Home Aktualitet Si shfrytëzojnë institucionet e mikrofinancave xhepat e varfër të shqiptarëve, interesa dhe penalitete jashtë çdo norme

Si shfrytëzojnë institucionet e mikrofinancave xhepat e varfër të shqiptarëve, interesa dhe penalitete jashtë çdo norme

nga Editor

Ke vështirësi financiare? Do të blesh një makinë te re apo telefon të fundit? Nuk paguan dot faturat e kripura? Je në detyrime me spitalin? Eja dhe për 15 minuta merr kredinë që dëshiron.

Këto janë disa nga frazat me te degjuara në publicitetin e kudogjendur te institucioneve mikrofinanciare qe kane ‘mbirë’ si kërpudhat në Shqipëri.

Personat që janë në vështirësi financiare dhe nuk plotësojnë kushtet për të marrë hua në një bankë tregtare janë bërë target grup për IuteCredit dhe Kredo.al. Kredia merret në kohë rekord, brenda 15 minutave, vetëm me një mjet identifikimi, por interesat, komisionet e penalitetet, në rast mospagese në afat të këstit kapërcejnë çdo logjikë financiare. Institucionet financiare aplikojnë interesa deri në 20 ose 23% për kreditë me afat 6 muaj e 1 vit.

I faturojnë klientit 200 lekë për çdo sms, përmes së cilës i kujtojnë se është një ditë me vonesë për të paguar këstin. Një sms nga çdo rrjet celular në vend nuk i kalon 12 lekët. Kredimarrësi paguan 0,85 % të principalit për çdo ditë vonesë. Madje, këto institucione e njoftojnë me letër me shkrim, në rrugë postare klientin për të paguar detyrimin, për të cilën e tarifojnë 1000 deri në 1500 lekë. Posta i shkon në derë huamarrësit disa herë dhe tarifa i shtohet detyrimit. Marrja e borxhit për të shlyer një tjetër borxh, emergjencat në spitale, apo skadimi i afatit për të paguar faturat e energjisë ose të ujit, i shtyjnë personat në vështirësi financiare t’u drejtohen parave me “fajde”.

Në faqen zyrtare të IuteCredit-it janë të publikuara normat e interesit të kredive që rriten progresivisht në bazë të shumës dhe afatit.  Norma efektive e interesit (NEI) është totali i kostos së kredisë për klientin e shprehur si përqindje vjetore e vlerës së kredisë së dhënë. Kostoja totale e kredisë për klientin është totali i të gjitha shpenzimeve ku përfshihen interesat, komisionet dhe çdo lloj tjetër shpenzimi që klienti paguan për kredinë, sipas kushteve të marrëveshjes së kredisë (shpenzimet për shërbimet ndihmëse për marrëveshjen e kredisë, në veçanti primet e sigurimit, përfshihen nëse shërbimi është i detyrueshëm për të përfituar kredinë ose normën e interesit të aplikuar) .

Kështu, kredi për klientë për herë të parë mund të merret për shuma: 5000 – 30000 lekë, me normë interesi  0% dhe afati 1 muaj. Ndërsa për një kredi në shumat 5000 – 50000 lekë, norma e interesit arrin deri në 20% dhe afati maksimal është 5 muaj.  Në faqen zyrtare të Kredo.al  thuhet se për kredinë me 1 këst, pra më afat maturimi 30 ditë, norma e interesit është 0, ndërsa për  3 muaj interesi është 17% në total mbi kredinë e lëvruar, për huanë me afat maturimi 6 muaj interesi  23% në total mbi kredinë e lëvruar dhe 12 muaj interesi 28% mbi shumën e marrë hua.

Penalitetet për vonesat në pagesën e kësteve janë në shpërpjesëtim me shumën e marrë hua. Kredo.al përveç telefonatave të përditshme për çdo ditë vonesë, i njofton me shkrim huamarrësit e saj. Kostoja e një letre që të njofton se je me vonesë për të paguar kredinë, është 1000 lekë për çdo letër. Në rast se vonesa e pagesës shkon në një muaj, penaliteti është 14% e shumës së huasë. Komisioni për kërkesa dokumentacioni nga klientët është 2000 lekë për çdo dokument dhe komisioni për ristrukturim kredie në raste të veçanta është 20% mbi vlerën e principalit të mbetur.

Thuajse të njëjtën skemë ndjek edhe IuteCredit. Në rast mospagimi të detyrimit mujor IuteCredit aplikon një penalitet prej 0,85% të detyrimit. Në rast vonese klienti informohet për pagesën e këstit përmes dërgimi të SMS me një kosto prej 200 lekësh dhe nëpërmjet letrave të dërguara në adresën e deklaruar nga klienti me një kosto prej 1500 lekë për çdo njoftim të dërguar. Gjithashtu, klienti njoftohet edhe nëpërmjet thirrjeve telefonike në mënyrë periodike për ta informuar lidhur me pagesën dhe penalitetet e aplikuara.

Pra nga sa me sipër kuptojmë qartë se shqiptarët shfrytëhen në maksimum nga këto mikro institucione financiare, duke u vënë mbi shpatulla interesa dhe penalitete jashtë çdo norme.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!