Home Aktualitet Privatizimi i objekteve të banimit/ Standardi i dyfishtë i Bashkisë Tiranë, lë në rrugë banorët

Privatizimi i objekteve të banimit/ Standardi i dyfishtë i Bashkisë Tiranë, lë në rrugë banorët

nga Albina Hoxhaj

Pronat janë një problematike madhe në Shqipëri ashtu siç është edhe privatizimi apo legalizimi i banesave. Ligjet janë por nuk zbatohen ose interpretohen sipas interesave të pushtetit duke lënë në rrugë qytetarët. Banorët kanë në anën e tyre ligjin, por nuk mjafton, pasi ligjin nuk e zbatojnë pushtetarët dhe drejtësia është pothuajse inekzistente.
Nova Media publikon një tjetër problematikë që është hasur nga 160 familje në Tiranë në zona të ndryshme, por që i bashkon e njëjta problematikë, privatizimi i banesave në të cilat jetojnë prej më shumë se 22 vitesh. Lista prej 160 familjesh u nda në tre pjesë për të kaluar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por në të vërtetë kaloi vetëm pjesa e parë. Nuk dihet se mbi çfarë kriteresh u bë kjo ndarje, por banorët e tjerë e theksojnë se ishin interesa politike në mes. Kështu kjo pjesë e parë u miratua në Këshill në mbledhjen e datës 26.02.2015, ndërsa pjesa tjetër edhe sot janë dyerve të institucioneve duke kërkuar të drejtën e tyre.
Dosjet ishin tërësisht të plotësuara nga 160 familjet, por kaluan vetëm një pjesë, pjesa tjetër kanë riplotësuar dosjen disa herë por pa arritur ta privatizojnë atë. Kjo dëshmon standardin e dyfishtë të përdorur nga Bashkia e Tiranës. Por kjo nuk mbaron këtu. Aktualisht banorët përplasen me një tjetër argument “mungesa e ligjit”, pra institucionet pretendojnë se “na ishte një herë një ligj në 2015 që privatizoi disa banesa, e menjëherë më pas ky ligj u zhduk duke lënë në rrugë pjesën tjetër!!”.
Shikoni listën dhe gjykojeni vetë.

Privatizimi i objekteve/ Përpjekjet banorëve dhe çfarë thotë VKM-ja

Janë dy Vendime të Këshillit të Ministrave të marra një në vitin 2015 ndërsa tjetri në korrik 2019 të cilat i japin zgjidhje përfundimtare privatizimit të dy listave të tjera me banorë të diferencuar nga pjesa tjetër në mnyrë të padrejtë në Tiranë.
Të dy këto vendime ju japin të drejtë banorëve ose janë në favor të tyre për privatizimin e objekteve, por gjithçka ngelet peng institucioneve të cilat hedhin përgjegjësitë te njëra-tjetra.

Link i VKM


Konkretisht në pikën 10 të Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 3 korrik 2019 “për procedurën e kthimit në fond banese, me qëllim strehimi, të objekteve pronë shtetërore, që përshtaten nga njësitë e vetëqeverisjes vendore me grante konkurruese nga buxheti i shtetit”, shkruhet: “Fillimi i procedurës së ndryshimit të funksionit të objektit mund të iniciohet edhe nga familjet që janë strehuar me ose pa autorizim nga organet kompetente në objekte shtetërore të dala jashtë funksioni, të cilat i drejtohen me kërkesë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Në rastet kur familja nuk është në gjendje që, me të ardhurat e veta, të përshtatë objektin sipas standardeve në fuqi dhe njësia e vetëqeverisjes vendore nuk e financon dot me të ardhurat e veta, kjo e fundit aplikon për grante konkurruese nga buxheti i shtetit pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin.”

Dosjet pluhurosen në rafte, nuk kalojnë në Këshillin Bashkiak


Pas përpjekjeve të shumta dhe plotësimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm për privatizimin e shtëpisë, banorët ju drejtuan Bashkisë së Tiranës, ata vendosin fillimisht t’i shkruajnë kryebashkiakut Erion Veliaj e më pas kryeministrit në portalin e lancuar prej tij në mbështetje të qytetarëve.
Në letrën drejtuar kryebashkiakut banorët shpjegojnë gjithçka për objektin dhe rrugën ligjore që kanë ndjekur ndër vite. Theksohet fakti se si lista me 160 familje me të njëjtin shqetësim u nda në tre lista dhe vetëm një kaloi në këshillin bashkiak në janar të vitit 2015. Që nga ajo mbledhje dy listat e tjera ndodhen në këtë institucion të pluhurosura, pa kaluar në Këshillin Bashkiak dhe ky problem mbetet pezull.
Pas kësaj shpresat për një zgjidhje zgjohen me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 3 korrik 2019. Banorët i kërkojnë kryebashkiakut ndihmë për të përmbyllur këtë proces në mbështetje të plotë të ligjit. Ende nuk ka një përgjigje nga kryebashkiaku.

Banorët 3 herë letër kryeministrit, asnjë përgjigje


Disa banorë tregojnë se, pasi dështuan në çdo lloj forme e rruge ligjore, ata ju drejtuan kryeministrit me tre letra, por nuk morën asnjë përgjigje.
Privatisht ata ju drejtuan zyrave të avokatëve të njohur dhe zhvilluan konsulenca për të kuptuar problematikën, pasi së fundmi ata ndeshën një term të ri për ta, “është ligji por mungojnë aktet nënligjore”. Ky ishte argumenti që procedurat nuk përfundonin asnjëherë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!