Home Aktualitet Rama, kapaku i tranzicionit

Rama, kapaku i tranzicionit

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Tashmë është fare e thjeshtë të nxjerrësh përfundimin se bilanci i Z.Rama në krye të punëve të shtetit, është negativ thuajse në të gjitha aspektet. A ishte rastësi ardhja e tij në krye apo ka elementë që ndikuan në ngjitjen e tij? Mbase ia vlen ta evokojmë për të kuptuar si ndodhi, pse dhe çfarë ndikoi, por le të bëjmë një bilanc të aktivitetit të tij politik dhe të rezultateve.

  1. Trajektore e çuditshme dhe plot përthyerje.
    Lëvizja studentore e vitit ‘90 e përfshiu dhe u evidentua si anarshist, më pas me krijimin e PD do të njihej si antiberishist për shkak të refuzimit të tij për tu bërë pjesë e atij projekti politik. Do të largohej nga vendi për në Europë ku dukej si një surrogato e Revolucionit kulturor dhe bënte jetën e një nomadi. U rikthye dhe e gjeti veten Ministër Kulture në qeverinë e Nanos në fillim vitet 2000 dhe më pas u kandidua për Kryetar Bashkie i Tiranës nga PS. Në mandatet e para u mbajt mend për “çlirimin” e Lanës dhe të disa hapësirave publike. Në 2005 vendoset në krye të PS-së dhe do të mbahet mend për lejet e ndërtimit në funksion të pasurimit dhe të influencës së tij. PS filloi ta shihte si zgjidhjen e vetme për të ardhur në pushtet. Në vitin 2013 “Bashkia e dikurshme’ e Edi Ramës ngjitet në pushtetin ekzekutiv, e vetëquan Rilindje dhe ai bëhet i pari i qeverisë.
  2. Kryeministri më i paaftë dhe i korruptuar.
    Politikanët maten me rezultate dhe ato janë negative, në ekonomi, në raportin me mediat, në sigurinë publike, në dështimin e integrimit. Aferat korruptive janë shumë, kurse ekonomia në rënie, me një popullsi gjithmonë e më të dëshpëruar dhe ikjet janë bërë serioze. Hendeku midis shtresave thellohet dhe pabarazia rritet. Një politikan i majtë, i cili u mundua që të mbante pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin dhe klientët nga biznesi (të ashtuquajturit oligarkë). Në shumë raporte ndërkombëtare do të cekej lufta ndaj korrupsionit, duke u bërë edhe pjesë e kritereve të Bundestagut.
  3. Raporti me median dhe lirinë e fjalës.
    Nga formimi dhe edukimi i tij ai i përket arteve figurative, demagogjia dhe marrëdhëniet me publikun, ishin fasada ku u investua fuqimisht. Ai nuk e duron kritikën dhe zërat ndryshe. Media u kaparua prej pushtetit të tij, jo tërësisht. Nëse do të mundej do të shuante çdo zë kundërshtar, madje edhe iniciativat e fundit ligjore kishin këtë qëllim, por u gjend përballë kritikave të forta brenda dhe jashtë vendit. Shoqatat ndërkombëtare reaguan lidhur me këtë iniciativë, ashtu si dhe figura politike europiane.
  4. Standartet demokratike kanë bërë hapa pas.
    Kulmi i tyre do të ishte ngushtimi i hapësirës së opozitës dhe shtyrja e saj për të dalë jashtë institucioneve, bërja e zgjedhjeve moniste dhe pa opozitën, parlamenti i cunguar, drejtësia pa gjykata. Pjesa më e errët e tij. Krejtësisht refraktar dhe aspak i shqetësuar për këtë, aspekti që do ti kthehet në bumerang dhe do ta penalizojë. Ai dëmtoi rëndë çdo ekuilibër pushteti, kontrolli apo përgjegjshmërie, sepse kjo gjë i mundësonte të bënte ato të cilat kishte si synim.
  5. Interesi kombëtar dhe diplomacia.
    Katastrofë, i impostuar, partner joserioz dhe aventurier në historinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi me ndryshime kufijsh. Filloi një marrëveshje me Greqinë, e nisur me mjaft zhurmë dhe u zhbë pa rezultate. Integrimi në BE ngec dhe çelja e negociatave nuk po arrin të marrë një 5 minus kaluese. Shpesh aspak dinjitoz në përfaqësim, duke filluar nga posti i Ministrit të Jashtëm.

Mjaftojnë këto për të thënë se Rama ishte një skarcitet politik, i cili është kthyer në një pengesë për vendin. Ai nuk transformoi asgjë, madje pushteti e bëri më malinj deri në kufijtë e absurdit. Ai është kapaku i tranzicionit të gjatë, thuajse prej tre dekadash. Po kush është ky njeri?

Një individ i formuar në sistemin e shkuar, rritur në një familje ku i ati u vu në shërbim të regjimit, u rrit mes pushtetit duke pasur një konflikt të theksuar me autoritetin, gjë të cilën e shpërfaqi pas viteve ‘90. Ai pati një jetë të rrëmujshme, me paqëndrushmëri në raporte dhe sjellje në disa raste jashtë normave. Pushteti i dha mundësinë të dëshmonte pasionin për fasadat, por më pas e bëri të paaftë që të vendoste kufijtë midis ambicieve dhe kufizimeve. Politika e tij përfundoi në një pazar të rëndomtë me gjithkënd, me të pasurit, kriminelët, kolegët, vetëm që ai të vazhdonte të ishte në qendër.

Autokracia e tij ishte thjesht pamundësia e dikujt për të menaxhuar konfliktin me autoritetin, pamundësia e menaxhimit të emocioneve dhe të instikteve, pasi duke qenë në qendër ai luan me këdo dhe bën gjithçka, pa marrë parasysh dëmin, vuajtjen, apo çdo të keqe që prodhon. Pushteti është loja që i duhet për të ruajtur stabilitetin e brendshëm, koston e së cilës po e paguajmë të gjithë. Te ai shumë njerëz lexuan fasadën, patosin dhe aspak fuqinë e tij për të bërë keq. Ata gabuan, por disa e pranojnë, kurse të tjerët nuk munden se bashkë me të humbasin edhe pushtetin e tyre.

Politika e prodhoi, thuajse e shpiku, ku protagonizmi i viteve të para të tranzicionit, ju shpërblye një dekadë më vonë. Politika e përdori deri momentin e marrjes së pushtetit prej tij, atëhere ai filloi të luajë me politikën. Për fatin tonë të keq, ai pësoi një ndryshim negativ ndër vite, duke investuar fuqimisht te vetja e tij, te pushteti i tij, i cili ishte sa autokratik, po aq edhe i ndërvarur nga bota e krimit dhe biznesi që i rrinte përreth. Ai filloi të besonte se askush nuk mund të bënte si ai, ose së paku luante rolin e dikujt të tillë, por dukej shpesh herë mjaft i pasigurtë, i mbytur në djersë apo në zemërim.

Loja e pushtetit ishte loja më bukur që ai mendon se ka luajtur, ku përveç pompimit të egos dhe ca parave më shumë, nuk do të mbetet asgjë, madje e nisur si gjithmonë me nota idealiste të tipit të misionarit, ajo po përmbyllet ashtu si është më keq: një kapak tranzicioni, i gjithi për tu harruar për veprat dhe atë që i solli vendit. Por, kujdes, se ai “bark” që e prodhoi nuk është shterpëzuar ende!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!