Home Aktualitet Inkursioni i Bablokut në media, roli i Gëbelsit të tij dhe përralla e fundit me terroristë

Inkursioni i Bablokut në media, roli i Gëbelsit të tij dhe përralla e fundit me terroristë

nga Editor

Edi Rama harron se e vërteta është nga ato organizma jetikë që nuk vdesin kurrë. Ndoshta e vërteta vonon, por e gjen gjithmonë rrugën drejt dritës. Prandaj, në vend që të zhytet thellë e më thellë, Edi Rama do të bënte mirë të kërkonte shpëtimin e vet. Aq shumë sa është fundosur do ta ketë të vështirë të dalë në sipërfaqe, por më mirë vonë së kurrë. Më mirë tërhiqu tani Z. Rama sesa ta lesh për më vonë, atëhere kur as Zoti nuk të bën dot më derman.

Shkruan Gjergj Zefi

Çmenduria e Edi Ramës ka arritur kulmin. I zhytur deri në fyt në llum, i mposhtur nga fundërrinat që mban afër, nga marrëveshjet me mafiozë që nuk e lejojnë më të ketë kthim pas, nga veset dhe detyrimet e parave të dhëna oligarkëve të tij, Kryeministri ka gjetur vetëm një zgjidhje si mbijetesë: të blejë çdo media që i ka mbetur një fije zëri lirie dhe nëse nuk ia del, t’i sulmojë me fushata shpifjesh dhe në fund ti kërcënojë me mbyllje. Por Rama harron diçka…

Edi Rama e ka futur veten prej kohësh në një rrugë pa kthim. Vetëm gjashtë vite pushtet kanë mjaftuar që kryeministri i shqiptarëve të lidhet kaq shumë me mafian dhe krimin, të shpërdorojë kaq keq paratë e shqiptarëve duke krijuar një klikë oligarkësh që nuk lëshojnë pe, është kaq shumë i dhënë pas veseve sa edhe sikur, në këtë moment ku është, të vendosë të bëjë një hap mbrapsht nuk e bën dot më.

Loja me mafian që zgjodhi Edi Rama është nga ato që nuk ta lejon as pendesën dhe as shpëtimin nga e keqja. Zinxhirët që e mbajnë lidhur janë kyçur një herë e mirë, prandaj edhe skandalet e qeverisë së drejtuar prej tij, shpërthejnë çdo ditë nga një.

Edi Rama tanimë është kryemafiozi i vërtetë i Shqipërisë dhe metoda që ka zgjedhur për të vulosur diktaturën e tij është e denjë për filma Hollivudi.

Pa rrugë shpëtimi, pasi ka instaluar një diktaturë të llojit më të keq, veshur me petkun e demokracisë, kryeministri ka nisur aksionin e paprecedent të blerjes, mbylljes apo shantazhit të çdo lloj medie që ende kërkon të thotë të vërtetën.

Propaganda e deritanishme atij nuk i mjafton më.

Edi Rama kërkon pushtetin absolut dhe po bën gjithçka që ta ketë.

Vini re atë që po ndodh në tregun e medias vizive dhe asaj të shkruar. 90 për qind e tyre janë zyrtarisht ushtarë të Edi Ramës. Pronarët e tyre kanë bërë marrëveshje me djallin, i marrin paratë, dhe në këmbim, i lëvdojnë me kronika alla ERTV çdo skandal të paprecedent që sheh dritën e diellit. Shefat e redaksive shpërblehen nëpër borde, si konsulentë apo dorëzanë marrëveshjesh të paligjshme.

Vini re median e shkruar. Pas çdo lajmi të sheqerosur paguhet një faturë. Pas çdo emri të ri, gjoja pronar medie, fshihet një i dërguar i Edi Ramës me buxhet të majmë që paguan për çdo gjë dhe për këdo.

Por as kjo, atij nuk i mjafton. Pushteti absolut i do të gjitha dhe të gjithë në shërbim të 1-it.

Edhe pse kanë mbetur fare pak, edhe këta, Edi Rama do ti shfarosë nga faqja e dheut.

Jemi të gjithë dëshmitarë të fushatës së këtyre dy ditëve të fundit, që edhe pse fshihet nën lajme të sajuara terroristësh, objektiv është asgjë tjetër veçse një media vizive në Tiranë. Ndoshta të fundmen e mbetur të pashitur. Loja e këtyre dy ditëve është, me shumë gjasë, më e pista e luajtur këto muajt e fundit. Janë botuar me dhjetra artikuj e kronika që hedhin hipoteza e ngrënë pikëpyetje, akuzojnë dhe lënë përgjigje pezull vetëm e vetëm që Edi Rama të çojë mesazhin aty ku duhet. Një publik i vëmendshëm mund ta vërë re fare kollaj, edhe pse nuk do të dojë shumë kohë që ti duket tymi edhe këtij sulmi të radhës. Mesazhi që Edi Rama po dërgon këto dy ditë është i qartë: “ose do të punosh për mua ose do të të bëj gropën. Ky është vetëm fillimi”. Dhe ushtarët mediatikë shkruajnë e shkruajnë shtantazhs të njëjta me tituj të ndryshëm.

Në fakt, kjo nuk do të ishte as e para e as e fundit herë e makinacioneve të tilla.

Edhe Pamfleti është gjendur më shumë se një herë përballë persionesh të këtij lloji: herë lajmës që çojnë ftesa për tu ulur për bisedime në tavolinë e herë sulme të egra, mbyllje profilesh në rrjetet sociale me qindra mijë ndjekës, me kërcënime për gjyqe dhe gjoba të çdo lloji.

Të njëtin pronar medie mbi të cilin, Edi Rama ka nisur sulmin prej dy ditësh, Gëbelsi i tij, këshilltar për mediat, në vitin 2017, i kërkoi Pamfletit të mos e sulmonte, ta linte të qetë, të bënte një “sy qorr e një vesh shurdh”.

Por e vërteta ka qenë gjithmonë misioni ynë.

Si rrjedhojë makineria e diktaturës dhe propagandës është vënë egërsisht në punë. Kalaja e fundit mediatike që ra, u shënua vetëm pak javë të shkuara dhe përmblidhte një televizion lajmesh, dy gazeta dhe dy portale në të njëjtën kohë. Pronari biznesmen u shit dhe turpin publik e shtyu me një gotë verë.

Pikërisht se u mësua me instrumente të tillë mafioze që funksionojnë, Edi Rama po bëhet gati për gjuajtjen e fundit: t’i blejë ose të mbyllë edhe ata që kanë mbetur, ata që duan të thonë të vërtetën.

Por…ka gjithmonë një por, edhe kur bëhet fjalë për diktatorë të këtij lloji.

Edi Rama harron diçka: koha e Enver Hoxhës ka kaluar një herë e mirë, sado që pinjollët e tij vazhdojnë të luajnë kartat e pushtetit. Shqipëria nuk është më kopshti i lulëzuar, i vetmuar i Evropës Juglindore. Klikat fashiste nuk mund të mbijetojnë më kaq lehtësisht në mes të Evropës.

Edi Rama, ndoshta mund ta blejë ose mbyllë edhe atë ekran mediatik që ka mbetur; mund të gjymtyojë edhe ato portalet që thonë të vërtetat, me gjyqe, “paketa antishpifje” apo shantazhe të çdo lloji. Por bota aq e madhe sa duket, aq e vogël është në të njëjtën kohë. Teknologjia që Edi Rama përdor për propagandën e tij, mund të përdoret nga kudoqoftë edhe për të thënë të vërtetat e shqiptarëve të thjeshtë.

Edi Rama harron se e vërteta është nga ato organizma jetikë që nuk vdesin kurrë. Ndoshta e vërteta vonon, por e gjen gjithmonë rrugën drejt dritës.

Prandaj, në vend që të zhytet thellë e më thellë, Edi Rama do të bënte mirë të kërkonte shpëtimin e vet. Aq shumë sa është fundosur do ta ketë të vështirë të dalë në sipërfaqe, por më mirë vonë së kurrë.

Më mirë tërhiqu tani Z. Rama sesa ta lesh për më vonë, atëhere kur as Zoti nuk të bën dot më derman

Lajme te ngjashme