Home Aktualitet Investigimi i BIRN/ Rekord prodhimi energjie në Drin, hidrocentralet u zbrazën

Investigimi i BIRN/ Rekord prodhimi energjie në Drin, hidrocentralet u zbrazën

nga Editor

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri për periudhën janar-gusht shënoi një rekord gjatë tetë muajve të periudhës janar-gusht të këtij viti dhe duke lënë pjesërisht të thatë më shumë se sa zakonisht liqenin e Fierzës por jo në kuota shumë të ulëta. Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë, tregojnë se prodhimi prej gati 7.1 miliardë kWh këtë vit është 92% më i lartë se sa në vitin 2020 ku prodhimi nga sektori publik u rrit me 107% ndërsa ai në sektorin privat me 74%.

Prodhimi i bollshëm bëri që vendi të jetë eksportues neto për këtë tetëmujor, por eksportet ishin të larta në periudhën janar-qershor ndërsa në korrik dhe gusht, prodhimi vendës nuk mjaftoi të mbulojë të gjithë konsumin.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri përcaktohet kryesisht nga faktori i reshjeve, pra sasia e shiut që bie nga qielli ndërsa një rol jo të vogël ka edhe menaxhimi efikas i kaskadës së Drinit. Në vite me shumë reshje prodhimi rritet njëkohësisht nga sasia më e madhe e ujit dhe nga niveli mesatarisht më i lartë i liqeneve, ku sa më i lartë të jetë niveli, aq më i lartë është presioni dhe eficenca e prodhimit të energjisë.

Këto dy faktorë bëjnë që prodhimi i energjisë elektrike të jetë i luhatshëm. Në vitin 2018 Shqipëria prodhoi 8.6 miliardë kWh, një rekord historik, ndërsa në vitet 2019 e 2020 prodhimi ra në 5.2 dhe 5.3 miliardë. Gjasat janë që viti 2021 do të jetë një vit tjetër rekord për prodhimin.

Kryeministri Edi Rama shpalli se vendi gjendet në krizë energjetike javën e kaluar dhe i akordoi një garanci për huamarrje me vlerë 200 milionë euro kompanive të sistemit të energjisë për të paguar faturat e shtrenjta të importit. Opozita e akuzoi qeverinë se e ka keqmenaxhuar kaskadën e Drinit qëllimisht, duke prodhuar energji me tepri dhe duke e shitur lirë dhe për të justifikuar në këtë mënyrë importe të shtrenjta të energjisë në këto kohë të vështira në tregun rajonal.

Të dhënat e Entit tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike, veçanërisht në muajt korrik e gusht, ka sjellë rënien e nivelit në liqenin e Fierzës në kuota goxha më të ulëta se sa mesatarja historike por sërish larg minimumit historik. Kështu, në muajin korrik, niveli i Fierzës ishte 282.7 metra ose 2.4 metra poshtë mesatares shumëvjeçare, e cila është 285.1 metra. Dhe për muajin gusht, niveli këtë vit ishte 274.3 metra, plot 5.1 metra më poshtë se sa mesatarja historike që është 279.4 metra.

Korriku dhe gushti ishin gjithashtu muajt e vetëm të këtij viti kur vendi ynë ishte deficitar sa i përket energjisë elektrike dhe importoi një pjesë të energjisë së konsumuar.

Çmimet e energjisë elektrike u çmendën në Evropë dhe në rajonin tonë gjatë muajve të fundit duke u shumëfishuar në krahasim me çmimet e zakonishme. Pasojat financiare të kësaj rritjeje në çmimet e importit nuk janë shumë të qarta për shkak se kompanitë e sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri janë të njohura për mungesë transparence. Kompanitë kryesore të sistemit nuk kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit bilancet e vitit 2020 dhe as nuk publikojnë të dhëna periodike tremujore.

Të dhënat e publikuara nga ERE janë kryesisht në sasi kilovatorësh dhe mbartin pak informacion mbi gjendjen financiare të kompanive të sektorit.

Prodhimi i lartë i energjisë elektrike është shoqëruar njëkohësisht me humbje të mëdha teknike dhe jotektike. Sipas të dhënave të dorëzuara nga OSHEE në Entin Rregullator, në vitin 2021 janë humbur 1.1 miliardë kWh energji elektrike me një rritje 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Humbjet e OSHEE-së ishin 19.3% e totalit të energjisë së shpërndarë prej saj. Sipas planit të qeverisë aktuale, ato duhet të ishin më pak se 8%.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri furnizohet nga hidrocentralet shtetërore, hidrocentralet private dhe votovoltaikët. Prodhimi nga hidrocentralet private ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas hyrjes në prodhim të dy hidrocentraleve të mëdha të kaskadës së Devollit. Të dy këto hidrocentrale realizuan gjatë periudhës në fjalë 530 milionë kWh energji. Shqiptarët e paguajnë energjinë e prodhuar privatisht me të njëjtat çmime me atë të importuar, pavarësisht se çfarë kostoje ka kjo energji./Birn

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!