Home Aktualitet The Economist: Zhgënjimi i madh i Maqedonisë dhe Shqipërisë

The Economist: Zhgënjimi i madh i Maqedonisë dhe Shqipërisë

nga Albina Hoxhaj

Si pasojë e këmbënguljes së francezëve, maqedonasit u lanë jashtë në të ftohtë. Edhe shqiptarët, gjithashtu

Edhe syve më të përgjumur të udhëtarëve të fluturimeve të orëve të para të mëngjesit, nuk iu shpëton pa u vënë re përmendorja në Aeroportin e Sarajevës, në kujtim të tetë ushtarëve francezë që vdiqën gjatë luftës boshnjake, shkruan The Economist.

Kur lufta mbaroi, në vitin 1995, Marrëveshja e Paqes e krijuar nga Amerika u nënshkrua në Paris. Që prej asaj kohe, politika europiane ka qenë e qartë: në mënyrë që të shmangeshin gabimet e së kaluarës, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të “ankoroheshin” në BE. Por gjatë samitit të 18 tetorit, për tmerrin e liderëve të Ballkanit dhe shumicës së kolegëve të tij në BE, Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, doli hapur kundër një politike të tillë.

Z. Macron argumentoi se strategjia e zgjerimit të BE-së ishte “e çuditshme” dhe se BE-ja kishte nevojë për reforma të mëtejshme përpara zgjerimit. Franca bllokoi hapjen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe së bashku me Danimarkën dhe Holandën, ajo e bllokoi edhe për Shqipërinë. Në hijen e zymtë të Brexit, ky ishte një vendim që nuk pritej nga askush dhe që në fakt tronditi të gjitha pritshmëritë e Ballkanit.

Serbia dhe Mali i Zi tashmë po negociojnë anëtarësimin e tyre në BE, edhe Kosova dhe Bosnja dëshirojnë të fillojnë sa më parë negociatat. Edhe pse z. Macron shprehet se zgjerimi i BE-së nuk ka marrë fund, ai nuk është aspak i qartë se çfarë duhet të ndodhë më pas. Z. Macron me siguri ka të drejtë sa i takon faktit se politika e zgjerimit e BE-së ka nevojë për reforma të mëtejshme, por tani për tani, sipas tij, të gjashta shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së nuk duhet të nxitohen dhe mbi të gjitha duke miratuar dalëngadalë legjislacionin e BE-së.

BE-ja ka marrë masa të ndryshme për të parë më nga afër progresin e të gjitha këtyre shteteve aspirante. Kështu, për shembull, zyrtarë të BE-së kanë shkuar në Shqipëri për të vëzhguar më nga afër procesin e Vetting-ut dhe për të parë se në cilat nivele vazhdon të jetë ende korrupsioni në këtë shtet. Në maj, policë nga vendet e BE-së u vendosën në Shqipëri për të ndaluar fluksin e emigrantëve shqiptarë në veri të Greqisë.

Maqedonia e Veriut ka bërë edhe më shumë në drejtim të anëtarësimit të saj në BE. Për vite me radhë, përparimi i saj drejt BE-së ishte i bllokuar si pasojë e një mosmarrëveshje në lidhje me emrin e saj me Greqinë. Këtë vit, ajo e zgjidhi një problem të tillë. “Ne i shtymë ata që t’i jepnin sa më parë zgjidhje këtij problemi dhe më pas i lamë në baltë”, u shpreh një diplomat europian, shumë i zëmëruar pas vendimit të Presidentit francez.

Pasojat e ndryshimit nuk kanë qenë aspak të mira. Qeveria e Maqedonisë së Veriut u rrëzua pas vetos. Zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin në pushtet kthimin e nacionalistëve, të cilët e kundërshtuan marrëveshjen me Greqinë mbi emrin e ri; Kryeministri i ri i Greqisë nuk e pëlqeu kurrë atë.
A është z. Macron një opozitar i theksuar i përparimit të vendeve të Ballkanit në BE? Ndoshta jo, shprehet Loïc Trégourès, një specialist i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Katolik të Lille.

Franca nuk ka interes të veçantë politik në rajon, argumenton ai më tej, por këtij të fundit (rajonit të Ballkanit) po i bëhen dëme kolaterale, për shkak të mosmarrëveshjeve të z. Macron me Kancelaren gjermane Merkel, e cila ka kundërshtuar idetë e tij për reformën në BE. “Nëse Gjermania dëshiron që sfera e ndikimit të saj të mos preket, atëherë edhe ajo duhet të bjerë dakord me diçka që i kërkohet, në mënyrë që ta arrijë këtë gjë”, shprehet z. Trégourès.

Teksa BE-ja tërhiqet, të tjerët përparojnë. Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria u zotuan më 10 tetor të punojnë drejt një zone të përbashkët, ku lëvizja e tyre do të jetë e lirë. Më 25 tetor, Serbia nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia. Rusia po i jep armë Serbisë. Kina dhe Turqia po zgjerojnë ndikimin e tyre. Bllokimi i Ballkanit është “një gabim i rëndë historik”, tha Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian. “Nëse ne duam që të tjerët të na respektojnë, atëherë duhet t’i mbajmë premtimet që kemi bërë”, përfundoi ai.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!