Home Aktualitet Marrëveshja me ATK-në e shpëton edhe njëherë Telekomin

Marrëveshja me ATK-në e shpëton edhe njëherë Telekomin

nga Albina Hoxhaj

Telekomi i Kosovës ka arritur marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës për formën e shlyerjes së borxhit, me çka është zhbllokuar edhe llogaria bankare e Telekomit duke evituar kështu mundësinë që punëtorët e kësaj kompanie të mos mbesin pa pagat e muajit tetor.

Telekomi i Kosovës i ka borxh Administratës Tatimore të Kosovës më shumë se 2.8 milionë euro, çka e kishte shtyrë ATK-në që t’ia bllokonte të gjitha llogaritë bankare Telekomit. Por, ndërkohë është arritur një marrëveshje që ky borxh të paguhet përmes kësteve gjatë 11 muajve të ardhshëm.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje nuk paraqet ndonjë barrë për Telekomin dhe është e përballueshme. Sipas tij, ajo mundëson që me kohë, Telekomi t’u përgjigjet obligimeve të marrëveshjes.

Istrefi thotë se dy muaj para bllokimit të xhirollogarisë, Telekomi i Kosovës ka kërkuar në mënyrë zyrtare nga ATK-ja që të ketë mirëkuptim.

“Kemi kërkuar që të na krijohet një mundësi dhe të mos rrezikohet me rënien e të gjitha shërbimeve të Telekomit të Kosovës ku në të njëjtën kohë do të rrezikoheshin edhe interesat e sigurisë qytetare. Nuk e di pse ka marrë vendim të shpejtë (ATK-ja) për të ardhur deri të bllokimi i xhirollogarive, duke pas parasysh se ne kemi pasur një sqarim të arsyeshëm, pse po marrim një veprim të tillë. Vlera e borxhit arrin mbi 2.8 milionë euro”, tha Istrefi.

Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se marrëveshja është riprogramuar.

Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se “ATK ka riprogramuar marrëveshjen me kompaninë e Telekomit, përmes se cilës, kryerja e obligimeve do të realizohet me këste mujore”, tha Bytyqi-Sefa.

Përveç këtij borxhi, Telekomi i Kosovës ka edhe një obligim tjetër financiar në vlerë prej rreth 26 milionë euro ndaj Dardanfon-it, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile.

Ky borxh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë “Z-Mobile”, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!