Home Aktualitet ‘Shuplaka’ e FMN për Ramën: Hiq bordet e çmimeve, ndihmo të varfrit

‘Shuplaka’ e FMN për Ramën: Hiq bordet e çmimeve, ndihmo të varfrit

nga Editor

BIRN

Shqiptarët pritet të përballen me inflacion të lartë deri në vitin 2024, ndërsa politikat e qeverisë për të vendosur çmime tavan për disa mallra duhet të shpërndahen, bëri të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të vizitës së zakonshme të pranverës në Shqipëri. Sipas Fondit, qeveria duhet të mjaftohet me masat aktualisht të ndërmarra dhe të përdorë të ardhurat shtesë nga taksat për të ulur borxhin publik.

“Autoritetet kanë marrë një vendim të drejtë që kanë shmangur uljet e përkohshme të taksave, të cilat i sjellin përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve, janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u zhbërë,” deklaroi FMN.

“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve,” thuhet në deklaratë.

Por ndonëse rekomandon “mbështetje të mirëorientuar për të varfërit”, FMN thotë se masat sakaq të ndërmarra nga qeveria me ndryshimet në buxhetin e shtetit “janë të mjaftueshme” dhe se të ardhurat shtesë të qeverisë nuk duhet të përdoren për gjë tjetër veç uljes së borxhit.

“Buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej ҫfarë parashikohet në buxhet, duhet kursyer,” thotë FMN.

Qeveria shqiptare krijoi dy borde, të cilat mbështeten në disa llogari mbi kostot për të përcaktuar çmimet e disa mallrave bazë si karburant, miell, vaj e sheqer. Nuk dihet nëse qeveria e ka marrë këtë model nga ndonjë vend tjetër dhe është e vështirë të kuptohet se sa efikase është kjo politikë.

Nga ana tjetër, qeveria ka arkëtuar rreth 290 milionë euro më shumë se sa vitin e kaluar në periudhën janar-prill të këtij viti, me një rritje prej 22%. Kjo është rritja më e madhe e të ardhurave buxhetore në dy dekada dhe dukshëm vjen si pasojë e rritjes drastike të çmimeve të mallrave të importuara. Ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore është gjithsesi në ngadalësim.

Por ndryshe nga këshilla e FMN-së për të përdorur të ardhurat shtesë për ulje të borxhit publik, qeveria duket se ka në plan të shpenzojë një shumë të majme në ndihmë të bizneseve të kontraktuara prej saj për punë publike.

FMN vëren se është e domosdoshme që Shqipëria të ulë borxhin publik për sa kohë ka mundësi për shkak se bashkë me inflacionin janë në rritje edhe interesat e borxhit dhe kushtet e financimit.

Lajme te ngjashme