Home Aktualitet Elvis Naçi nuk është Kryeministri

Elvis Naçi nuk është Kryeministri

nga Albina Hoxhaj

Nga Erl Kodra

“After writing”

Dje shkrova një tekst për Mustafa Nanon. Sigurisht, ato që shkruaj kanë një arsye, dhe shkaku ishte përqeshja e tij ndaj Elvis Naçit. Në fakt një përqeshje e pështirë, si shumë gjeste të tjera të mëhershme të këtij individi, me gjërat më të rëndësishme të shqiptarve.

Sikur Mustafa Nano të ishte një person dosido, me siguri që nuk do të shkruaja një tekst të tillë. Por jo, Nano është një gazetar që ka zë në publik, sepse Mustafai shfaqet rregullisht në media, ka një program në një televizion publik, dhe jep opinione për gjithçka; për politikën, ekonominë, letërsinë, teatrin, shoqërinë civile, fenë, historinë, gjeopolitikën. Dhënia e opinioneve nuk është e keqe në vetvete, por kinse provokimet janë të papranueshme. Megjithatë, ajo çfarë dua të them sot, nuk ka lidhje me Mustafa Nanon.

Shumë njerëz e pëlqyen, e komentuan dhe e shpërndanë tekstin tim. Jam mirënjohës pafund ndaj çdonjërit që vlerëson tekstet e mia. Dhe më besoni, se nuk ka shpërblim më të madh për një autor se sa vlerësimi nga ata që e lexojnë.

Por ajo që doja të ndaj me ju sot është diçka tjetër; qasja e disa komentuesve ndaj Elvis Naçit dhe punës së tij në ndihmë të shqiptarëve të pamundur. Një përgojim i padenjë kundër një ndër punëve më fisnike që mund të bëjë një njeri, qoftë edhe klerik.

Elvis Naçi ka nxjerrë nga humnera njerëz të pashpresë që shteti shqiptar i kishte braktisur totalisht. Njerëz pa asnjë shpresë se mund të bëjnë ndonjëherë jetë dinjitoze; jetimë, sakatë, gra të veja, familje që jetonin në shpella, fëmijë të braktisur. Përmasat e tragjedive që kemi ndjekur drejtëpërsëdrejti janë të atyre përmasave, sa vështirë që të mos preknin edhe gurin. Me punën e tij Elvis Naçi ia ka dalë të nxjerrë nga ferri ekzistencial shumë qenie njerëzore.

Kaq mjafton për të admiruar veprën e këtij njeriu.

Në dijeninë time, të gjitha këto realizohen nga donacionet e shqiptarve, të cilët dhurojnë bujarisht. Me sytë e mi kam parë njerëz me zemër të madhe që kanë dhuruar edhe shtëpi; pensione, orendi, ose mjete të tjera. Dhe të gjitha këto realizohen me një slogan domethënës:
Shqiptarët për Shqiptarët!
Për fat të mirë Elvis Naçi nuk është vetëm, por në kushtet e një shteti antihuman, njerëz të tjerë, me dovocion të thellë po përpiqen të shpëtojnë shqiptarët nga humnera e mjerimit.
Unë do ju lutesha vetëm për një moment të mendoni se si mund të ishte fati i atij adoleshentit nga Shkodra që kishte ra në gjendje kome, për të cilin u mblodhën rreth 40 mijë euro, dhe u mundësua shpëtimi i tij dhe riaftësimi?! A do të ishte sot në jetë ai djalë i ri, nëse Elvis Naçi nuk do të bënte thirrje shqiptarve që ta ndihmonin?!

Disa komentues thonë se ku i merr financat Elvisi?! Një pyetje “naive” në dukje, por e ndyrë në thelb. Nuk ka nevojë për përgjigje!

Disa thonë se Elvisi vjedh dhe nuk ka transparencë?!
Përsëri një aludim dashakeq, që nuk meriton përgjigje!

Disa thonë se ai nuk tregon donatorët?!
Përsëri aludim i neveritshëm, sepse donatorët janë shqiptarët.

Unë nuk mund të bëj revizonimin e financave të Elvis Naçit, por nëse keni një fakt, jo shpifje, por fakt, bëjeni publik dhe çirrjani maskën atij. Përndryshe, heshtni dhe mos ndyeni gjestin më humanist të këtij njeriu.

Unë nuk vlerësoj Elvis Naçin si klerik, megjithse unë nuk jam besimtarë i devotshëm, madje, nuk besoj sipas besimeve të njohura. Unë thjesht besoj në një fuqi të mbinatyrshme, por jo sipas Muhametit Alej Selam ose Jezu Krishtit. Thjesht besoj në një fuqi universale. Fundja besimi në religjon është krejt personal, dhe nuk kam ndërmend ta ndajë me askënd në botë.

Unë Elvis Naçin e vlerësoj nga vepra e tij me përmasa të jashtëzakonshme humane. Unë e di se nëse Elvis Naçi nuk do të angazhohej në këtë aktivitet human, të jeni të sigurtë se shumë nga ata njerëz sot do të vazhdonin të gjendeshin në humnerën e errët të mjerimit, të harruar nga një shtet dhe një shoqëri që tenton të duket puritane.

Mbaj mend se një natë, bashkë me Elvisin u shqaq edhe Edi Rama, dhe premtoi se do të dhuronte një shtëpi. Po të isha në vend të Elvisit, nuk do ta pranoja ndihmë nga Edi Rama, por do ta denoncoja atë. Unë ndoshta gabohem, gjithsesi.

Në të vërtetë, ata që flasin për financat e ndihmave të Elvis Naçit, a shqetësohen ndonjëherë për revizionimin e financave publike, se ku shkojnë paratë e Buxhetit e Shtetit? A e besoni vërtetë se Edi Rama nuk vjedh?!

Luani vendit njerëz! A mund ta lini mënjanë qoftë edhe për një moment cinizmin tuaj?!

Lajme te ngjashme