Edi Rama i “dhuron” me koncesion Kepin e Rodonit trafikantit ndërkombëtar të drogës

Read Time:5 Minute, 45 Second

I renditur në “Toplistën” e grupeve më të mëdha të trafikut të kokainës, Roland Ziu, pronari i kompanisë fituese të perlës turstike që ka në “pëllëmbë” të dorës gjithë Adriatikun merr për 35 vite portin e Jahteve “Marina Rodon”, për ta kthyer shumë shpejt në një “parajsë” të pastrimit të parave e kazinove, dhe pikë të “desantimit” të drogës në vendet e BE. Ky port, nga një pikë strategjike e Skënderbeut në Mesjetë, i ngritur për përballimin e osmanëve, po shndërrohet në një “magazinë” droge, nga “Skenderbeu” i Rilindjes.

Edi Rama nuk ndalet në marrëzinë e tij për dhënien e pasurive publike me koncesion përmes PPP-ve të famshme, duke “dorovitur” oligarkët klientë të tij me miliona euro nga paratë e shqiptarëve.

Nëse deri më tani, më shumë ka qënë i orientuar drejt dhënies me PPP-të e rrugëve, shërbimeve dhe punëve të tjera publike, tashmë kur ka “ngrënë” disa muaj nga gjysma e dytë e mandatit të dytë, ka nisur të “avitet” në drejtim të detit. Nuk thotë kot populli “afër detit, afër mbretit”.

Duke parë se për shkak të zullumeve të shumta, rrezikon seriozisht të mos mbyllë as mandatin e dytë qeverisës, kreu i mazhorancës është në përpjekje për të kënaqur klientelën e tij të oligarkëve me “llokma” në bregdet, ku mendon të ketë pjesën e vet dhe ai, përmes vëllait Olsi Rama.

Pasi ka “sistemuar” Olsin bashkë me Gjiknurin në pikën më nevralgjike në Vlorë te Shkolla e Marinës ku do të startojnë ndërtime vilash turistike, pa përjashtuar hotelet me 5 yje, të njejtën gjë ka vendosur ta bëjë dhe në Adriatik, përmes një koncesioni me PPP.

Bëhet fjalë për pikën strategjike te Kepi i Rodonit, që ashtu sikurse Gjergj Kastriot Skënderbeu në Mesjetë kishte në “pëllëmbë të dorës” hordhitë osmane që vinin nga deti, dhe “Skënderbeu” i Elisës ka në “pëllëmbë të dorës” lëvizjen e motovedetave të “Guardia di Finanzës”, të cilat kontrollojnë bregdetin shqiptar për trafikun e drogës.

Por Edi Rama nuk ka asnjë qëllim për të pasur nën kontroll dhe për të bllokuar trafikun e drogës, por qëllimi i vetëm i tij është dominimi i këtij korridori detar përmes klientëve të tij në këtë trafik, për të furnizuar vendet anëtare të BE me kokainë të pastër, që vjen nga Amerika Latine.

Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti i dhënies me koncesion përmes PPP-ve nga ana e qeverisë, e Portit të Jahteve në Kepin e Rodonit për 35 vite për një nga njerëzit më të zëshëm të trafikut ndërkombëtar të drogës, i renditur që herët në “toplistën” e grupeve kriminale të këtij trafiku, Roland Ziu.

E themi këtë, pasi tashmë Kepi i Rodonit u dha me koncesion, dhe ku bukuritë e paprekura të natyrës, të gërshetuara me historinë madhështore të epokës skënderbejane, do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve e tjetërsimit, thjeshtë e vetëm për të kënaqur oreksin e oligarkëve klientë të Ramës.

Më konkretisht njoftohet se ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Belinda Ballukut, me urdhër të Ramës ka shpallur fitues bashkimin e përkohshëm të kompanive “Praslin Investment” dhe “R&T” me aksionerë shtetasin Roland Ziu dhe Renis Tërshana.

Në ofertën e kërkuar për projektim, financim, ndërtim, vënien në operim, administrim dhe mirëmbajtjen e portit të jahteve “Marina Rodon”, që ndodhet në vijën bregdetare jugore të gjirit të Drinit, 7 kilometra larg Kepit të Rodonit, rezulton të mos ketë pasur konkurrentë të tjerë dhe si rrjedhojë asnjë ankesë.

Sa për sqarim të lexuesit të shumtë që na ndjek, kush guxonte të konkurronte përballë Rolandit të “Zi”, mikut personal të Edi Ramës dhe të Olsit, apo larg qoftë të paraqiste ankim për tenderin e dhënë jashtë të gjitha normave ligjore?!

Nëse ndonjë biznes apo biznesmen do të ishte ankuar, do të kishte hyrë me kohë në listat zyrtare të policisë si i humbur, apo i vrarë në ndonjë cep, pasi do të kishte të bënte me një trafikant ndërkombëtar droge si Roland Ziu, pronari i lokalit “Espagna” në Bllok, ku mblidhej tërë “elita” e të inkriminuarve të politikës, drejtësisë dhe trafikantët e kalibrit të kokainës.

Trafikanti ndërkombëtar i drogës Roland Ziu, nën mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpuntorëve të tij e ka marrë me koncesion Kepin e Rodonit për 35 vite, me një vlerë koncesioni mbi 10 milionë euro, bashkë me TVSH.

Pavarësisht se për Ziun vlera e koncesionit nuk është problem, tërë rëndësia e kësaj pasurie që do të përdoret prej tij për 35 vite me radhë është te pastrimi i parave që do të behet në vijimësi në këtë zonë, përmes ndërtimeve, porteve, krijimit të zonave turistike e deri te ndërtimi i hoteleve me 5 yje, për të fituar dhe licensat e majme të kazinove dhe lojërave të fatit.

Pikërisht këtu ka pjesën e vet dhe Edi Rama, që përmes vëllait të tij Olsi realizon atë që ka pasur që në krye të herës objektiv të tij, marrjen e monopolit të lojrave të fatit, për të cilin janë bërë goditje parciale ndaj biznesmenëve, janë ndryshuar ligje dhe tjetërsuar prona, vetëm e vetëm për të përfituar familja kryeministrore dhe oligarkët klientë të tyre.

Dhe ku kishte më siguri që goja e biznesmenëve të tjerë të mbyllej me përfshirjen në tender të një trafikanti ndërkombëtar droge si Roland Ziu, dhe ku që në nisjen e tenderit, kompanive u lihej vetëm 30 ditë kohë për të dorëzuar dokumentet nga data 6 tetor deri në 6 nëntor.

Njëherësh, për të shmangur ndonjë kompani ndërkombëtare që mund t’i hynte “detit më këmbë” dhe do konkurronte duke rrezikuar koncesionin me PPP për trafikantin e drogës Roland Ziu, ministria e Ballukut u kujdes që përpos afatit të shkurtër në dizpozicion, dhe dokumentet që do të paraqiteshin, duhej të ishin vetëm në gjuhën shqipe.

Pavarësisht se është vënë në qendër të goditjes së FMN, Bankës Botërore, SHBA dhe Këshillit të Europës për dhënien e koncesioneve përmes PPP-ve, duke kërkuar madje dhe ndalimin e tyre, Rama jo vetëm që nuk po ndalon, por tashmë po dorëzon pasuritë e shtetit në dorë të trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.

Marrja e Kepit të Rodonit me koncesion “badihava” nga Roland Ziu, pikërisht në zonën më dominuese në Adriatik, që kontrollon pjesën më të madhe të hapësirës së këtij deti, në këtë perlë turistike, ku pritet të “zbarkojnë” jahtet e shpejtësisë së lartë, kazinotë e hotelet me 5 yje, krijon dhe një “çark” të mbyllur të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke ndërthurur trafikun me konsumin e kokainës, por dhe garanton mbulimin shtetëror të tij.

Ka ardhur koha që organet ligjzbatuese të drejtësisë së re të marrin në dorë të gjitha koncesionet e dhëna nga Edi Rama deri më tani përmes PPP-ve, pa konkurrencë dhe transparencë, për t’i hetuar dhe për të zbuluar se në çfarë duarsh kanë rënë.

Ajo që mund të themi me siguri është se, Kepi i Rodonit ka rënë në dorë të një trafikanti ndërkombëtar të drogës, një “biznes” i kahershëm ky i Roland Ziut./Pamfleti/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Imerajt i përfundoi mandati, Meta rishpall listën e aplikantëve për në Gjykatën Kushtetuese
Next post Stafi mësimor në Universitete, rritet përqindja e grave me doktoratë, tejkalon burrat