Home Aktualitet Breshëri plumbash prokurorit, policia heton shënjestrën e atentatit mafioz

Breshëri plumbash prokurorit, policia heton shënjestrën e atentatit mafioz

nga Albina Hoxhaj

Detaje të reja kanë dalë nga atentati i djeshëm ndaj Prokurorit Arjan Ndoja, i cili mbeti i plagosur bashkë me shoferin e tij Andi Maloku dhe një person me precedentë kriminal Aleksandër Laho, (Pëllumb Muharremi), i cilësuar si ‘i forti’ i Sukthit. Aktualisht prokurori Ardjan Ndoji është në gjendje të stabilizuar shëndetësore, ndërsa Laho është jashtë rrezikut për jetën por e ka të pamundur të flaës pasi ka marrë një plumb në nofull. Në gjendje të rëndë shëndetësore është shoferi i prokurorit Andi Maloku i cili është në reanimacion në Spitalin e Traumës. Maloku ka marrë dy plumba, në mushkëri dhe në shtyllën kurrizore.

Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohen nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili një ditë para atentatit mori në pyetje prokurorin Ndoja. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ishte shënjestra e atentatit dhe se nuk ka parë atentatorët. Për këtë ngjarje deri më tani janë shoqëruar 20 persona në polici, mes tyre edhe Julian Meçe, anëtari i bandës së Lul Berishës, i cili është lënë i lirë. Autorët kanë qëlluar me 20 plumba në drejtim të makinës ku ndodhej prokurori, 6 prej tyre kanë depërtuar brenda mjetit.

Para atentatit Ndoja ka drekuar me 2 persona të tjerë në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë kur do dilnin në autostradë. Dyshohet se atentati ishte i porositur dhe autorët janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova.

Autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj makinës së Prokurorit në momentin e parakalimit. Manovrat e shoferit Andi Maloku i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos, duke devijuar rrugën, por më pas përfundoi në kanal.

Autorët kanë menduar gjithçka deri në detaje për mënyrën sesi do të kryenin atentatin duke mos lënë gjurmë pas. Pas breshërisë së plumbave, të pajisur me maska dhe armë, ata janë larguar nga rruga e Ishmit, duke iu shmangur kamerave të sigurisë.

E vetmja provë që ka në dorë policia dhe Prokuroria është makina tip Benz e braktisur me targa false, që çuditërisht u la e padjegur nga ana e autorëve, dhe brenda të cilës u gjendën dy armë të tipit kallashnikov dhe dy maska. Makina e gjetur në Ishëm pritet t’i nënshtrohet një ekspertimi për të zbuluar nëse ka shenja gishtat apo faktorë të tjerë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Grupi hetimor ka mbledhur pamjet e një sërë kamerash sigurie të cilat po analizohen për të parë nëse në nëse mund të jetë e filmuar makina e autorëve të ngjarjes.

Atentati ndodhi pasditen e së premtes teksa prokurori Arjan Ndoja po udhëtonte me dy persona të tjerë në automjetin tip “Benz” të llojit fuoristradë me targa ‘AA 333 ZD’, pranë Mbikalimit të Shkozetit. Bashkë me prokurorin Ndoja mbetën të plagosur edhe dy personat e tjerë, shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç dhe Aleksandër Laho, i cili ishte pasagjer. Laho njihet ndryshe edhe si Landi Muharremi dhe si “i tmerrshmi i Sukthit”.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!