Home Aktualitet Publikohet VKM-ja/ Pas takimit me Mitsotakis, Rama e lë me 7 anëtarë grupin negociator për detin

Publikohet VKM-ja/ Pas takimit me Mitsotakis, Rama e lë me 7 anëtarë grupin negociator për detin

nga Albina Hoxhaj

– Pas takimit me homologun grek në Athinë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar grupin negociator për ‘Marrëveshjen e Detit’ të ngritur që në kohën e ish-ministrit Ditmir Bushati.

Me anë të një VKM-je qeveria ka reduktuar grupin negociator për ‘Marrëveshjen e Detit”. Komisioni i mëparshëm përbëhej nga 13 anëtarë, ndërsa komisioni i ri do të jetë me 7 anëtarë. Komisioni tashmë përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe kryetar është përcaktuar zëvendësministri për Punët e Jashtme, por nuk cilësohet se cili prej tyre do të drejtojë komisionin, duke qenë se aktualisht janë dy të tillë, konkretisht Etjen Xhafaj dhe Sokol Dedja. Po kështu Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe do të raportojë periodikisht te Kryeministri Rama për veprimtarinë e Komisionit.

VKM-ja: 

“Vendim për përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;

 Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;

b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;

c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;

ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Pas takimit me kryeministrin grek Edi Rama u shpreh se shumë shpejt shpreson për një marrëveshje për çështjen e detit. Ka 9 vite nga bllokimi i marrëveshjes së qeverisë Berisha me Greqinë, bllokim që erdhi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila me votim unanim më 26 janar 2010 shpalli në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!