Home Aktualitet Haradinaj nuk merr pjesë në takim me Mogherinin, priten diskutime për dialogun me Serbinë

Haradinaj nuk merr pjesë në takim me Mogherinin, priten diskutime për dialogun me Serbinë

nga Albina Hoxhaj

Në Bruksel sot takohen liderët e Ballkanit.

Të ftuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, të pranishëm në darkën e punës do të jenë edhe dy presidentët, Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiq, shkruan lajmi.net.

Darka e ftuar nga Mogherini, ndonëse me karakter lamtumirës, pritet të zhvillohet edhe me diskutime përmbajtësore.

Mësohet se çështje kryesore e diskutimit të liderëve të rajonit do të jetë vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi.

Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për lajmi.net se i pranishëm në këtë darkë nuk do të jetë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pa dhënë detaje nëse i njëjti ka pasur ftesë paraprakisht.

Ky i fundit edhe ashtu në përfundim të mandatit të tij, i kishte prishur punët me Mogherinin, ndaj së cilës kishte pretendime se po e lejon zhvillimin e dialogut me temën e shkëmbimit të territoreve.

Sidoqoftë, në këtë takim pritet të jenë të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, si dhe tre anëtarët e presidencës boshnjake, Milorad Dodik, Zeljko Komshiq dhe Sefik Gjaferoviq.

Para fillimit të takimit, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq mirëpo edhe liderët e tjerë pritet të kenë takime të ndara me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini si dhe komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn.

Lajme te ngjashme