Home Aktualitet “Legalizohen” monedhat virtuale, Shqipëria harton ligjin për kushtet e emëtimit dhe infrastrukturën e teknologjisë DLT

“Legalizohen” monedhat virtuale, Shqipëria harton ligjin për kushtet e emëtimit dhe infrastrukturën e teknologjisë DLT

nga Albina Hoxhaj

Shqipëria do të plotësojë kornizën ligjore lidhur me aktivet virtuale dhe konkretisht bëhet fjalë për projektligjin “Për tregjet financiare të zbatuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Në relacionin që shoqëron projektligjin tashmë në fazë konsultimi thuhet se aktualisht nuk ka asnjë ligj që të parashikojë, a) rregullimin, b) ndalimin apo c) penalitet në lidhje me aktivet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to.

E gjitha kjo vjen në kushtet kur lëna e parregulluar e këtij aspekti mund të kthehet në një risk real për skema mashtruese. “Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme siç janë, krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në projektligj.

I njëjti nënvizon se këtij qëllimi i shërben hartimi i Projekt-Ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Projekt-ligji synon të rregullojë gjithë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia “Distributed Ledger” (DLT). Kështu, projektligji synon të rregullojë kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatoreve dhe bursave dhe mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga Autoritetet kompetente, kushtet dhe rregullat për tregtimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale, ofruesit e shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin  e praktikave abuzive në treg, ku parashikohen gjoba të rënda për cilindo, i cili shkel dispozitat e ligjit.

“Token-ët Digjital dhe Monedhat Virtuale janë një lloj aktivi virtual,  thelbësisht të varura nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilat i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese, apo mjet utilitar në procesin e blerjes së produkteve apo shërbimeve.

Ndërkohë që përdorimi i  shërbimeve financiare të bazuara në DLT po transformojnë në mënyrë të shpejtë tablonë e tregjeve financiare si për investitorët në treg, ashtu edhe për ofruesit e infrastrukturës së tregjeve (sistemet e pagesave, bursat, vendet e tregtimit, kujdestarët e titujve, kompanitë emetuese), këto ngrejnë sfida specifike si për rregullatorët dhe për pjesëmarrësit e tregut, sepse ka paqartësi mbi mënyrën se si mund të aplikohet kuadri rregullator ekzistues mbi këto shërbime të inovative. Aktualisht, ekzistojnë disa ligje të cilat rregullojnë sistemin financiar në Shqipëri, por asnjë prej tyre nuk i përshtatet specifikave të tregjeve financiare të bazuara në DLT, dhe si rrjedhojë ky aktivitet aktualisht mbetet i parregulluar” sqaron projektligji

  • Objektivi që synon projekt-ligji nëpërmjet rregullimit dhe vënies nën mbikëqyrje të teknologjisë së re është:
  • Shfrytëzimi sa më i mirë i të gjithë potencialit të fintech dhe të teknologjisë DLT;
  • Ulja potenciale e kostovo të sistemit të pagesave;
  • Nxitja e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit
  • Tërheqja e investitorëve të huaj;
  • Krijimi i përfitimeve ekonomike për vendin.

Përveç sa më sipër, rregullimi i tekonologjisë “Distributed Ledger” në lidhje me tokenat digjitale dhe monedhat virtuale nëpërmjet këtij Projekt-Ligji synon:

  • Ndalimin e operimit të një Burse DLT, në mënyrë të pa autorizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Ndalimin e ofrimit të aktiveve virtuale me ofertë fillestare në mënyrë të pa autorizuar;
  • Ndalimin e kryerjes së aktivitetit të kujdestarit të palëve të treta pa autorizim;
  • Dhënien ekskluzive të kompetencave te Autoritetit për bllokimin e llogarive për këdo që dyshohet se kryen mashtrim apo abuzim me tregun;
  • Vendosjen e sanksioneve të rënda  administrative dhe penale në rastet e abuzimit (nga 12 milion lekë deri në 18 milion lekë si gjobë administrative dhe referim tek Kodi Penal, në rast të veprave penale).
  • Projekt-Ligji mirërregullon funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si institucioni që vlerëson të gjitha aspektet rregullatore dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore, si dhe funksionet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila vlerëson të gjitha aspektet dhe kërkesat teknologjike të paraqitura nga subjekti që kërkon të marrë licencë. /monitor/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!