Home Aktualitet Vetingu që solli kolapsin e Drejtësisë

Vetingu që solli kolapsin e Drejtësisë

nga Editor

Nga Ermal Mulosmani

Votimi i ndryshimeve kushtetuese që mundësuan fillimin e Reformës në Drejtësi u mendua nga mbarë opinioni publik si fillimi i një epoke të re në drejtësinë e vendit. Entuziasmi i papërmbajtur i ambasadorit amerikan Donald Lu dhe homologes së tij të Bashkimit Evropian Romana Vllahutin, në atë ditë të nxehtë Korriku të vitit 2016, tregonte për një përpjekje jo të vogël të tyre për të arritur deri aty.

Tashmë e ardhmja e drejtësisë shqiptare do të kopsitej nga amerikanët në bashkëpunim me evropianët dhe kjo gjë dukej e mrekullueshme!

Nëse vihej ndonjë dyshim mbi suksesin e kësaj reforme, dyshuesi menjëherë shihej si një i korruptuar që i kishte ditët e numëruara. Ose zëdhënës i të korruptuarve. Ambasadori amerikan i atyre kohëve filloi të fliste gjithnjë e më tepër për “peshkun e madh” që do të binte në rrjetën e BKH-SPAK sapo ato të formoheshin. Publiku fërkonte duart, më në fund drejtësia do të vinte…

******

Vendimet e para të institucioneve të Vetingut filluan të bëheshin publike në fillim të vitit 2018, gati një vit pas miratimit të tyre në parlament. Eksponentët më të njohur të sistemit të drejtësisë filluan të binin një nga një nga kosa e vetingut në një gjyq televiziv që kapte edhe mimikat apo gjestet më të vogla të sikletit. Publiku po argëtohej, dashnorët e Amerikës po shpallnin suksesin.

Kur vjen puna te Amerika arsyeja prish punë për sa kohë i bie ndesh asaj.

Ranë gjykatës kushtetues, të lartë, prokurorë e kryeprokurorë. Mosargumentimi i të ardhurave dhe pasurive ishte shkaku kryesor i shkarkimit duke forcuar kështu edhe bindjen e publikut që korrupsioni e jo paaftësia ishin problem kryesor i drejtësisë.

Por, dalngadalë, vendin e entuziasmit po e zinte paniku. Po mbeteshim pa gjyqtarë e prokurorë! Gjykata Kushtetuese mbeti pa anëtarë, e Larta po ashtu.

Zërave kritikë Kryeministri u përgjigjej me batutën: “Më mirë djepi bosh nga vetingu sesa me djallin brenda”.

Mirëpo problem nuk zgjidhej me batuta. Sistemi po futej në kolaps.

Një e dhënë domethënënse, Gjykata e Apelit të Tiranës ka 6 gjykatës dhe 18,802 çështje të pashqyrtuara! Kjo është statisikë e tmerrshme! I bie që janë mesatarisht 3133 dosje për një gjyqtar, 3133 hallexhinj që po të shumëzohen me të paktën 2 persona të interesuar për çdo dosje janë 6266 persona të varur nga një gjyqtar. Nëse llogarisim një mesatare leximi të çdo dosjeje 4 orë i bien 12534 orë pune lexim dosjeje. Ose 1566 ditë pune 8 orëshe. Me fjalë të tjera duhen 5 vjen punë vetëm për t’i lexuar! Ja linku dhe tabela :

Situata është e njëjtë edhe në Gjykatën e Apelit Administartiv dhe është akoma më e rëndë në Gjykatën e Lartë.

Ky është kolaps jo Reformë!

Duke dashur të vëmë vetullat kemi nxjerrë sytë.

Gjyqtarët e prokurorët ishin kaluar në vrimën e gjilpërës në një transparencë ekstreme. Edhe nëse ndonjëri i shpëtonte filtrit të KPK-së, Komisioneri Publik ose ONM (Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit) ishin aty për të gjetur gjilpërën në kashtë. Rasti i skualifikimit të prokurores Antoneta Sevdari e ilustron më së miri se sa lart ishte ngritur steka e kontrollit:

Znj Sevdari mbaroi magjistraturën dhe filloi punë si prokurore në vitin 2003. Ajo ishte martuar në vitin 2001 dhe në deklaratën e pasurisë shpjegon burimin e pasurisë së saj (1/3) me vlerë 3 milionë lekë (tokë + shtëpi). Si burim të kësaj pasurie znj Sevdari paraqet burimet nga puna e bashkëshortit në Greqi në periudhën 1997-2000 në shumën 12 mijë Euro. Prona ishte fituar përpara sesa Prokurorja të fillonte punë në sistemin e Drejtësisë (vitin 2002). KPA e ka quajtur të pajustifikueshme shumën prej 12 mijë Eurosh si kursim të bashkëshortit pasi nuk vërtetohet me dëftesën e tatimit të të ardhurave personale!

Pra, burri i znj Sevdari, sipas Komisionit të Posaçëm të Apelimit, duhej të ruante dëftesën e pagesës së tatimeve në burim për vitin 1997, 22 vjet para shqyrtimit të dosjes, në një kohë kur ai ndoshta as nuk e dinte se mund të martohej me një subjekt të verifikimit të pasurisë. Jo vetëm ta kishte por edhe ta ruante 22 vjet e t’ia tregonte KPA-së që t’i bindte për ligjshërinë!

Me kritere të tilla edhe Robespieri në Francën e 1790 do të dilte i korruptuar.

Kritere të tilla të rrepta çuan në dorëheqje masive. 99 gjyqtarë e prokurorë zgjodhën mospërballjen dhe u larguan nga sistemi.

Ndërkohë të tjerët, ata që mbetën në sistem, e kuptuan që fati i tyre tashmë ishte i përcaktuar filluan të lëshonin dorën sa të mundnin. Këtë kontigjent Kryeministri e quajti KÇK (Kap ça të kapësh). Ata nuk e vrasin mendjen shumë për të ardhmen por janë lëshuar në sulm për të shfrytëzuar ditët e mbetura anë sistem. Mjegullnaja e krijuar nga tepria e pafund e dosjeve dhe mungesa e gjyqtarëve ka krijuar një situatë perfekte për ta.

Të vetmit që paguajnë në këtë situatë janë njerëzit, nevojtarët për drejtësi. Sot ata enden dyerve të gjykatave më keq sesa përpara 5 vitesh. Shkolla e Magjistraturës e ka rritur kuotën e pranimeve. Tri vjet më parë kishte në bankat e veta 50 studentë sot ka 175. Sigurisht, janë toleruar kushtet e pranimit. Por përsëri kërkesa është shumë më e madhe se kaq.

Nëse vazhdojmë me të njëjtat kritere vlerësimi në sistem do të mbeten më pak se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ishin në vitin 2016. Pra,nga 801 subjekte rivlerësimi parashikohen të mbeten rreth 320. Ku do gjenden pjesa tjetër kur edhe shkolla e Magjistraturës për tre vjetët e ardhshëm nuk prodhon aq studentë?

Mos vallë organet e vetingut do fillojnë të lëshojnë dorën për të zhbllokuar sistemin? A do ishte kjo një padrejtësi dhe një dështim i misionit për të larguar të korruptuarit dhe të paaftët?   /Gazetaexpress/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!