Home Aktualitet Shpopullimi/ Diploma e infermierisë, pasaporta e studentëve për të emigruar në Europë

Shpopullimi/ Diploma e infermierisë, pasaporta e studentëve për të emigruar në Europë

nga Editor

Shifrat janë kontradiktore, por nuk e ndryshojnë faktin që të diplomuarit në Shqipëri për të veshur bluzën e bardhë në shërbim të pacientëve, largohen drejt Europës për punësim. Gjermania vijon të mbetet destinacioni kryesor i të rinjve të mirarsimuar. Thonë se do të dëshironin të punonin në vendin e tyre, por paga mujore dhe kushtet e punës lënë për të dëshiruar.

Por ka edhe një shembull tjetër që e gjejmë mes praktikantëve në spital. Valeria është një italiane që ka ardhur të studiojë në Shqipëri. Ajo ka një tjetër mesazh për bashkëmoshatarët e saj. Në asnjë rast braktisja përfundimtare e vendit tënd nuk është zgjidhje, thotë ajo.

“Vendosa të studioja mjekësinë, që e vogël kam pasur dëshirë të ndihmoja njerëzit. Objektivi im është të shkojë në vendin tim në Itali, pasi aty kam dhe familjen. Por kurrë s’do ndaloj së falenderuari Shqipërinë që më lejoi të realizoj ëndrrën time. Mendoj që studentët shqiptarë kanë të drejtën e tyre që të marrin eksperiencën e punës jashtë vendit, por është e rëndësishme që më pas te kthehen dhe të punojnë në Shqipëri, që të rrisin cilësinë e mjekësisë në të gjitha drejtimet”, shprehet Valeria.

Luljeta Myftaraj është e sprovuar prej 25 vitesh në shërbimin tonë shëndetësor. Bluzën e infermierit nuk do ta ndërronte me asnjë profesion tjetër, kur thekson se në mos kushtet dhe paga, në vendin tënd gjen një kënaqësi tjetër si infermier.

“T’u shërbesh familjarëve të t’u, njerëzve të lagjes është kënaqësi e madhe, kam patur oferta për jashtë po nuk kam pranuar. Nuk duhet të ndodh ky shpopullim masiv pasi të gjitha vendet e Shqipërisë kanë nevojë për mjekë dhe infermierë”.

Ministria e Shëndetësisë ka menduar si zgjidhje rritjen e kuotave në universitete për të zëvendësuar në vendet e punës bosh ata që zgjedhin largimin nga Shqipëria. Por edhe kjo nuk është një zgjidhje përfundimtare që garanton më shumë mjekë për nevojat e spitaleve tona.

Lajme te ngjashme