Home Aktualitet Rrezikoi jetën për prokurorin Ndoja/ Mori dy plumba gjatë atentatit, përmirësohet gjendja e Andi Malokut, shoferi në reaminacion

Rrezikoi jetën për prokurorin Ndoja/ Mori dy plumba gjatë atentatit, përmirësohet gjendja e Andi Malokut, shoferi në reaminacion

nga Albina Hoxhaj

Detaje të reja kanë dalë nga spitali i Traumës, ku edhe ndodhet Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, të cilit iu bë atentat dy ditë më parë.

Mësohet se gjendja e shoferit është e stabilizuar dhe aktualisht ai ndodhet në reaminacion. Gjatë atentatit, ishte shoferi ai që i mori më shumë plumba, një në gjoks e një në shtyllën kurrizore. 

Maloku, ish-efektiv policie në Krujë, u nis me emergjencë drejt Tiranës, pasi gjendja e tij ishte më e rëndë se e dy personave të tjerë të plagosur. 

Një skenë hollivudi e krimit shqiptar u përsërit pasditen e djeshme në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Makina tip “Benz”, ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, ra pre e një atentati, pasi një makinë tjetër “Benz”, ngjyrë gri, nisi të qëllonte me breshëri, duke lënë të plagosur të tri personat që po udhëtonin në këtë makinë.

Prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, ish-polici i Krujës Andi Maloku dhe një person i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, Landi Muharremi (Aleksandër Laho), ngelën të plagosur pasi ndaj tyre u qëlluan mbi 20 plumba. Atentatorët dyshohet se janë një skuadër vrasësish me pagesë, ndërsa pak orë pas ngjarjes në Ishëm, u gjet makina e tyre e padjegur, dhe brenda ndodheshin dy armët e përdorura në këtë atentat, përkatësisht dy kallashnikovë AK-47. Dosja i ka kaluar prokurorit Anton Martini, ndërsa Ndoja ka thënë se nuk i njeh autorët e atentatit.

Lajme te ngjashme