Home Aktualitet I vranë të birin në Lezhë/ Babai i prekur: Autori bredh i lirë! Ma shtypi djalin e vetëm

I vranë të birin në Lezhë/ Babai i prekur: Autori bredh i lirë! Ma shtypi djalin e vetëm

nga Editor

Ajo që u duk si një aksident i rëndë rrugor më 21 shtator të vitit 2019 në Ishull Lezhë rezultoi të ishte e qëllimshme. Nga ngjarja humbi jetën 30-vjeçari Ylli Mena, djali i vetëm i çiftit të bashkëshortëve Preng dhe Mrika Mena nga Mirdita. Dy vite pas ngjarjes së rëndë, autori i krimit është ende në arrati. Babai i të ndjerit kërkon zbardhjen e ngjarjes së rëndë, duke pretenduar se djali i vetëm u godit pabesisht me makinë nga ish-kunati.

I moshuari thotë për “Panorama” se prej 3 vitesh nuk ka arritur të shohë tri mbesat e tij, pasi disa muaj pas ngjarjes nusja e djalit të ndjerë bashkë me fëmijët u largua drejt Italisë. Ai tregon edhe detaje rrëqethëse nga ngjarja, duke theksuar se pasi djali i tij u përplas qëllimisht me makinë teksa ecte me biçikletë, më pas u godit me leva hekuri, duke mos i lënë asnjë mundësi mbijetese.

Z. Preng, a mund të na tregoni si ndodhi ngjarja?

Një natë para ngjarjes djali shkoi dhe fjeti te një mik yni. Në fakt i thashë mos shko, sikur të ma dëgjonte zemra, por atij i ishte mbushur mendja të shkonte. Më kujtohet mirë kur e mora në telefon rreth orës 8:00 të mëngjesit të 21 shtatorit të vitit 2019. Ylli më tha “Jam në kafe me Andonin” dhe për pak minuta do të vinte në shtëpi. Pas 20 minutash një mik imi më telefonoi dhe më tha se djalin ta kanë aksidentuar me makinë dhe është në gjendje të rëndë në spital. Vajta në Spitalin Ushtarak dhe aty m’u prenë këmbët, pasi djali ishte i vdekur.

Si e kuptuat që personi që e aksidentoi ka qenë ish-kunati?

Në makinë ka qenë ish-kunati, Alberti dhe katër persona të tjerë. Pasi e kanë shtypur djalin, të gjithë kanë dalë nga ana e timonit se ishte makinë me tek derë. Kanë shkuar dhe i kanë rënë djalit me shkelma e me leva. S’janë burra ata, janë morracakë. Ata u zbuluan se ka ngelur makina në vendin e ngjarjes dhe janë larguar në këmbë, sepse nuk do ta kishim marrë vesh asnjëherë.

A keni informacion për autorin e ngjarjes, pasi vijon të jetë në arrati?

Ai është në Shqipëri dhe lëviz lirisht, por Policia është e inkriminuar dhe nuk do ta kapë. Gjykata ka dhënë masën “Arrest me burg” dhe ai duhej të ishte arrestuar më kohë. Tani Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe e ka dërguar çështjen për gjykim në gjykatë me akuzën e “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe kam shpresë që drejtësia të vihet në vend për këtë ngjarje të rëndë.

A kishte pasur konflikte djali me familjen e ish-bashkëshortes pas divorcit?

Divorci i Yllit dhe Shpresës ndodhi në vitin 2018 dhe gjithmonë kam pasur frikën se do t’i bëjnë diçka të keqe tim biri. Pas ndarjes i takova mbesat dhe Shpresa më tha “nuk t’i jap fëmijët, vetëm të atit ia jap. Kisha frikë të dërgoja djalin në atë familje të takonte vajzat e tij, pasi kishte konflikt me ish-kunatin”.

A i keni takuar ndonjëherë vajzat pas ngjarjes?

Nuk kam mundur t’i takoj prej tri vitesh dhe për këtë mua dhe gruas time na dhemb shumë shpirti. Tre muaj pas ngjarjes nusja iku në Itali bashkë me fëmijët. Ia ka lënë gjykata më vendim që t’i mbajë dhe të kujdeset për vajzat. Na ka marrë malli për to, edhe bashkëshortja ime nuk është mirë nga ana shëndetësore, kërkon mbesat. Ajo vazhdon ta quajë vajzë ish-nusen e Yllit. Madje vajzës së vogël nuk i kanë treguar se i ka vdekur babai. Kërkoj që të na i sjellë vajzat për t’i takuar.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!