Edhe tërmeti na dëshmoi se “capitalism works”

Read Time:3 Minute, 37 Second

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Ka vite tashmë që çudia më e madhe nuk zgjat tre ditë, sikurse na pohon një shprehje popullore. Çuditë, tashmë janë të përditshme, bile edhe disa në ditë, kështu që është e pamundur që një çudi, sado e madhe të jetë ajo, të zgjasë më shumë se disa orë. Kjo sepse ato mbivendosen për pak kohë, dhe zëvendësojnë njëra tjetrën me shpejtësinë me të cilën shkaktohen. Por unë besoj edhe te një shkaktar tjetër, për këtë harresën e përshpejtuar të shqiptarëve të sotëm, dhe kjo ka lidhje me ndotjen e ajrit.

Memoria e individëve të një komuniteti urban përkeqësohet në përpjesëtim të drejtë me nivelin e ndotjes së ajrit në atë qendër urbane; ndërkohë që qytetet e mëdha shqiptare, dhe veçanërisht Tirana, janë qytetet më të ndotur në rajon e Europë.

Mirëpo sikurse çdo përjashtim që përforcon rregullin, diçka mbeti më shumë se tre ditë në mendjen tonë kolektive. Ai ishte tërmeti që preku Durrësin, Tiranën, Elbasanin dhe disa qytetet të tjera, vetëm disa javë më parë. E folura për të vijoi disa ditë, dhe kjo është një gjë e mirë; mirëpo, duket se nuk kuptuam asgjë në shërbim të së ardhmes, dhe kjo është një gjë e keqe.

Dhe këtu vijmë te thelbi, te ajo që duhet të kuptoj shoqëria nga tërmeti dhe leksioni që duhet ta ngulisim mirë në mendjen tonë. Tërmeti i shtatorit, megjithëse ishte një nga më të fuqishmit që mbahen mend nga shoqëria e sotme shqiptare, nuk vuri në dyshim qëndrueshmërinë mekanike dhe sigurinë në përdorim të ndërtesave të zhvilluara nga sipërmarrja private në 25 vitet e fundit.

Në të kundërt të perceptimit të gjerë publik, sipas të cilit do të mjaftonte një tërmet mesatar dhe këto ndërtesa do shtriheshin përtokë, ato na dëshmuan edhe njëherë tjetër, se ‘capitalism works’!

Vëzhguar në një perspektivë e veçantë teknike, qytetet apo qendrat e tjera të banuara janë një produkt fizik i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aftësisë dhe kapaciteteve njerëzore apo financiare, midis sektorit shtetëror dhe atij privat; në fushat e planifikimit territorial, projektimit urban, projektimit arkitektonik, projektimit ndërtimor dhe veprimeve konkrete në kryerjen e aktivitetit ndërtimor për implementimin e këtyre planifikimeve dhe projektimeve, në territor.

Megjithëse si produkt i vetëm, detyrat dhe të drejtat e secilit sektor në procesin e bërjes apo ribërjes së qyteteve janë qartësisht të ndara dhe të përcaktuara . Nëse do të ndanim pozitivisht (një nga një) të gjithë komponentët formues të këtij procesi dhe do t’i gruponim ato sipas asaj që ofron sipërmarrja e lirë private dhe asaj që ofron shteti, do të dallojmë me lehtësi se institucionet shtetërore kanë dështuar t’i ofrojnë shoqërisë një jetesë të mirë urbane. Do ishte shpërdorim i fjalëve të përshkruanim me detaje mungesat dhe disbalancat urbane të qendrave tona të banuara, sepse nuk është e nevojshme të jesh urbanist për t’i perceptuar dhe identifikuar ato. Dhe për çdo njërën prej tyre faji është i institucionet shtetërore që kanë lejuar zhvillim të paplanifikuar dhe të fragmentarizuar urban. Nga ana tjetër, sipërmarrja private ka triumfuar t’iu ofroj qytetarëve siguri në përdorim të ndërtesave të përdorimeve të ndryshme. Dhe ishte tërmeti i shtatorit, ai që i shkundi ndërtesat por nuk i rrëzoi ato, që na e dëshmoi këtë fakt të pakundërshtueshëm.

Sistemi ynë ligjor që rregullon çështjet e ndërtimtarisë i lë pak apo aspak përgjegjësi sektorit privat në këtë fushë. Super legjislacioni dhe institucionet e tejshtrira të shtetit në sektorin e ndërtimin kontrollojnë çdo hapësirë. Sektori privat nuk ka të drejtë ekskluzive të vendosë, dhe në këtë kuptim të mbaj përgjegjësi, as për çmimet e shitjeve të sipërfaqeve të ndërtimit dhe jo më për aspekte me dimension më publik, kurse sektori publik takson publikun e gjerë për një sërë përgjegjësish që i ka ngarkuar vetes.

Produkti i këtij etatizmi të thellë është i qartë, qytetet tona: janë në disporpocion me njëra-tjetrën; janë formësuar në mungesë hapësirash publike; janë në mungesë infrastrukturash sociale dhe inxhinierike; janë të keq-ajrosura dhe të keq-djallëzuara (kontributi i sektorit publik); por janë të formësuara nga ndërtesa me qëndrueshmëri të lartë mekanike dhe me siguri të lartë në përdorim, për përdoruesit e tyre (kontributi i sektorit privat).

Prandaj, le të nxjerrim një mësim nga tërmeti, t’i japim më shumë hapësirë lirive politike dhe ekonomike të individit, sepse sipërmarrja e lirë, gjithmonë, është më e besueshme se etatizmi.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Refuzimi i Francës lëndon, por nuk krijon boshllëk në Shqipëri
Next post Partia gjermane: Si mund t’i hapen negociatat një vendi pa Gjykatë Kushtetuese!