Home Aktualitet Këlliçi: Mësoni historinë se ajo përsëritet!

Këlliçi: Mësoni historinë se ajo përsëritet!

nga Editor

Nga Belind këlliçi/

Në kujtim të shqiptarëve që u revoltuan kundër regjimit antiliri në burgjet e Spaçit e Qafë Barit!

Këto ditë kemi parë në media dhe rrjete sociale shpërlarjen e trurit që u bëhet nxënësve të shkollave, me urdhër të fëmijëve të byroistëve që sot i kemi në qeveri.

Veshur me shaje të kuq pionerësh, simbol komunist që nuk ka asnjë lidhje me luftën, për të nderuar në lapidare turpi kujtimin e torturuesve të Sigurimit të Shtetit, të Forcave të Ndjekjes dhe të Kufirit.

Shoqërohen nga mësues të indoktinuar, deputetë të PS dhe pseudoveteranë lufte, kur dihet se lufta ka 78 vjet që ka përfunduar!

Ç’vlera trashëgojnë te fëmijët këta soj kriminelësh, që vranë e syrgjynosën intelektualë e atdhetarë, që e ndanë për së gjalli Shqipërinë nga qytetërimi europian dhe e mbajtën popullin në radhë për një pikë qumësht?

Tregojini fëmijëve tuaj ç’keni hequr, si gatuanit në WC me furnela vajguri, si nënat tuaja lanin teshat me duar e si një shoqëri në shekullin e teknologjisë lahej një herë në javë me sapllake.

Tregojini të rinjve për kampin e Tepelenës, ku një nënë brenda 6 muajve humbi 5 fëmijët e saj! Tregojini si gjyshja mbahej dy ditë e vdekur në kamp për të marrë dy racione bukë më shumë, se nuk shuhej uria e fëmijëve!

Tregojini për revoltën e të burgosurve në Qafë Bari, ku 24 djem u rebeluan kundër regjimit, në një kohë kur të tjerët që ishin jashtë e mbanin gojën kyçur nga frika!

Mësojini fëmijëve në shkollë të përbuzin diktaturat e jo t’i duan ato. Mësojini të duan lirinë, të nderojnë firmëtarët e pavarësisë, se një pjesë e tyre u përndoqën nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili vrau më shumë shqiptarë se të gjithë pushtuesit e marrë së bashku. E më pas vrau me radhë të gjithë ata që ju nderoni sot.

Mësojini të rinjve historinë tuaj, se jeni të gjithë dëshmitarë.

Ato fabrika e rrugë që aq shumë i propagandoni si veprat tuaja, i ndërtuan të burgosurit politikë me gjak e djersë, me një krodhë bukë e një jetë torturë në Spaç, Qafë Bari e kudo!

Po e mbyll me fjalët e një sokoli shqiptar, e një malësori trim, të cilin ju shajekuq nuk e nderoni, se ndoshta ju zë gjaku që keni ende ndër duar.

Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Zef Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë.”

Lajme te ngjashme