Home Aktualitet Kukulla e Edi Ramës nuk i ikën dot ‘gjyqit’ të demokratëve

Kukulla e Edi Ramës nuk i ikën dot ‘gjyqit’ të demokratëve

nga Editor

Kukulla e Edi Ramës në selinë e Partisë Demokratike, çuditi gjithë shqiptarët dje nga dera e prokurorisë duke deklaruar se ai nuk e dinte dhe nuk mund ta dinte se cilët ishin gangsterët që dilnin nga zyra e tij me maska në fytyrë e godisnin me shkopinj bejsbolli mbi kokat e demokratëve të pambrojtur.

Nuk e dinte as se kush i pajisi ata gangsterë me armatimin me gaz neuro-paralizues që i përkasin vetëm Policisë së Shtetit.

Pamjet e gangove që turreshin nga zyra e kukullës së Edi Ramës me shkopinj bejsbolli mbi kafkat e civilëve të pambrojtur na sollën dhe njëherë nëpër mend pamjet e dokumentarëve mbi mafian e Çikagos së viteve ‘30-‘40 dhe asaj siçiliane të viteve ‘70-‘80.

Kukulla që flet para shqiptarëve për dekriminalizimin e politikës, pati kurajën të fuste në selinë e partisë më të madhe të opozitës persona me rekorde të tmerrshme kriminale e të ndërsente nga zyra e tij gangsterë me maska e shkopinj bejsbolli ndër duar.

Nuk ka kurrfarë garancie, sot për sot, për shqiptarët se prokuroria e shtetit do të ushtrojë funksionet dhe përgjegjësitë e saja për të hetuar e zbuluar ata individë dhe aktet e tyre si dhe përgjegjësinë penale të kapos që i thirri e i futi në zyrën e partisë.

Kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha për shkak të asaj çka kemi parë vetëm përpara pak kohësh, kur prokuroria refuzoi të përmbushte detyrën e saj duke mos dërguar dosjen e kukullës në Gjykatën e Lartë për aferën “Muzin” e pastrimin e parave!

Si gjithmonë bishtnimi nga përgjegjësia penale me procedurë korruptive.

Skandali i daljes së të dhënave për rrogat dhe fitimet skandaloze qartësoi shumë gjëra për demokratët.

As për ato fakte skandaloze hajnie, gjobëvënie, korrupsioni dhe evazioni, nuk pret askush që agjencitë ligjzbatuese të veprojnë.

Kjo garanci e mosveprimit të ligjit është arsyeja e vetme e “trimërisë” së Edi Ramës dhe kukullës së tij, ndaj shqiptarëve.

Kukulla mundet që dhe për njëfarë kohe të ketë garancitë e regjimit për mosveprimin e ligjit, por tani nuk i ikën dot më “gjyqit” të demokratëve për gjithçka u ka bërë e kushtuar jetës dhe familjeve të tyre.

Demokratët kanë nisur “gjyqin” historik ndaj kukullës së regjimit për;

lënien e tyre 12 vite në opozitë,

– humbjen në 4 gara elektorale rresht,

– dorëzimin e Parlamentit 100% në dorën e Edi Ramës,

– dorëzimin 100 % të pushteti lokal tek Edi Rama,

– talljen me sakrificën e tyre në protestën e Çadrës,

– talljen me premtimin për betejë “non- stop” pas 25 prillit,

– largimet masive të demokratëve të vërtetë nga strukturat e bazës dhe mbushjen e selisë së partisë me pinjollë të së majtës dhe klaneve të korrupsionit e hajnisë,

– shitjen e sakrificave të demokratëve të thjeshtë tek pushteti i karriges së Edi Ramës dhe korruptorëve të tij,

– blindimin dhe mbylljen e dyerve të selisë së tyre, për të cilën kishin sakrifikuar për 30 vite, mund, gjak e përndjekje, teksa kukulla shëtiste e jetonte nëpër Evropë,

– rrahjen prej gangsterëve mercenarë me shkopinj bejsbolli e spraj qorrues,

– urdhërimin e policisë së regjimit për t’i helmuar në masë e si në geto teksa rrinin me fëmijët e tyre në krah në oborrin e selisë së partisë së tyre.

Këtë gjykim nuk e pengon dot regjimi për kukullën e tij.

Ky është një gjykim i demokratëve që as nuk e ndal e as nuk e pengon dot as Edi Rama e askush tjetër mbi tokë, deri sa demokratët ta hedhin kukullën në koshin e historisë.

Historia ka nisur të bëhet e ajo nuk ndalet më.

Koha, e drejta, e vërteta janë me demokratët, me shumicën dërrmuese të tyre dhe të gjithë patriotëve shqiptarë.

Askush jo vetëm nuk e “varros” dot të vërtetën, por dhe nuk do të mund t’i gëzojë dot milionat e pista, inkasuar nga shitja e vuajtjeve, mundit, djersës, gjakut, sakrificave, varfërimit, të drejtës, dinjitetit, lirisë, të familjeve të demokratëve.

Lajme te ngjashme