Home Aktualitet “Heshtni përpara Ndues, atij guximtarit që shoqëronte Berishën kur nuk luftohej me brava dyersh’

“Heshtni përpara Ndues, atij guximtarit që shoqëronte Berishën kur nuk luftohej me brava dyersh’

nga Editor

Nga Edi Paloka.

Është e papranueshme dhe e rëndë ajo që demokratët po i bëjnë njeri tjetrit, po i bëjnë vetes së tyre këto kohe. Nuk e kam për ata që PD-në e shohin vetëm në formën e karriges, nga cilido krah qofshin, por për demokratët e thjeshtë që po shahen e sulmohen me njeri tjetrin sikur të jenë armiq!

Shkak për këto radhë në fakt u bënë disa komente e ndonjë shënim portalesh që po i fryjnë sa të mundin sherrit në PD.

Dje në Foltoren e Kurbinit paska folur dhe Ndue Lugja, i cili ndër të tjera paska thënë se po të rilindte dhe njëherë do të donte të ishte Sali Berisha! Pas kësaj erdhën “tallje” dhe ironi drejtuar Ndues!

I pashë me kujdes se kush ishin ata që “talleshin”. Shumica ishin rilindas, disa ishin profile fals por kishte dhe demokratë që kuptohej se nuk e njihnin Nduen!

Ndue Lugja prej vitesh punon në Vatikan, po në dhjetor ‘90 e në vazhdim, ishte nga studentët më trima e guximtarë që ne njohëm!

Ndue Lugja vullnetarisht shoqëronte Sali Berishën ato ditë kur secili nga ne e jo më Sali Berisha, ishte “me kokë në torbë”.

Ishte koha kur luftohej me shpirt e rrezikohej koka për liri e demokraci e nuk luftohej me brava dyersh, për çelësa e karrige zyrash boshe!

Prandaj përpara se të bëni ironi e sulmoni njeri-tjetrin, të paktën pyesni më parë se kë po sulmoni e pastaj mendohuni për hir të kujt e për çfarë e sulmoni!

E kam shkruajtur dhe një herë tjetër, ata që kontaktin e parë me PD-në e kanë pasur në momentin kur të ndenjurat e tyre ranë në kontakt me karriget e pushtetit, bëjnë mirë të paktën të heshtin përpara atyre që kanë rrezikuar e sakrifikuar gjithçka për PD-në!

Mjaft i quajtët “të vjetër” se janë 100 herë më të rinj se ju që ideal keni vetëm karrigen!

Lajme te ngjashme