Krijimi i të sotmes me mëndje nga e djeshmja

Read Time:3 Minute, 14 Second

Nga Gentian Çala

Ajo që po i ndodh shoqërisë sonë është pikërisht kjo, mungesa e shkëputjes nga e djeshmja traumatike, gjë e cila na ka bërë të jemi vendi i fundit në Europë për nga zhvillimi dhe standartet demokratike, një shoqëri e deprimuar dhe në kërkim të arratisë.

Izolimi i gjatë, gati gjysëm shekullor, nuk krijoi vetëm një hendek zhvillimi, por edhe social. Shoqëria dhe thuajse tre breza u rritën nën shtypje dhe me ndjenjën e armiqësisë nga çdo gjë e huaj. Hapja e vendit i bëri të gjithë të ndihen inferior në varfërinë e tyre me fqinjët dhe akoma më tepër me vendet e BE-së. Tashmë vendi i tyre u përmbys në imazh, nga një stimul krenarie fallco në një realitet të dhimbshëm.

Gjithkush i duhej të rendte për të kapur kohën e humbur, por liria konceptohej si anarshi dhe puna më e mirë dukej ajo që sillte fitime më të mëdha dhe tw shpejta, të cilat kryesisht vinin nga aktivitetet e paligjshme. Në dekadën e parë pas ndryshimeve demokratike dhe në fillim të së dytës, një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë u morën kryesisht me trafikimin dhe shfrytëzimin e qenieve njerëzore, ku predominonte vepra e prostitucionit. Më pas kjo u zëvendësua nga trafikimi i substancave, e cila vazhdon ende të jetë problem i sigurisë nw vend dhe në disa vende të BE-së (Spanjë, Hollandë, Angli, Itali, etj.).

Pluralizmi politik nënkuptonte asgjesimin e kundërshtarit, sepse kjo ishte mendësia e brezave që krijuan partitë e para politike dhe që e dominuan politikën në thuajse tre dekada. Në vend të marrëveshjeve për gjëra të rëndësishme për zhvillimin e vendit, mbizotëronte konflikti politik, i cili prodhoi në disa raste më shumë pazare njerëzish me pushtet, sesa reforma zhvilluese për vendin. Disa nga krizat e prodhuara nga mosdija, disa nga arroganca dhe moskuptimi i saktë i rotacionit politik me votë, bën që vendi të kalonte kriza të forta si ajo e vitit ’97, me pasoja të mëdha për zhvillimin e tij.

Të pamësuar me ndëshkimin e të paligjshmes dhe me një etje të pangopshme për pasurim të shpejtë ishin sëmundjet e kompleksit tonë të inferioritetit karshi vendeve të tjera, por kjo do të thellonte hendekun midis disa mjaft të pasurve dhe shumicës së popullsisë së varfër. Korrupsioni dhe mosndëshkimi i tij thellonte hendekun ndërmjet politikanëve dhe popullit, si dhe zvogëlonte frikshëm optimizmin e shqiptarëve për ndryshimin e situatës dhe për më shumë mirëqënie, posaçërsisht pas zgjedhjeve të vitit 2005. Shteti vazhdonte të ishte punëdhënësi më i madh, më i sigurtë dhe me influencë në sipërmarrjen private. Pwrdorimi i punwsimit nga politika siguronte mbështetjen e nevojshme për të qëndruar në pushtet.

Gara e ideve, inovacioni, kërkimi shkencor, elementë që e ndihmojnë një shoqëri për të përparuar erdhën duke u rrudhur, sepse edukimi bëri hapa pas dhe thuajse nuk investohej për to, as nga shteti dhe as nga sipërmarrja. Meritokracia u zëvendësua nga partitokracia në një stil thuajse bajraktar.

Unë ndihem thellësisht i shqetësuar nga braktisja e vendit, kjo është vetëm shprehje e një populli të deprimuar. Këto dy elemente ecin paralelisht dhe sa më shumë që rritet njëri, po aq rritet edhe tjetri. Ndaj nuk befasohem nga shifrat e azilkërkuesve apo të emigrantëve, ato dëshmojnë se ne vazhdojmë të ndërtojmë të sotmen me mendje nga e shkuara. Niveli mjaft i ulët i shpresës për ndryshim, shumë mungesa për një jetë të kënaqshme, sëmundjet e pakurueshme të shoqërisë dhe të klasës politike kanë bërë që shqiptarët të kërkojnë një atdhe tjetër, atë që ju jep atë që nuk e kanë pasur këtu.

Mendjet tona ende nuk janë përshtatur me një sistem tjetër, vlerat tona janë duke u riformatuar. Ajo që më bën të shkruaja këtë shkrim është pyetja: Edhe sa kohë do të na duhet? Deri kur? Ata që nuk po e gjejnë dot këtë përgjigje po vrapojnë drejt një vendi ku të përshtasin veten me sistemin që gjejnë atje.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Ballkani mes paqes dhe gjeopolitizimit
Next post Dade: Rama dështoi, s’mund ta drejtojë vendin