhatjet e normave të interesit mund të jetë nga i nivelit të ulët në periudhën afatshkurtër deri në i nivelit mesatar në periudhën afatmesme.

Ministria e Financave sqaron se, duke filluar nga viti 2017 në zbatim të detyrimit ligjor të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, në buxhetin e shtetit janë programuar kontigjenca të veçanta për të absorbuar e rritjen e shërbimit të borxhit që mund të burojë nga rritja e normave të interesit përtej pritshmërive. Në këtë drejtim, në buxhetin e vitit 2020 janë parashikuar 4 miliard lekë kontigjenca, një nivel ky i mjaftueshëm për të përballuar rritjet e normave të interesit përgjatë vitit 2020.

Duke marrë në konsideratë vijimin e politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të titujve shtetërorë në tregun e brendshëm pritet të jenë të qëndrueshme dhe në nivele të krahasueshme me normat aktuale.

Për sa i përket tendencës së normave të interesit në tregjet e huaja, bazuar në deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese, duke bërë që edhe normat e interesit në këto tregje të qëndrojnë në nivele të ulta edhe përgjatë vitit 2020.

Në këto kushte, kostot për njësi të borxhit të brendshëm dhe atij të huaj pritet të qëndrojnë pothuajse në nivele të krahasueshme me ato të vitit 2019.

Ndërkohë për sa i përket shpenzimeve për interesa të borxhit, gjatë vitit 2020 parashikohet një rritje e moderuar e tyre, kryesisht për shkak të rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale. /monitor/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!