Home Aktualitet Qeveria jep me qira edhe “Syrin e Kaltër”, shuma është qesharake

Qeveria jep me qira edhe “Syrin e Kaltër”, shuma është qesharake

nga Albina Hoxhaj

Siç jemi mësuar tashmë prej më shumë se 6 vitesh, qeveria vijon t’ia japë privatit pasuritë e shqiptarëve.

Së fundmi, është zbuluar se qeveria do të japë me qira pikën turistike të ‘Syrit të Kaltër në Delvinë’, për një shumë tejet qesharake.

Lëvizja e radhës nga qeveria vjen pak ditë pasi ministri i Mjedisit Blendi Klosi dhe drejtuesi i Komitetit të Pasurive Nënujore në UNESCO, Auron Tare, deklaruan se “Syri i Kaltër” po degradohej dhe se si pasojë e keqmenaxhimit, po rrezikohej edhe jeta e turistëve. Madje, Klosi dhe Tare theksuan se kjo pikë duhej të mbyllej dhe të menaxhohej më mirë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta SHQIP, ministria e Financave ka hapur procedurën për dhënien me qira të ambienteve te “Syri i Kaltër”.

Duket se daljet publike të Klosit dhe Tares kanë qenë të programuara, pasi shumë shpejt ministria e Financave ka përfunduar në kohë rekord procedurat për dhënien me qira të këtyre ambienteve.

Sipas dokumenteve, qeveria ka vendosur “dhënien me qira të pasurisë shtetërore me numër 652/1 vol. 4, faqe 15, zk. 2758, me emërtimin ‘Kabina Druri, 5 copë’, me sipërfaqe totale 470 m2, nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër, Delvinë, në administrim të shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”.

Në dokumente thuhet se “dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zones”.

Sipas saj, konkurrimi do duhej të zhvillohej sot në Ministrinë e Financave dhe vlera dysheme për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 72 500 lekë/në muaj ose vetëm 600 euro në muaj!

Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është 10 vjet.

Pak ditë më parë, Klosi deklaroi se Syri i Kaltër është një gangrenë nga mënyra e menaxhimit, ndërsa deklaroi se “kemi gati plan për vitin 2020”.

Por, duket se plani i qeverisë është bërë më herët…

Të njëjtën gjë qeveria Rama ka bërë edhe me pikën turistike të Drilonit në Pogradec, duke e dhënë me qira për një periudhë 10-vjeçare me një çmim qesharak prej 172 600 lekësh në muaj.

Për më tepër që bëhet fjalë për të njëjtën kompani private që pritet të marrë edhe “Syrin e Kaltër”

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!