Djali i kryebashkiakut të Bulqizës është arrestuar të shtunën në kryeqytet, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi e vogël droge.
Burime nga policia thanë se i arrestuari është 19-vjeçari Enio Alla, djali i Lefter Allës, fakt që nuk ka ngurruar t’ua përmendë policëve në momentin e ndalimit, duke shprehur çudi pse nuk e njihnin.
Adoleshenti ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij, në rrugën “Jusuf Vrioni”, pranë shkollës “Vasil Shanto”, kur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, i kanë bërë shenjë të ndalojë.
Efektivët i kanë kërkuar që të zbresë nga makina, pasi do ushtrohej një kontroll dhe ai fillimisht i ka kundërshtuar, duke tentuar të shmangë kontrollin. Në këtë moment u ka përmendur atyre emrin e babait të vet, duke i pyetur nëse e njihnin apo jo se kush ishte.
