Home Ekonomi Gara rajonale, qeveria parashikon lehtësi fiskale për industrinë automotive, investimet mbi 8 milionë euro dhe … sportistët

Gara rajonale, qeveria parashikon lehtësi fiskale për industrinë automotive, investimet mbi 8 milionë euro dhe … sportistët

nga Albina Hoxhaj

Gara e ashpër rajonale për tërheqjen e investimeve të huaja, ku Serbia e Maqedonia po ofrojnë subvencione të shumta, ka bindur, më në fund, qeverinë shqiptare të ndërmarrë disa lehtësi fiskale.

Në projektligjin për disa ndryshime në tatimin mbi të ardhurat, që është në fazë diskutimi, parashikohet incentivimi i sektorit të industrisë automotive, duke ulur normën e tatimfitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industri, nga 15 % që është tatimfitimi për të gjitha bizneset e tjera. Një tjetër lehtësi është mbartja e humbjeve për një periudhë 5-vjeccare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë (rreth 8 milionë euro).

Lehtësi parashikohet edhe për sportistët. Sipas relacionit synohet  promovimi i sportit, me qëllim rritjen e ndikimi pozitiv të tij në shoqëri. Për këtë arsye propozohet incentiva fiskale për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të shpërblimeve që u jepen sportistëve, apo ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës. Gjithashtu, për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë, shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, janë të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar.

Nxitja e industrisë automotive

Sipas relacionit, industria automotive në Shqipëri është në fillesat e saj dhe aktualisht, has vështirësi të konkurrojë me kushtet, kapacitetet dhe potencialin e ofruar nga vendet e rajonit për këtë lloj industrie. Duke qenë se vendet e rajonit si Serbia apo Maqedonia kanë kulturë dhe industri të kësaj natyre më të hershme, thjesht e kanë vazhduar dhe plotësuar më tej, duke përmirësuar nivelin e ekspertizës dhe know-how. Në këto kushte, propozimi i incentivave fiskale në fushën e industrisë automotive ka qëllim jo vetëm të ndihmojë vendin tonë, që të konkurrojë në këtë sektor me vendet e rajonit, por dhe të mundësojë tërheqjen e investimeve në këtë industri.

Gjithashtu, nxitja e investimeve në sektorin e industrisë automotive do të kontribuojë, edhe në rritjen e numrit të bizneseve që operojnë në këtë fushë, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Praktika ndërkombëtare njeh disa forma të incentivimit për sektorë të caktuar të industrisë, për të cilët gjykohet me rëndësi rritja dhe zhvillimi. Konkretisht, këto incentiva mund të konsistojnë p.sh., në lehtësi tatimore për fitimin e realizuar nga shoqëritë që operojnë në këta sektorë, apo dhe në njohje përtej normës së lejuar të shpenzimeve të zbritshme për efekt fiskal. Nëpërmjet këtij projektligji, propozohet forma e reduktimit të tatimfitimit nga shkalla normale, duke synuar krijimin e kushteve të favorshme për përmirësimin e klimës për zhvillimin e tregut të industrisë automotive brenda vendit.

Bartja e humbjeve për investimet mbi 1 miliard lekë

Parashikimi për tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi mbi 1 miliard lekë, mbartja e humbjeve të bëhet për një periudhë 5-vjeccare, propozohet pasi këto investime me vlera të konsiderueshme dhe që përgjithësisht kanë një shtrirje të konsiderueshme në kohë, të kenë mundësi që humbjet e rezultuara t’i mbulojnë me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimore, sipas parimit “humbja e parë më përpara se ajo e fundit.”

Ky projektligj synon gjithashtu harmonizimin e Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.”

Sportistët

Një nga efektet e pritshme të këtij projektligji është dhe përmirësimi i situatës në fushën e sportit nëpërmjet lehtësive të parashikuara. Kjo synohet të arrihet edhe nëpërmjet përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale për shpërblimet që iu jepen sportistëve dhe ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës, për rezultatet e arritura gjatë aktivitetit sportiv.

Ndërkohë, incentiva propozohen dhe për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, për shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. /monotor/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!