Home Aktualitet Kopshti Botanik në gjyq, qeveria dhe bashkia rrëzohen në seancën e parë

Kopshti Botanik në gjyq, qeveria dhe bashkia rrëzohen në seancën e parë

nga Albina Hoxhaj

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi pretendimet e qeverisë dhe të bashkisë së Tiranës për legjitimitetin e padisë, duke kaluar çështjen në gjykim. Një trupë prej 5 gjyqtarësh do të vendosë mbi kompetencën lëndore.

Përfaqësuesit ligjorë të Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës dështuan të provonin para Gjykatës Administrative të Apelit të martën se padia e firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nuk ishte legjitime.

Gjyqtarja Blerona Hasa që drejtoi seancën përgatitore për padinë e Universitetit të Tiranës kundër vendimit të qeverisë së 17 korrikut 2019 për të trasferuar pronësinë e Kopshtit Botanik nga universiteti te Bashkia e Tiranës, la të kuptohej përmes pyetjeve se çështja prekte funksionet akademike të Kopshtit Botanik dhe se kjo legjitimonte rektorin në padi. Nëse pranohej pretendimi i qeverisë dhe bashkisë, padia do të rrëzohej formalisht gjë që do të bllokonte përpjekjet ligjore të UT për të kthyer pas trasferimin e pronësisë.

Jashtë seancës, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës vlerësoi gjyqtaren, duke thënë se ajo meritonte një “bravo të madhe” për vendimin që mundëson trajtimin në themel të çështjes dhe që njeh ligjshmërinë formale të padisë.

Universiteti i Tiranës pretendon se VKM-ja që trasferon Botanikun nën administrimin e Bashkisë së Tiranës është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe cënon autonominë e univesitetit. Vendimi i qeverisë kundërshtohet po ashtu nga profesorati dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, profesorë të të cilit kanë themeluar dhe më pas mbajtur kopshtin që prej krijimit të tij. Dhjetra studentë e pedagogë ishin mbledhur para dyerve të gjykatës për të kundështuar vendimin e qeverisë./birn/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!