Home Aktualitet Valbona, mes turizmit dhe HEC-eve

Valbona, mes turizmit dhe HEC-eve

nga Albina Hoxhaj

Në mes të bukurive të rralla, një terreni të pa prekur që shton perspektivën për turizëm në luginën e Valbonës, dhjetëra bimë, insekte, kafshë dhe lloje të pishave dhe bredhit nga më të rrallat në Europë rrezikojnë të zhduken, sipas një studimi të pavarur mjedisor. Kompania Gener 2 që po ndërton shpjegon planet për mbrojtjen e mjedisit

Nga Blerina Hoxha

Adinah dhe Benyamin, një çift nga Izraeli, përkundrejt këshillave të miqve të tyre, kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht Alpet. “Miqtë na thanë, a ju ka lënë mendja që po shkoni në Shqipëri”, thotë Adinah, të cilën e takojmë duke u ngjitur për të parë ujëvarën e Valbonës. “Por ne kishim lexuar shumë dhe vendosëm të vinim”, duke qenë e bindur që kishin bërë zgjedhjen e duhur, teksa vjeshta e vonuar e ka bërë dhe më të mahnitshme natyrën e Alpeve.

Për në Valbonë kishin ardhur me një makinë me qira, nga një rrugë e gjatë nga Shkodra, të cilën e kishin zgjedhur vetë. “Ishte rruga më e bukur që kam përshkuar ndonjëherë dhe, më besoni, unë kam parë gjithë botën” – thotë Adinah. Por, ajo që e kishte mahnitur më shumë ishte ngjyra e lumit të Valbonës. “Si ka mundësi që nuk shkruhet në asnjë nga librat turistikë për Shqipërinë, që ngjyra e lumit është aq e pastër” – thotë ajo. “Ju jeni një destinacion i ri turistik dhe duhet t’i reklamoni më mirë pasuritë që keni, veçanërisht lumin dhe ngjyrën e tij”, rekomandon çifti izraelit.
Kur ia tregojmë këtë histori Katerinës, amerikanes së shqiptarizuar dhe të dashuruar me Valbonën, ajo shpjegon se lumi është i veçantë dhe ka një ngjyrë kaq të qartë, për shkak të nivelit të lartë të kalciumit që kanë gurët nën të.

Por, kjo ngjyrë ka filluar të zbehet tashmë. Në mes të lumit të Valbonës, një digë e ngritur në zonën pranë Qukut të Valbonës afër mullirit e ka prerë lumin në mes. Anash është krijuar një pellg, që ka filluar të marrë ngjyrë ndryshku. Një pjesë e lumit do të futet në një kanal, tashmë të mbaruar, dhe do të shkojë në turbinat e hidrocentralit që është ndërtuar pak më poshtë. Kanali prej betoni, disa metra i lartë, është ndërtuar buzë rrjedhës për disa kilometra deri sa të bashkohet me digën e HEC-it të dytë, i cili ndodhet në mes të një kantieri të madh në zonë.

Gjendja e lumit Valbonë përfaqëson “hidrocentralizimin” e përgjithshëm në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Numri i saktë i kontratave koncesionare dhe hidrocentraleve është i paqartë, shifrat e qeverisë shqiptare tregojnë një sërë kontratash nga 440 deri në 540 hidrocentrale, prej të cilave, ndërmjet 96 dhe 147 janë ndërtuar dhe po funksionojnë tashmë. Numri i saktë i hidrocentraleve në lumin e Valbonës është po aq i paqartë. Shoqata TOKA ka zbuluar ekzistencën e kontratave për 14 hidrocentrale në Luginën e Valbonës, tetë prej të cilave janë në zonën e mbrojtur. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës e ka klasifikuar Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës si zonë e mbrojtur e Nivelit II që nga viti 1996 dhe Parku është në Rrjetin Emerald, sipas Konventës së Bernës.

Tre kompani morën koncesione për ndërtimin e 14 hidrocentraleve në fjalë në Valbonë. Burime zyrtare të Dragobia Energy Sh.P.K., tërësisht në pronësi të Gener 2, bëjnë të ditur se projekti përbëhet nga 4 hidrocentrale, por kompania aktualisht po ndjek vetëm 2 prej tyre. Tplani Sh.P.K, përgjegjëse për ndërtimin e hidrocentralit më të vogël, që është në ndërtim e sipër që nga viti 2013. Kompania e Valbona Project ka koncesione për 9 hidrocentrale, 3 prej të cilëve janë në zonën e parkut të mbrojtur kombëtar.

Marrëveshjet koncesionare të nënshkruara me kompaninë e Valbona Project kanë marrë kritika pasi u nënshkruan në fund të administratës së Berishës, kur Partia Demokratike kishte humbur zgjedhjet kombëtare, por para se koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste të betohej (të merrte detyrën).

Kompania Gener 2 i pohoi “Monitor” se, projekti do të prodhojë një kapacitet prej 22 MW dhe vlera e investimit deri tani ka arritur në 28 milionë euro. Mbi 22,000 familje do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prodhimi i energjisë elektrike nga operimi i të dy HEC-eve.
HEC-et e Dragobisë dhe Ceremit do të jenë funksionalë vetëm gjatë periudhës së reshjeve dhe prodhimi i energjisë do të varet nga ujërat e tepërt sezonalë.

Uji ka ndryshuar ngjyrë nga mosrrjedhja

Më pak turistë në Valbonë

Vitet e fundit, numri i turistëve që po vizitojnë vendin, është rritur me ritme dyshifrore. Për periudhën janar-gusht 2019, numri i vizitorëve të huaj në vend u rrit me rreth 10% në raport me një vit më parë, por për Valbonën destinacioni parë turistik për të huajt bashkë me Thethin, nuk ka qenë e njëjta ecuri. Vitet e tjera, livadhet ishin plot me çadra e kampera turistësh, bujtinat plot gjithashtu.

Si një vizitore e rregullt e Valbonës, në dekadën e fundit, u ndjeva disi e habitur nga qetësia jo e zakontë në shtigjet e alpeve. Por vendasit i kanë disa shpjegime. Astriti, menaxheri i një prej bujtinave kryesore në Valbonë thotë se, punimet në HEC-e, që nisin që në fillim të luginës deri në krye të saj, përveçse kanë dëmtuar peizazhin, kanë qenë të zhurmshme dhe me ndotje të mjedisit. Punimet në HEC-e i kanë frenuar disa agjenci çeke dhe polake të sjellin turistë së fundmi, gjithashtu disa gjermanë dhe izraelitë që vinin disa herë në vit, nuk po vijnë më. Por zgjedhjet dhe kriza politike duket se kanë penguar popullimin e Valbonës me turistë gjithashtu. Banorët e zonës, të cilët kanë kundërshtuar punimet në HEC-e, shpesh janë ndier në presion nga grupet e interesit.

Nisur nga këto shqetësime, në fillim të këtij viti, Qendra për të Drejtat e Njeriut të Shoqatës së Avokatëve Amerikanë hetoi rreth raportimeve që aktivistët dhe anëtarët e komunitetit, të cilët kundërshtonin përhapjen e hidrocentraleve në Valbonë, Shqipëri, po përballeshin me presione të vazhdueshme nga aktorët e shtetit dhe të kompanisë.

Gjysma e të intervistuarve treguan se numri i hidrocentraleve dhe procesi i ndërtimit ka pasur ndikim negativ në turizëm, me numrin e vizitorëve në rënie të vazhdueshme. Afër 60% e të intervistuarve raportuan se turizmi i ngadalësuar ka ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e tyre familjare, si pasojë e rënies së punës në restorante dhe si guida turistike gjatë verës, nga ulja e kërkesës për akomodim në Parkun Kombëtar dhe gjithashtu uljes së kërkesës për prodhime bujqësore si qumështi, mishi, mallra bujqësore, peshku dhe boronicat e mbledhura që shiten në restorante dhe tek turistët. Një mendim i përbashkët mes shumicës së të intervistuarve ishte se këto ndikime negative mbi turizmin dhe ekonominë lokale do të vazhdojnë të përkeqësohen në të ardhmen, nëse hidrocentralet e planifikuara do të ndërtohen dhe për shkak të ndikimit të ndërtimit aktual.

Rrjedha natyrale e ujit

Studimi i pavarur evidenton dëmet mjedisore të HEC-eve

Një studim i pavarur mjedisor, që mban firmën e 10 ekspertëve mjedisorë, shumica biologë dhe profesorë të shkencat e natyrës dhe mjedisit, ka gjetur një mori dëmesh që do t’i shkaktohen florës dhe faunës së zonës nga ndërtimi i HEC-ve. Studimi gjeti gabime të rënda në studimin zyrtar mjedisor të vitit 2013, që u hapi udhë ndërtimit të objekteve.

Ekspertët e pavarur në kërkimin e tyre shprehen se “raporti zyrtar i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk trajton ndikimin e drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, që do të ketë ky investim në zhvillimin e turizmit të zonës, duke konsideruar që një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve mbështeten në ekoturizëm. Raporti, në të njëjtën kohë, përmend në mënyrë të vagët përfitimet konkrete të komunitetit nga ky investim”.

Ekspertët e pavarur kanë vërtetuar se devijimet e ujit (përmes tuneleve) dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme. Rrjedha e ujit është përcaktuesi kryesor i mjedisit fizik në lumenj dhe përrenj, e cila, nga ana e saj, është një përcaktues kryesor i përbërjes biotike (Ndikimi i rrjedhës dhe ndryshimit të habitateve te bimët ujore dhe ato përreth shtratit lumor.
Në Luginën e Valbonës, gjenden disa specie endemike bimore dhe shtazore, si dhe disa habitate të rëndësishme ose prioritare të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare (Konventa e Bernës, Direktiva e Habitateve) ose lloje të rrezikuara në shkallë globale. Por kompania Gener 2 e cila është duke ndërtuar HEC-in më të madh thotë se ka hartuar dhe po vijon implementimin e një plani gjithëpërfshirës të menaxhimit në mjedis dhe rehabilitimit.

Ky plan, sipas saj, parashikon zbatimin e një sërë masash të cilat do të optimizojnë projektin, në favor të komunitetit, si dhe do të ndjekë një hierarki veprimesh lehtësuese për të shmangur dhe për të zvogëluar ndikimin mjedisor: kontrollin dhe mbrojtjen nga erozioni, menaxhimin e ekologjisë, parandalimin e ndotjes, menaxhimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave të prekura nga gjurma e projektit, menaxhimin e burimeve natyrore, menaxhimin e shërbimeve komunale dhe infrastrukturës, si dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore në zonë.

Kanali ku do të futet një pjesë e lumit

Bimë të rralla, të kërcënuara

Studimi i pavarur mjedisor ka gjetur se një ndër bimët e rralla që rrezikojnë zhdukjen nga ndërtimi i HEC-eve janë Alchemilla albanica, Ligusticum albanicum, me interes jo vetëm kombëtar, por edhe më të gjerë, Edraianthus serpyllifolius, specie subendemike etj.

Në Përroin e Motinës gjendet Orobanche krylovii, me rëndësi ruajtjeje globale, e cila për të gjithë Europën ndodhet vetëm në këtë territor; Lunaria telekiana dhe Wulfenia carinthiaca, me interes të lartë ndërkombëtar ruajtjeje për shkak të rëndësisë së tyre nga pikëpamja fitogjeografike dhe përhapjes së kufizuar.

Alchemilla albanica Rothm, kjo specie endemike, është e përshkruar qysh në vitin 1937. Specia është e vlerësuar si e rrezikuar me statusin në listën e kuqe të florës dhe faunës. Gjendet vetëm në Rrashtin e Rragamit. Gjithashtu numërohen rreth 50 lloje bimësh dhe lulesh të rralla në rang global që rrezikojnë zhdukjen. Më ndërtimin e HEC-eve, ekzistenca e tyre cenohet seriozisht, shprehen ekspertët.

Amfibë dhe zvarranikë të rrallë dhe të kërcënuar

Studimi i pavarur mjedisor ka gjetur edhe disa lloje zvarranikësh dhe amfibësh që kërcënohen nga denatyrimi e rrjedhës së ujit. Rrezikohet bretkosa barkverdhë, specie e mbrojtur nga Konventa e Bernës. Hardhuca e shkathët e cila mbrohet nga e Konventa e Bernës. Bretkoca e përrenjve, e cila gjendet në të gjitha rrjedhat ujore të përrenjve në zonën ku do të ndërtohen HEC-et, e cila është specie e mbrojtur gjithashtu nga Konventa e Bernës.
Tritoni me kreshtë i Ballkanit është një tjetër specie e mbrojtur nga Konventa e Bernës dhe direktiva e habitateve.

Peshq të rrallë dhe të kërcënuar

Në lumin e Valbonës dhe përrenjtë e tjerë që derdhen në të rriten disa lloj peshqish, ku ndër më kryesorët është trofta e malit. Studimi mjedisor i pavarur ka gjetur se, kolonitë e peshqve janë të rrezikuar seriozisht nga ndërtimi i HEC-eve. Trofta e mermertë ose kryemadhe është shumë e rrallë në Valbonë. Mund të haset nga Dragobia e deri në bashkimin e Valbonës me liqenin e Fierzës. Krahas kërcënimeve të tjera, mbijetesa bëhet e pamundur në kushtet e sasisë së pakët të ujit, të temperaturës së lartë dhe uljes së oksigjenit të tretur.

Trofta e malit është shumë e pranishme në të gjithë gjatësinë e lumit të Valbonës. Kjo është specie tipike e ujërave të ftohta. Specia përbën llojin kryesor lumor dhe me perspektiva të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit duke u shoqëruar me programe popullimesh sipas (Shumka, 2013). Gjithashtu Telestes montenegrinus, specie peshku endemik i Ballkanit, i pranishëm në tributarët e Dragobisë. Ky lloj kërcënohet nga zvogëlimi i sasisë së ujit në rrjedhë. Një specie peshku e pranishme në tributarët e Dragobisë dhe tipike për ujëra të pastra dhe të ftohta me sasi të lartë oksigjeni të tretur rrezikohet.

Në kushtet e ndërtimit të HEC-eve, specia rrezikon mbijetesën e saj. Phoxinus lumaireul është një specie peshku tipike e ujërave të oksigjenuar mirë, bazuar në biologjinë dhe riprodhimin gjatë muajit korrik (kur nivelet e ujit në situatën e ndërtimit të HEC-eve zvogëlohen) mund të cenohet ndjeshëm. Ngjala, e cila ka qenë e pranishme edhe në Valbonë. Pas digave mbi lumin Drin, prej viteve 1970, është dëmtuar seriozisht, teksa vetëm pak prej tyre mund të gjenden rastësisht, të cilat rrezikojnë të zhduken me ndërtimin e HEC-eve.

Por kompania Gener 2 pohon se një aspekt shumë i rëndësishëm i projektit, i cili lidhet drejtpërdrejt me menaxhimin e biodiversitetit, është ndërtimi i FISH-Pass-it, një investim prej 800,000 euro, i pari i realizuar nga një investitor shqiptar. Ky kalim i veçantë, mundëson kalimin pa pengesa të peshkut, ruajtjen dhe zhvillimin e tij.

Shpendë dhe gjitarë të rrallë të kërcënuar

“Falco cherrug” është një lloj fajkoi, specie e rrezikuar sipas Listës së Kuqe të IUCN në nivel global, ndërsa në nivel kombëtar është specie e rrezikuar në mënyrë serioze. Mëllenja e ujit është një lloj i mbrojtur nga Konventa e Bernës. Rrëqebulli i Ballkanit mbrohet nga Konventa e Bernës. Lundërza, gjithashtu është një gjitar ujor seriozisht i kërcënuar dhe në listën e kuqe të vendit, i mbrojtur gjithashtu nga Konventa e Bernës, që kërcënohet nga zvogëlimi i sasisë së ujit në rrjedhë. Ariu, një lloj i mbrojtur nga Konventa e Bernës (Shtojca II) dhe Direktiva e habitateve të BE-së. Është e dokumentuar se ky lloj ariu riprodhohet në zonën ku po ndërtohet tuneli përgjatë lumit të Çeremit.

Kanali i Çeremit

Dëmtohen lumenjtë alpinë dhe bimësia barishtore përgjatë brigjeve të tyre

Në brigjet e lumit ku po ndërtohen HEC-et gjenden habitate me bimë barishtore shumëvjeçare, të cilat rriten përgjatë rrjedhës së ujit, ndërsa përbërja gjeologjike e substratit është përgjithësisht gëlqeror. Ky tip habitati, më në lartësi zëvendësohet dhe sundohet nga prania e Shelgut të Zi. Bimësia e lumenjve përfaqësohet nga formacione shelgjesh dhe vërri.

Shtrati lumor është habitat i shkëlqyer i populluar dendur nga alga e praruar fijezore Hydrurus foetidus, tipike në këto mjedise me ujë të ftohtë, të pastër, të rrëmbyeshëm dhe të bollshëm. Janë këto kushte që bëhen strehë për alga të tjera pak të përhapura, si alga e kuqe Lemanea, dhe shumë alga mikroskopike silicore, që gjenden vetëm në këta lumenj (Valbonë, Vermosh, Çajë, dhe pjesët më malorë të lumenjve Mat, Bulqizë etj.)

Studimi i pavarur mjedisor thotë se ndryshimi i rrjedhës së ujit ndikon fillimisht te ky grup prodhuesish parësorë, që me siguri do të pasohet edhe në hallkat e tjera të zinxhirit ushqimor ujor, invertebrorë, zvarranikë, amfibë, peshq dhe gjitarë të përmendura këtu, shumë prej të cilave janë të rralla dhe kërcënuar në shkallë vendi apo globale. Këto habitate duhet të mbrohen si habitateq që strehojnë Troftën e Malit (Salmo trutta fario) dhe troftën e mermertë. Shtrati lumor i këtyre habitateve është i rëndësishëm edhe për krimbat e rrumbullakët, gjarpërinjtë, salamandrën, bretkosat etj.

Rrezikohen pyjet

Ky tip habitati me përparësi është i përhapur në formë copëzash në pjesën ku do të ndërtohet tuneli i marrjes së ujit në Luginën e Valbonës. Habitati gjendet në lartësitë 300-1000 përgjatë luginës. Speciet identifikuese të këtij habitati janë Bliri gjethegjerë dhe Vidhi. Habitati preferon mjediset e ftohta dhe me lagështi, është gjithashtu tolerues ndaj hijezimit. Bimësia sundohet nga specia Panja gjethe rrap. Në faqet shkëmbore të habitatit dhe në çeltirat midis pyllit gjenden speciet e rralla dhe të rrezikuara si shkurre të rrezikuara që mbrohen nga Direktiva e Bernës.

Pyjet me Hormoq (Picea abies) në Alpet Shqiptare, gjenden në Luginën e Valbonës, ku formojnë një enklavë edafike në faqet e ujëmbledhësit të luginës, si mbetjet më jugore të periudhës së akullnajave. Formacionet me bredh dhe hormoq janë të një rëndësie të veçantë nga pikëpamja fitogjeografike, kurse Bredhi i Bardhë është pjesë e Listës së Kuqe (Ministria e Mjedisit, 2013). Hormoqi është specie mjaft e ndjeshme ndaj mungesës së lagështisë ajrore, kështu që ndërtimi i hidrocentralit dhe devijimi i ujit në tunele do të zvogëlojë lagështirën ajrore në luginë, prandaj ndikimi negativ në rastin e këtij habitati është direkt, pavarësisht se shtrihet pak më lart se sa vepra e marrjes së ujit. Ndërtimi i HEC-eve do të kërcënojë deri në zhdukje edhe llojin tjetër mjaft të rrallë dhe të mbrojtur nga Ministria e Mjedisit.

Pyjet frigoriferike me pishë endemike ballkanike të Rrobullit dhe pishën relikte të Arnenit, janë me interes fitogjeografik (si për biologjinë dhe gjeografinë), sepse janë specie relike. Ekspertët mjedisorë vërejnë se tjetërsimi i rrjedhës së ujit nga HEC-et do të zvogëlojë sasinë ajrore të lagështirës që, për pasojë, do të shoqërohet me rritjen e temperaturave në pellg, si rrjedhojë pyjet halorë të luginës rrezikohen të zhduken.

Invertebrorë të rrallë të kërcënuar

Një molusk endemik rrezikon zhdukjen, pasi gjendet vetëm në Luginë, jetesa e të cilit është e lidhur direkt me ujit. Flutura (Krahë-endur), e cila gjendet vetëm burimet e Rragamit. Një lloj i karabishtit, i rrezikuar në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, gjendet në Pyjet e Ahut në Dragobi. Mungesa e lagështirës në mjedis e rrezikon seriozisht. Aricia anteros, një flutur e rrezikuar në nivel europian. Gjithashtu insekti Parnassius apollo që gjendet në pjesën e lumit që prekin hidrocentralet rrezikon zhdukjen. Janë së paku është tre lloje të vjetra fluturash që gjenden në listën e kuqe shqiptare dhe europine, pasi janë të rralla dhe në rrezik zhdukje.

Ndërtimi i HEC-eve, aktet ligjore me të cilat bien ndesh

Shoqata Toka, e cila drejtohet nga biologia amerikane Catherine Bone në bashkëpunim me shoqatat e mjedisit dhe ekspertë ligjorë, ka gjetur një sërë shkeljesh ligjore me të cilat është shoqëruar ndërtimi i HEC-eve në lumin Valbonë dhe degëzimet e saj. Shoqata Toka e ka ndërkombëtarizuar situatën në zonën e mbrojtur, duke argumentuar se në Nenin 59 të Kushtetutës, sanksionohet se shteti shqiptar duhet të synojë për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe për shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe pasurive të tjera natyrore, mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

Shoqata ka argumentuar gjerësisht se ndërtimi i HEC-eve në Valbonë bie ndesh me ligjin “Për zonat e mbrojtura”, me VKM e vitit 2008 “Për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, me VKM e vitit 2012 “Për të drejtën e publikut për të pasur qasje në informacionin mjedisor” me VKM e vitit 2014, “Për përcaktimin e rregullave dhe kërkesave të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”. Ndërtimi i objekteve ka shkelur gjithashtu ligjet për “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”, ligjin “Për lejet mjedisore” i ndryshuar, ligjin “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin “Për nëpunësin civil” të ndryshuar (i cili specifikon “detyrimin për transparencë dhe konfidencialitet”). Përveç detyrimeve të brendshme, qeveria shqiptare Shqipëria është palë në traktatet dhe konventat e shumta ndërkombëtare me detyrime të caktuara mjedisore sidomos për mbrojtjen e florës dhe faunës që është kërcënuar globalisht.

Diga në mes të lumit të Valbonës ku futet uji i kanalit të Çeremit

GENER 2: Ja plani ynë për mbrojtjen e mjedisit në Valbonë

Deri më sot është realizuar 90% e projektit, janë blerë turbinat dhe tubacionet e presionit, janë përfunduar të gjitha punimet në shtratin e lumit, si dhe janë realizuar 80% e punimeve në tunele. Paralelisht, me punimet për ndërtimin e HEC-eve vijon edhe implementimi i planit të rehabilimit në zonë.

Vlen për t’u theksuar se Gener 2, me nismën e tij dhe duke marrë në konsideratë ndikimin që do të kishin në mjedis, ka reduktuar gjurmën e projektit në 65%, duke ulur madhësinë fillestare të projektit nga 4 në 2 HEC-e pohoi në një qëndrim zyrtar për “Monitor”, kompania Gener 2, e cila është duke ndërtuar HEC-in më të madh në zonë.

Cilët janë projektet e hidrocentraleve që kompanitë e grupit Gener 2 po zbatojnë aktualisht në lumin e Valbonë. Sa është vlera e investimit dhe kapaciteti i pritshëm?

Gener 2 po zbaton projektin e HEC Dragobisë dhe Çeremit që janë nën një kontratë të vetme koncesionare të formës BOT. Projekti do të prodhojë një kapacitet prej 22 MW dhe vlera e investimit deri tani ka arritur në 28 milionë euro. Mbi 22,000 familje do të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prodhimi i energjisë elektrike nga operimi i të dy HEC-eve. HEC-et e Dragobisë dhe Çeremit do të jenë funksionalë vetëm gjatë periudhës së reshjeve dhe prodhimi i energjisë do të varet nga ujërat e tepërt sezonalë.

Në çfarë faze ka arritur ndërtimi i hidrocentraleve dhe kur pritet që të fillojë prodhimi?

Puna për ndërtimin e HEC-eve dhe ngritja e infrastrukturës së shpërndarjes pritet të përfundojë në muajt e ardhshëm. Deri më sot, është realizuar 90% e projektit, janë blerë turbinat dhe tubacionet e presionit, janë përfunduar të gjitha punimet në shtratin e lumit, si dhe janë realizuar 80% e punimeve në tunele. Paralelisht me punimet për ndërtimin e HEC-eve vijon edhe implementimi i planit të rehabilitimit në zonë. Vlen për t’u theksuar se Gener 2, me nismën e tij dhe duke marrë në konsideratë ndikimin që do të kishin në mjedis, ka reduktuar gjurmën e projektit në 65%, duke ulur madhësinë fillestare të projektit nga 4 në 2 HEC-e. Konform standardeve ndërkombëtare ISO14001:2015, kompania ka hartuar dhe po vijon implementimin e një plani gjithëpërfshirës të menaxhimit në mjedis dhe rehabilitimit.

Ky plan parashikon zbatimin e një sërë masash, të cilat do të optimizojnë projektin në favor të komunitetit, si dhe do të ndjekë një hierarki veprimesh lehtësuese për të shmangur dhe për të zvogëluar ndikimin mjedisor: kontrollin dhe mbrojtjen nga erozioni, menaxhimin e ekologjisë, parandalimin e ndotjes, menaxhimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave të prekura nga gjurma e projektit, menaxhimin e burimeve natyrore, menaxhimin e shërbimeve komunale dhe infrastrukturës, si dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore në zonë.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i projektit i cili lidhet drejtpërdrejt me menaxhimin e biodiversitetit është ndërtimi i FISH-Pass-it, një investim prej 800,000 eurosh, i pari i realizuar nga një investitor shqiptar. Ky kalim i veçantë, mundëson kalimin pa pengesa të peshkut, ruajtjen dhe zhvillimin e tij. Po ashtu, për të eliminuar grumbullimin e sedimenteve, veprat e marrjes të HEC-eve janë projektuar të pajisura me portat e shpëlarjes. Këto porta do të hapen periodikisht për të lejuar sedimentet të vazhdojnë të rrjedhin lirisht në pjesën e poshtme të lumit, duke ruajtur kësisoj ekosistemin.
Po ashtu, Gener 2, ka hartuar dhe po zbaton planin e rehabilitimit të mjedisit, i miratuar nga AKZM, më datë 31.08.2017.

Ky plan, përfshin rehabilitimin e: zonave të eroduara për shkaqe natyrore, zona të eroduara nga faktori antropogjen, rehabilitimin e shesheve për nevoja të komunitetit si dhe mbjelljen e sipërfaqeve të prekura nga gjurma e projektit. Deri në këto momente, janë mbjellë mbi 64,000 metra katrorë fidanë bliri, lajthie dhe shkoze, janë rehabilituar zona si Livadhi i Zekajve apo Përroi i Petishit, si dhe është kryer sistemimi i shtratit të lumit (mbrojtje lumore) në fshatin Valbonë. Në kontekstin e menaxhimit socialo-mjedisor dhe përmirësimit të infrastrukturës, kompania ka vënë në zbatim një plan rigoroz të përgjegjësisë sociale, ku deri tani janë kryer: rehabilitimi i rrugës Çerem – Markofshë, rehabilitimi i kanalit të vaditjes të fshatit Dragobi, vendosja e linjës elektrike (për herë të parë) nga Dragobia në Çerem, rehabilitimi dhe sistemimi i kanalit të vaditjes të fshatit Dragobi, rehabilitimi i veprave të artit në fshatin Valbonë (ndërtimi i urës lidhëse në Mullirin e Vjetër) si dhe pajisja me mjete shkollore të shkollës së fshatit Dragobi.

Në aspektin e krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të biznesit të zonës, janë krijuar mundësitë për personat dhe bizneset vendorë për të përfituar drejtpërsëdrejti, ose tërthorazi, nga veprimtaritë e projektit. Më konkretisht, 40% e punonjësve të punësuar në këtë fazë janë banorë të zonës dhe mbi 20 biznese vendore janë të përfshirë në kontrata të ndryshme shërbimi në projekt. Në arkitekturën e godinave, ku do të vendosen turbinat e HEC-eve, janë përdorur vetëm materiale guri në harmoni të plotë me panoramën natyrore dhe karakteristikat tradicionale të zonës.

Aktualisht mbi lumin e Valbonës janë ngritur disa diga. Sipas vlerësimit që keni bërë ju, cili do të jetë efekti në mjedis i ndërtimit të digave?

Mbi lumin e Valbonës po ngrihen 2 HEC-e me derivacion, me prita dhe jo me diga. HEC-et me pritë, sikurse ato në Valbonë, kanë ndikim minimal, pasi lejojnë ujin të rrjedhë sipër tyre, duke devijuar një sasi në tunele hidroteknike (nën tokë). Ato janë ndërtuar në funksion të veprës hidroenergjetike, por njëkohësisht duke ruajtur tipologjinë e lumit (shkëmbinj natyrorë mbi shtrat).
Të dy HEC-et do të përcjellin ujin nëpërmjet tuneleve dhe tubacioneve nëntokësorë, duke bërë të mundur që në mbarim të tij, projekti të mos cenoje aspak panoramën e zonës.

Nëse mund të përshkruani si do të funksionojnë digat (a do të ketë ndërprerje të rrjedhës për shkak se uji do të futet në tuba, sa për qind e ujit do të kalojë nëpër tuba, çfarë efekti do të ketë kjo tek ekosistemi, për shembull shumimi i peshqve, efekti mbi bimësinë, etj.)?

Elementi më i rëndësishëm i projektit, i cili garanton që lumi nuk thahet, është ruajtja e rrjedhës ekologjike, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit dhe ruajtja e një mjedisi të shëndetshëm dhe të paprekur të florës dhe faunës. Rrjedha ekologjike nuk përcaktohet nga ne, por nga ekspertë të jashtëm dhe është e shpjeguar edhe në legjislacion. Kjo do të thotë që uji nuk merret si përqindje e rrjedhës, por merret me vlera specifike dhe kjo bëhet vetëm pasi të jenë plotësuar nevojat njerëzore, ato për ujë të pijshëm dhe vaditje, të cilat kanë precedencë mbi prodhimin e energjisë.
Turbinat në projektin tonë mund të vihen në punë, vetëm nëse sasia e ujit që kalon në to është sa dyfishi i rrjedhës ekologjike.

Në tërësi, si do të ndikojë ndërtimi i pritave dhe kalimi i ujit në tuba në rrjedhën e lirë të lumit Valbonë dhe natyrën që e rrethon, rrjedhimisht dhe në turizmin, që është një nga burimet kryesore të jetesës së banorëve të zonë?

Çdo aktivitet njerëzor ka ndikim në mjedis. P.sh., hotelet e ndërtuara në luginën e Valbonës, me gjithë trafikun njerëzor, makinat, mbetjet e gjeneruara, derdhjet e ujerave të zeza në lum, etj., gjithashtu kanë një ndikim shumë të madh në ekosistem. Ka një studim të Kombeve të Bashkuara që referon mbi faktin sesi turizmi në ambiente si Valbona ka ndikimin më negativ në një ekosistem. Kjo nuk do të thotë që duhet ndaluar turizmi, por zhurma ndaj HEC-eve e heq vëmendjen ndaj një rreziku më të madh. HEC-et me derivacion, siç është tipologjia e dy HEC-eve në lumin Valbonë, kanë ndikimin më minimal në mjedis dhe ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme në përmbushjen e këtij qëllimi. Është e natyrshme që në këtë fazë ndërtimi (si çdo vepër tjetër) panorama nuk është fort e këndshme, por kjo është vetëm e përkohshme.

Ekonomia shqiptare ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm, si në sektorin energjetik ashtu dhe në turizëm dhe asnjëra fushë nuk mund të zhvillohet në kurriz të tjetrës. Ne kemi ekspertizën tonë në terren, të cilët janë të angazhuar në zgjidhjen e disa problematikave në zonë dhe që kanë të bëjnë me erozionin, mungesën e internetit, rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara (përpos sa përmendur më sipër), përmirësimin e pikave turistike, ndihmë për të zhvilluar ambientet e private etj. Dhe në fakt kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me një pjesë të banorëve të zonës, përpos disa përpjekjeve të vazhdueshme kur janë prerë nga persona të paidentifikuar fidanë të sapombjellë nga kompania, në zbatim të punimeve për rehabilitimin e parkut.
Po ashtu, dëshirojmë të falënderojmë të gjithë banorët e zonës të cilët pavarësisht pozicionit që kanë mbajtur, nëpërmjet kritikave të tyre na kanë dhënë mundësinë të kuptojmë dhe ndërmarrim veprime dhe masa korrigjuese mbi shqetësimet e tyre.

Ne ritheksojmë dhe garantojmë që, përtej zhurmës së krijuar, nuk do të ketë tharje uji, lumi do të ruajë një sasi të konsiderueshme rrjedhe natyrale dhe nevojat parësore njerëzore për ujë të pijshëm dhe vaditje do të prevalojnë mbi prodhimin e energjisë elektrike.

A keni në plan të ndërtoni edhe dy HEC-et e tjera sipas kontratës që është në fuqi?

Sikurse nënvizuam në fillim, vetë kompania me nismën e saj dhe në respekt të ndjeshmërisë mjedisore, ka hequr dorë nga dy projektet fillestare duke reduktuar gjurmën e projektit nga 4 në 2 HEC-e. Ne jemi të ndërgjegjshëm ndaj çdo ndikimi mjedisor sado minimal, dhe në respekt të çdo standardi mjedisor ndërkombëtar jemi duke marrë masa për të përshtatur ndërtimet tona me mjedisin përreth, duke ruajtur natyrën dhe çdo pasuri natyrore në Shqipëri. Nëpërmjet zgjidhjeve të gjetura dhe ndërtimeve me standardet më të larta, ne japim kontributin tonë për përmirësimin e jetës së shqiptarëve, jo vetëm për sot, por dhe për brezat ne vijim. /monitor/

Lajme te ngjashme