Home Aktualitet Lufta tregtare Serbi – Kosovë

Lufta tregtare Serbi – Kosovë

nga Albina Hoxhaj

Efekti i taksës 100 %, importi nga Serbia bie miliona euro. Eksporti bllokohet tërësisht. Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të vendosë taksë 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjë – Hercegovinës. Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro drejt Serbisë. Por, mallrat e Kosovës në gusht dhe shtator të këtij viti nuk kanë arritur të hyjnë në Serbi. Edhe importi nga Serbia drejt Kosovës ka rënë dukshëm. E presioni për heqjen e saj vazhdon ende.

Nga Prishtina, Fatos Shala

Nga vendosja e takës doganore prej 100 % nga ana e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina, ka pasur rënie të importit nga këto dy vende. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, del se importi i produkteve serbe ka rënë në mënyrë të dukshme. Ndërsa, vlera e eksporteve nga Kosova, në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk ka pësuar shumë ndryshime.
Dogana thotë se importet nga Serbia për periudhën 7-mujore të vitit 2018 ishin 177.8 milionë euro, kurse eksportet e Kosovës arritën në 16.8 milionë euro.

“Në periudhën janar-korrik 2018, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 177.81 milionë euro, kurse importet nga Bosnjë – Hercegovina ishin 39.8 milionë euro. Për sa u përket eksporteve të produkteve vendase në drejtim të Serbisë, gjatë kësaj kohe kanë arritur 16.8 milionë euro, ndërsa në drejtim të Bosnjës e Hercegovinë kjo vlerë ishte 4.6 milionë euro” – thuhet në raportin e Doganës për ndikimin e vendeve të CEFTA-së
Në lidhje me importet serbe dhe atyre boshnjake për periudhën janar-korrik 2019, që i bie menjëherë pas vendosjes së tarifës doganore 100 %, vlera e tyre ka rënë në mënyrë të dukshme.

Për periudhën janar-korrik 2019, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 1.9 milion euro, ndërsa importet boshnjake, 1.7 milionë euro. Krahasuar me periudhën e vitit paraprak, eksportet për në Serbi ishin 12.8 milionë euro, kurse produktet vendase që u eksportuan në Bosnjë dhe Hercegovinë, 2.9 milionë euro”.

Sipas Agjencisë së Statistikave, në gusht të këtij viti, eksportet e Kosovës janë rritur 4.7 %. “Eksportet e mallrave në muajin gusht 2019 kishin vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importet 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 % për eksportet dhe rritje 1.6 % për importet, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018” – thuhet në të dhënat e ASK-së për tregtinë e jashtme Në të njëjtin publikim thuhet se drejt vendeve të Bashkimit Europian, eksportet e Kosovës kanë arritur në 9.1 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Europian arritën në 9.1 milionë euro ose rreth 28.6 % e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania me 7.7 %, Britania e Madhe me 3.6 %, Holanda me 3.4 %, etj. Në këtë muaj, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.8 milionë euro ose 43.3 % të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.4 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria me 18.5 %, Maqedonia me 9.9 %, Serbia me 8.5 % dhe Mali i Zi me 4.5 %. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë euro, ose 28.1 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India me 15.4 % dhe Zvicra me 8.2 %”.

Eksporti bllokohet plotësisht

Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.

Por, mallrat e Kosovës në gusht dhe shtator të këtij viti nuk kanë arritur të hyjnë në Serbi. Nga rreth 60 milionë euro sa Kosova ka eksportuar në vende të ndryshme gjatë gushtit e shtatorit të këtij viti, asnjë nuk ka shkuar për shtetin fqinj. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të publikuara ditë më parë, Kosova ka eksportuar në 60 shtetet të botës, por jo në Serbi.

Në këto të dhëna thuhet gjithashtu se gjatë gushtit dhe shtatorit të 2019-s Kosova ka eksportuar produkte në vlerë saktësisht 59 milionë e 387 mijë e 738 euro në rreth 60 shtete të botës. “Në të dhënat e Doganës së Kosovës thuhet se Kosova ka eksportuar në rreth 60 vendet të botës, duke filluar nga ato të rajonit si Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi e shtete tjera europiane e deri në SHBA, Arabi Saudite e Australi”. Më 6 nëntor të vitit të kaluar, ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën prej 10 % për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë – Hercegovinë, ndërsa më 21 nëntor këtë tarifë e rriti në 100 %.

Presioni ndërkombëtar vazhdon

Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për të hequr taksën 100 % ndaj Serbisë nuk ka të ndalur. Tani edhe Franca ka kërkuar që kjo taksë të hiqet sa më shpejt. Ditë më parë, edhe zyrtarë të Bosnjës kanë kërkuar që Kosova të heqë këtë taksë.
Franca e sheh si të rrezikshme mbetjen në status-quo të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë ambasadori francez në Beograd, Federico Mandoloni, gjatë Forumit për Siguri. “Status-quo ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e rrezikshme” – ka thënë Mandoloni.

Më tej, ai u shpreh se Ministria e Punëve të Jashtme të Francës është e gatshme që, së bashku me Gjermaninë e me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, të përfshihet në çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Ministria e Punëve të Jashtme, së bashku me Gjermaninë është dhe ndërmjetësimin e BE-së të përfshihet në këtë çështje, në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – vijoi Mandoloni.Franca, sipas tij, dëshiron që të dyja palët të eliminojnë kushtet për rikthim në dialog, pasi Macron dëshiron një takim në Paris sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne duam që të japim një impuls politik dhe të kemi një takim të ri në Paris. Është shumë e qartë për ne që tarifa duhet të hiqet, nëse qeveria e re në Prishtinë dëshiron të bisedojë me Beogradin, në mënyrë që të gjejnë një kompromis”. Javë më parë, ministri i Tregtisë në Bosnjë – Hercegovinë, Mirko Sharoviq, u shpreh se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës – pritet që të qetësojnë raportet rajonale.

Ai u shpreh se para së gjithash, Bosnja pret heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj. “Menjëherë pas formimit të qeverisë, pres heqjen e tarifave. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë komplikim të raporteve brenda CEFTA-s, por edhe në përgjithësi në rajon”, ka thënë Sharoviq.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Bosnjë – Hercegovinës, Nemanja Vasiq, pret heqjen e tarifave për mallrat nga Bosnja. Vasiq thotë se është mirë që klima politike në Kosovë po ndryshon, dhe se kjo mund të çojë në eliminimin e tarifave.

“Sipas deklaratave të para të fituesve, pritet që ato të shkojnë drejt heqjes, por gjithashtu është e qartë se do të ketë kushte të reja politike. Kjo është ende në sferën e politikës”. Taksa prej 100 % për mallrat nga Bosnja dhe Serbia u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018. Në këtë mënyrë, eksporti i këtyre dy vendeve në Kosovë u ndal pothuajse plotësisht. Kjo ndërpreu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohej përmes lehtësimit nga ana e Bashkimit Europian.

Në arsyetimin e saj, Qeveria e Kosovës kishte thënë se Bosnja dhe Serbia duhet të njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë disa herë thirrje për heqjen e tarifave, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Monitor.al/.

Lajme te ngjashme