Home Ekonomi Prezantohet strategjia e Rishikuar e Financave Publike 2019-2022

Prezantohet strategjia e Rishikuar e Financave Publike 2019-2022

nga Albina Hoxhaj

Denaj: Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon një ekonomi të fortë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, znj. Anila Denaj, lançoi sot Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022, në një aktivitet të organizuar nga MFE me mbështetjen e Projektit të AT-MFP financuar nga BE, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Delegacionit të BE në Tiranë, përfaqësues të ministrive të linjës dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështetën hartimin e strategjisë dhe zbatimin e reformës për financat publike.

Puna disa mujore për rishikimin strategjisë, e cila vjen me një strukturë të re, ka nisur me proçesin e vlerësimit afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, për të vlerësuar ecurinë e reformës gjatë periudhës Qershor 2015- 2018.  Ajo siguron një qasje të harmonizuar të kuadrit strategjik dhe mundëson monitorimin bazuar tregues të matshëm, në bazë të arritjeve të rezultateve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, pasi falënderoi të gjithë ata që kontribuan në rishikimin e Strategjisë, shprehu bindjen se Strategjia qëndron në themel të një reforme po aq të rëndësishme për Shqipërinë, siç është ajo e  drejtësisë.

“Sepse kjo është një reformë për një ekonomi më të fortë dhe shërbime të përmirësuara për qytetarët. Ajo rrit përgjegjshmërinë, transparencën, eficencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike. Kjo strategji synon të vendosë standarde të reja që kontribuojnë në një proces sa më transparent të planifikimit dhe të shpenzimit të fondeve publike”, u shpreh znj. Denaj.

Përmes kësaj Strategjie, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë mundëson: buxhetimin gjinor, si një përpjekje konkrete për të rritur mundësitë e barabarta mes burrave dhe grave në zhvillimin e vendit dhe transformimin shoqëror; i mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente; u mundëson qytetarëve të thonë fjalën e tyre për panifikimin dhe shpenzimin e parave publike.

Ministrja theksoi gjatë fjalës së saj se Strategjia, e cila mbështetet në shtatë objektiva specifikë, Plani i Veprimit dhe Rezultatet e Matshme, do të jenë një udhërrëfyes për: Reduktimin e borxhit publik; shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura; mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore; sigurimin e një lidhjeje më të mirë të planeve strategjikë me Programin e Buxhetit Afatmesëm; një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe me akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit; rritje e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Mario Mariani, vlerësoi progresin e bërë në rishikimin e Strategjisë sa i përket forcimit të elementëve të llogaridhënies, transparencës dhe eficencës. Reforma në menaxhimin e financave publike, theksoi z. Mariani, duhet parë e lidhur ngushtësisht edhe me reformën në administratën publike, përmes së cilës synohet institucione të forta dhe shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë.

Përfaqësuesja e FMN-së, znj. Linda Spahia, theksoi rëndësinë e menaxhimit ekeftiv të financave publike, në mënyrë që politikat fiskale të japin efektet e tyre në praktikë.

Nga ana e saj, ekspertja e Bankës Botërore, znj. Hilda Shijaku, u shpreh se Banka Botërore mbetet një partner në reformën e menaxhimit të financave publike dhe vuri theksin në disa prej sfidave që duhet të përballohen nga institucionet shqiptare.

Përfaqësuesi i SECO, Ambasada Zviceriane, z. Patrik Meier, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria sa i përket konsolidimit fiskal dhe përmirësimin e financave publike, ku rezultate të prekshme vërehen në uljen e borxhit apo zbatimin dhe raportimin e buxhetit. Strategjia e rishikuar e financave publike, tha z. Meier, tregon angazhimin e qeverisë për vazhdimin e konsolidimit fiskal

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!