Home Aktualitet Heshtje… apo qetësia para stuhisë?

Heshtje… apo qetësia para stuhisë?

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ndryshimet dhe rotacionet politike të vendeve rreth nesh duket se i dhanë një hop të ri paqes dhe demokracisë në Ballkan, ku Shqipëria dhe Serbia kanë mbetur në vend prej një kohe të gjatë. Në Greqi, qeveria ra pas dorëheqjes së Cipras dhe në zgjedhjet e parakohëshme fitoi opozita, në Kosovë po ashtu fitoi koalicioni opozitar LVV-LDK në zgjedhjet e parakohëshme pas dorëheqjes të Kryeministrit Haradinaj. Në Maqedoninë e Veriut, pas jo-së së Këshillit të Europës për çeljen e negociatave me BE-në, pritet të ketë zgjedhje të parakohëshme në pranverën e vitit të ardhshëm. Pra, kudo ka një zgjidhje dhe përgjegjshmëri për ta çuar vendin në zgjedhje, ku sovrani thotë fjalën e tij dhe vendos për pushtetin e radhës.

Në Shqipëri, ka disa arsye që Kryeministri aktual të japë dorëheqjen dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme, por ai vazhdon të mos e shohë këtë si mundësi duke thënë disa herë se zgjedhjet do të jenë vetëm në vitin 2021, pra në mbarim të mandatit. Z.Rama sillet sikur nuk ka ndodhur apo nuk po ndodh asgjë. Opozita pas heshtjes së dy muajve të fundit, duhet të thotë fjalën e saj dhe mesa duket nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër veç protestave në rrugë. Heshtja ndaj kësaj situate duket se po zbeh rolin dhe mbështetjen eopozitës në popull, madje edhe në mes të mbështetësve të saj. Heshtja po perceptohet si pranim, apo akoma më keq, prej disave po perceptohet si dorëzim i saj.

Opozita e re parlamentare, megjithëse formacion pa bazë mbështetje, e ka përqëndruar energjinë te Kodi Zgjedhor që synon demokracinë e drejtpërdrejtë, proporcionalin kombëtar me lista të hapura, a ndoshta ndonjë model tjetër të ngjashëm. Ata po përpiqen të “vrasin” mekanizmin që i krijoi dhe i solli deri aty. Po a është Kodi Zgjedhor zgjidhja e krizës apo është thjesht shkak për një debat politik që shmang realitetin dhe problemet e rënda të tij? Kodi duket një detyrë shtëpie që politika do ta bëjë për ti zgjidhur hallin vetes për zgjedhjet e ardhshme, por nuk është thelbi i krizës. Ata i kanë dhënë një mbështetje me ose pa dashje zgjatjes së jetës të qeverisë Rama 2 duke qëndruar në atë palo parlament.

Edhe kur flitet për ndonjë lëvizje apo forcë të re politike, duket se argumentat vërtiten sërisht te Kodi Zgjedhor. Ne në fakt kemi problemin me zgjedhjet e lira, gjë e cila ka sjellë shumë anomali, por ne kemi një qeverisje plaçkitëse dhe të papërgjegjshme para nesh, burim i shumë të këqiave. Energjitë nuk duhen shpërdoruar vetëm me Kodin, por duhet gjetur një zgjidhje e krizës duke i thënë stop qeverisjes dhe duke zbritur nga froni Kryeministrin Rama, gjë e cila kërkon sinergjizmin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me qeverisjen aktuale.

Dikur në Shqipëri, u detyrua regjimi komunist ti hapte rrugë ndryshimeve demokratike përballë protestave popullore. Sot, kjo duket po aq e rëndësishme. Por, populli duhet të bindet që opozita e ka seriozisht dhe nuk po e nxjerr në rrugë vetëm për ndryshimin e radhës, ku ca lenë karriget, të cilat i marrin disa të tjerë. Kjo e ka zbehur shpirtin e protestës gjithëpopullore, ndaj duhet ti bëjmë të besojnë se nuk jemi njësoj. Kjo është sfida e vërtetë e opozitës, krijimi i besimit në popull se qeverisja e ardhshme do të jetë ndryshe në program, alternative, në veprim dhe përgjegjshmëri.

Qetësi para stuhisë, apo thjesht qetësi harrese, mbetet për tu parë. Historia ka dëshmuar se autokratët ikin, bien, madje atëhere kur ata ngulin këmbë se s’ka zot që i lëviz nga vendi. Duket se edhe Kryeministri ynë ka nevojë për një stuhi që e shkund!

Lajme te ngjashme