Home Politike Përplasja Rama-Haradinaj/ Këshilltarja e Ramushit tregon prapaskenat e Berlinit

Përplasja Rama-Haradinaj/ Këshilltarja e Ramushit tregon prapaskenat e Berlinit

nga Albina Hoxhaj

Këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj, Melisa Haradinaj Stublla ka zbuluar detaje nga darka e famshme në Berlin, ku ishin prezentë Rama, Haradinaj, Merkel e Thaçi, për të cilën mes dy kryeministrave ka nisur tanimë një luftë e “ftohtë” deklaratash. Stublla thotë se Rama u afrua pa ftesë në tavolinën ku ndodheshin kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, bashkë me liderët e Kosovës dhe Serbisë.  Këshilltarja e kryeministrit në largim, thotë se Rama u imponua në tryezë pa rend dhe pa respekt, duke e cilësuar sjelljen e tij si të pahijshme.

Postimi i plotë:

Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë.

KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.

Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë.

Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive.

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.

E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental! Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!

Deklarata e Stubllës, vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama, tha se ka përgatitur një padi për shpifje për Ramush Haradinaj, për akuzat e tij se Rama-Thaçi e Vuçiçm duan të ndajnë Kosovën për të marrë 10 miliardë euro. Rama tha se këto janë shpifje që Haradinaj duhet t’i sqarojë në gjykatat e Kosovës. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar mohoi që t’i ketë bërë presion Haradinajt për taksën. Por sërish Haradinaj nuk tërhiqet nga qendrimi i tij. Ai tha dje  se nuk dëshiron që të komentojë Ramën, por nga ana tjetër shton se “Qendrimi im kundër ndarjes është legjitim, e kam edhe unë këtë të drejtë, duke ekspozuar çdo njeri që e ka këtë synim.”

Lajme te ngjashme