Home Aktualitet Luçiano Boçi skanon zhvillimet në vend: Krimi bën kërdinë me vrasje hollivudiane

Luçiano Boçi skanon zhvillimet në vend: Krimi bën kërdinë me vrasje hollivudiane

nga Albina Hoxhaj

Ish-deputetit i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka analizuar  me një postim të gjatë në “Facebook” zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri, që nga politika e deri tek ngjarja e rëndë e Durrësit, ku prokuroria Arjan Ndoji dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Përmes shënimit të tij, Luçiano Boçi të gjitha këto zhvillime i etiketon duke i përligjur me fjalën “ÇMENDINA”

Statusi i plotë:

ÇMENDINA
Negociatat u harruan dhe tek e fundit para shengenit ballkanik as kanë pikë vlere për kabinetin ministror.
Të na rrojë ky lloj shengeni!
Kajmaku i rradhës doli të ishte shëllirë, por që mban të freskët qeverinë-djath.
Aferim i qoftë!
Prokurorin pas britmës së Kryeministrit, e qerasën me disa plumba kallashnikovi. Krimi bën kërdinë me vrasje hollivudiane.
Dava larje hesapesh cicëron Rama.
Në universitetet u regjistruan më shumë infermierë se sa inxhinierë.
Gjinushi i akademisë social-komuniste, u bë i pari i akademisë së shkencërisë.
Protesta e unazës kapi vitin e dhimbjes për strehën e kokës, pa i sjellë asnjë dhimbje koke shtetit.
Ky pra është tamam shtet për dovlet.
Teatri vazhdon rezistencën.
Një koncesion tjetër lindi.
Shumë biznese vdiqën nën dhimbjen e rrënimit.
Liria e medias u rrëzua disa vende.
Dyndja në aeroporte, për të ikur i ngjason ditëve të festave dhe po të huazoja pak Gjebrenë e ‘90 me këngën “Jon” do bëja këngën “Rinas” e do thoja “ajri u bë mal me njerëz dhe qytetet tona rrafsh me ajër”.
Brochard ngre gishtin. Bashkia ngre kulla mbi kopshte botanikë.
Rudinës iu ul niveli i kërcënimit si të ishte kolesterol i keq.
Ndërsa Rama ulet e ngrihet nëpër studio, duke deklamuar lumturinë që sundon sot Shqipërinë, me krenarinë për çmendurinë shtetërore e sociale që ka injektuar e instaluar.
Dhe nga e gjitha kjo panoramë, m’u kujtua bash Shvejku, tek i binte gjoksit për kohën e lumtur që kishte përjetuar atje vetë në çmendinën e tij:
“Njeriu në çmendinë mund të zvarritet lakuriq mbi dysheme, mund të ulërijë si çakall, bile dhe mund të kafshojë. Sikur t’i bënte njeriu këto në shëtitjen e mbrëmjes, të gjithë do habiteshin. Kurse atje një gjë e tillë është krejt e zakonshme”.
E kjo çmendina e Shvejkut nuk është asgjë para kësaj tonës.
Këtu është akoma më lumturi dhe normaliteti akoma më i çmendur dhe e zakonshmja akoma më e çmendur.
Këtu kënaqesh kur dëgjon kryeministrin që bën si shën-bamirësia. Nuk habitesh nëse tenxhereve i thotë amfora e daulles orkestër, nëse Macronin e ka shok e Merkelin e ka shoqe, por që negociatat nuk ia hapën për inat të Gentit.
Në studiot e mediave të cilave në çmendinën tonë, iu është vënë këmisha e forcës që të mos thonë të vërtetën, kryeministri tregon fabula për rëndësinë e Shengenit ballkanik, tamam si miku i Shvejkut në çmendinën e vet, sipas të cilit brenda globit është futur një glob tjetër, por që është më i madh dhe njerëzit e zakonshëm nuk e shihnin.
Pastaj nxjerr gjuhën, imiton, përderidhet si grua e keqe, shan si të ishte sherxhiu i lagjes.
Vrasja në Shqipëri është kaq normale, sa statistikat INSTAT-i i Ramës i nis me numrin e vdekjeve, jo të lindjeve.
Në çmendinën tonë nuk ka lezet që parlamenti të mos ketë përfaqësuesit e botës së madhe të krimit.
Kur ndonjë largohet nga sherri opozitës, qindrat e tjerë ngrihen e mbushin arradhët e rilindjes.
Mijërat e mbetur në distancë duartrokasin çmendurinë e rradhës.
Ndërsa të fandaksurit e tyre opinionistë vjellin moral sa nga një studio në tjetrën.
Në çmendinën tonë, po të revoltohesh e të kërkosh të drejtën, quhesh i çmendur dhe madje mund të dëbojnë nga kjo parajsë mbi tokë, si anti-kushtetues si njeri që je jashtë sistemit.
Për to duhet të jesh pak i çmendur të jesh brenda sistemit.
Në këtë çmendinë mbi tokë ka dhe opozitë të re, e cila ka marrë në dorë frenat e reformës zgjedhore, sepse ka parë në ëndërr që është përleshur me opozitën “rrugore” dhe për këtë arsye është zënë me të.
Kjo opozita e re, është si ai kolegu i Shvejkut që i dukej vetja se ishte vëllimi i gjashtëmbëdhjetë i fjalorit shkencor të Otos, për aktualizim i fjalorit shkencor hipotetik të Ruçit.
Ndërkohë rilindja është zhytur kokë e këmbë në parajsën çmendinë dhe jeton çmendurinë si kulm mençurie në kohërat e babëzisë e pangopësisë kolektive partiake.
Në çmendinën tonë grabitjen ta quajnë dhuratë, atentatin ceremoni martese, mjerimin ta shesin si luks, hidhërimin ta bëjnë si festë dhe më e bukura Kryeministrin ta ilustrojnë për të mençur.
E çmenduritë në çmendinën tonë s’paskan fund…
Mjerë ai që nuk e ka provuar çdo të thotë të jetosh në çmendinën tonë.

Lajme te ngjashme