Home Aktualitet Paloka: Vendimi i Bashës, akti më i gabuar, përçau dhe dëmtoi rëndë PD

Paloka: Vendimi i Bashës, akti më i gabuar, përçau dhe dëmtoi rëndë PD

nga Editor

Edi Paloka, kryetari i ri i këshillit kombëtar të PD-së shpreh shqetësimin për situatën e brendshme në parti pas shpalljes ‘non grata’ të liderit historik Sali Berisha. Paloka shprehet për “Gazeta Shqiptare” se demokratët nuk janë të Berishës apo Bashës, por sipas tij shumë shpejt të gjithë do të bashkohen për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Paloka, i cili në fillim të vitit 2019 gjuajti me bojë në Kuvend kryeministrin Edi Rama në një kohë jo të qetë politike, kur fill më pas opozita qëndroi larg Kuvendit, flet për konfliktin “Berisha-Basha”, vendimin e gabuar sipas tij që përçau PD-në si dhe zgjidhjen e situatës aktuale brenda partisë.

Z.Paloka, për shkak të krizës së brendshme, pyetja që bëhet këto ditë në PD është: me Berishën apo me Bashën?

Unë pavarësisht se jam pozicionuar qartë në qëndrimin tim, kisha vendosur të mos prononcohesha për të mos i hedhur benzinë zjarrit. Po duke parë që situata vetëm po rëndohet s’mund të hesht më. Unë jam me PD-në! Pozicionimi im në këtë çështje ka lidhje vetëm me interesin e PD-së, që përkthehet dhe në interesin tim, të gjithë demokratëve dhe sot edhe të shumicës së shqiptarëve. Ky interes është vetëm një; rrëzimi i regjimit dhe rikthimi i PD-së në pushtet. Në funksion vetëm të këtij interesi është dhe pozicionimi im në rastin konkret në krahë të Berishës. Nuk bëhet fjalë as për nostalgji e as për marrëdhënie personale të miat me Berishën apo Bashën. Po të jetë për këto të fundit, marrëdhëniet personale i kam pasur shumë më të afërta me Bashën se me Berishën. Edhe në aspektin e interesave të mia personale për sa i përket karrierës politike, me Bashën kam qenë dy herë nënkryetar i PD-së dhe sot jam Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Pra, nga Basha kam marrë maksimumin në hierarkinë partiake. Pozicionimi im, nuk lidhet as thjeshtë me atë çfarë përfaqëson Berisha për historinë e PD dhe të Shqipërisë në këto vite. Sigurisht që ky është një faktor i rëndësishëm dhe thelbësor në këtë çështje, por nuk është vetëm kaq. Eshtë shumë më tepër se kaq edhe sikur ta ulim deri në nivelin e pragmatizmit të pastër!

Atëherë, si e shikoni vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së?

Po ju them atë që i kam shprehur dhe Bashës që në momentin e parë, se nga gjithë vendimet që mund të merrte për këtë çështje, duke llogaritur të gjitha rrethanat dhe faktorët, ka marrë vendimin më të gabuar në mënyrën më të gabuar. Unë si shumë të tjerë, as nuk e kam pritur dhe as nuk e kam menduar që mund të ndodhte! Për atë vendim unë jam informuar si të gjithë, vetëm pasi ishte bërë fakt i kryer. Nuk e prisja, sepse dhe ne bisedat që kisha bërë me Bashen me dukej se ai ishte pozicionuar qartë dhe me bindje në kërkesën që kishte dhe Berisha për paraqitjen e provave lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Madje në një nga bisedat që kam bërë me Bashën për këtë çështje, në mos gaboj pasi ambasadorja amerikane bëri deklaratën e famshme për “barin” në derën e selisë se PD-së dhe Basha u vu nën sulm nga militantët vetëm pse nuk po reagonte, i kam thënë: “Këtë çështje nuk duhet të mendojmë as ta hedhim në diskutim në forume se edhe thjeshtë futja në diskutim do ishte e turpshme për ne dhe poshtëruese për Berishën. Pas kësaj (kërcënimeve të ambasadores) edhe sikur Berisha të kërkojë vetë të largohet, ne do të humbitnim gjysmën e partisë, sepse do të na akuzonin se e shitëm dhe e vumë nën presion”. Në atë moment e shihja si të papranueshme edhe që të diskutohej kjo çështje mes demokratëve e jo më të mendohej largimi i Berishës. Basha u shpreh po aq i bindur e i vendosur sa unë në atë moment. Nuk e di se çfarë ndryshoi me pas!

Z.Basha ka lënë të kuptohet se atij i janë dhënë faktet për të cilat akuzohet Berisha teksa ka deklaruar se ai di detaje që nuk do t’i bëjë publike kurrë?

Jo! Ky është keqkuptim ose keqinterpretim nga mediat që mbase Basha duhej ta kishte sqaruar vetë. Nuk iu është dhënë asnjë fakt, askujt prej atyre që kanë qenë në takime. Unë nuk kam qenë vetë në asnjë takim, po këtë pikë e kam sqaruar me ata që kanë qenë aty. Këtë Basha e thotë dhe në deklaratën e tij të 9 shtatorit. Pra, e bën të qartë që asnjë provë apo fakt nuk i është paraqitur lidhur me akuzat ndaj Berishës!

Çfarë fshihet pas vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Berishës, si e konsideroni atë?

Do ta thosha vetëm me dy fjalë; një vendim i padrejtë dhe me qëllime politike. I padrejtë juridikisht deri në momentin që nuk vërtetohet e nuk jepet asnjë provë për akuzat. Për më tepër i padrejtë dhe moralisht sepse e shpall këtë vendim 8 vite pasi Berisha ka ikur nga të gjitha funksionet e ndërkohë shohim se si iu jepet mbështetje e iu dilet në krahë personazheve si Rama, Veliaj, Ahmetaj, Balluku, Gjiknuri, Manja, Spiropali, Balla e me radhë, që për shqiptarët janë simbole të korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe arrogancës! Kjo të çon të mendosh se kemi të bëjmë me një vendim dhe qëndrim politik. Që kur presionet për këtë çështje u bënë publike, i jam shprehur Bashës: “ky nuk është akt kundër Berishës, po kundër ne të gjithëve dhe PD-së!”. Po pse? Cili është qëllimi? Berisha jep disa. Unë shoh vetëm rezultatet. Ato që janë fakt. E fakti është që pas 9 shtatorit, PD është më e përçarë se kurrë dhe nuk është në gjendje të reagojë e të ngrihet ndaj një regjimi që manipuloi zgjedhjet dhe që çdo ditë e më shumë po ndërmerr akte me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve të këtij vendi.

Duke qenë se kryetari Basha ka qenë nën presion të vazhdueshëm, sipas jush si mund të vepronte ndryshe?

Duke pranuar faktin që Basha ka qenë nën presion, prapë ka pasur disa mënyra për të vepruar. Një lider e gjen gjithmonë zgjidhjen. Nuk mund t’ju plasësh në dorë bombën atyre që të kanë besuar e të ndjekin, e t’ju thuash e bëra se nuk gjeta zgjidhje tjetër. Gjithnjë ka rrugëdalje në krye prandaj je vënë që ti gjesh. Nëse nuk je në gjendje atëherë më mirë dil vetë nga rruga se të nxjerrësh gjithë ata që drejton! Po cilat mund të ishin zgjidhjet? Në deklaratën e tij të 9 shtatorit, Basha thotë pak a shumë se “Berisha do të përjashtohet nga grupi parlamentar deri sa të vërtetojë që është i pafaj”. E kundërta do të ishte e pranueshme. Basha është jurist dhe e di shumë mirë se në drejtësi ka një parim universal; konsiderohesh i pafajshëm deri sa të provohet faji yt. Pra, në deklaratë (nëse do duhej një e tillë) do duhej të thuhej: “Berisha do largohet nga grupi parlamentar në momentin që vërtetohen akuzat ndaj tij”. Këtë do të bëja unë dhe do ishte në linjën që vetë Basha adoptoi në fillim! Rruga tjetër ishin forumet, vota. Ajo që ka thënë Basha se kjo do përçante partinë nuk qëndron. Përçarja, në fakt, po ndodh tani dhe nga më të këqijat se po shkon deri thellë në bazë. Mund të hynim në një votim edhe pa debate brenda forumeve apo dhe referendum me gjithë anëtarësinë nëse do ishte e domosdoshme.

Z.Basha ka pranuar se nëse votohej edhe vetë nuk do të votonte kundër Berishës, po kjo do të sillte prishjen e marrëdhënieve me SHBA prandaj ai e mori vetë këtë vendim?

E para; kjo është jashtë çdo logjike të pranueshme. Ke marrë një vendim për të cilin jo vetëm nuk ke kompetencë, por e ke marrë dhe duke qenë i vetëdijshëm se ke kundër shumicën absolute të anëtarësisë. Kjo jo vetëm nuk ka lidhje me demokracinë brenda partisë po është dhe jashtë çdo logjike demokratike. Për sa i përket marrëdhënieve të PD-së me SHBA, si fillim dua të bëj te qartë se partitë mbajnë marrëdhënie me partitë e shtetet me shtete. Në 30 vite PD dhe Berisha, kanë pasur ulje-ngritje në marrëdhëniet me administratat amerikane. Kryesisht situata të pafavorshme kemi kaluar gjatë administratave të majta. Pas 97-së ka qenë një nga situatat më të vështira për PD-në edhe në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara. Por pas asaj, Berisha u bë dy herë kryeministër dhe jo vetëm i përmirësoi marrëdhëniet, po priti dhe Presidentin e SHBA-vë në Tiranë. Historia e vetë SHBA-vë është e tillë, e ndërthurur me miq që kthehen në armiq dhe anasjelltas. Po jo vetëm e SHBA-ve. Jam i bindur që çdo keqkuptim apo acarim i momentit do të gjente zgjidhje. Ndërkohë çarja e PD-së është fatale. Si mund të fitojë një parti pa mbështetjen e anëtarësisë dhe elektoratit të saj?! Me duartrokitje ambasadorësh nuk mbushen kutitë e votimit.

Ambasadorja Yuri Kim është shprehur se askush nuk mund t’i kthejë shqiptarët kundër SHBA-ve. Cili është mendimi juaj?

Demokratët shqiptarë për definicion dhe për gen janë jo vetëm proamerikanë, por shkojnë dhe me tej, deri në adhurim. Duhet ta kemi të qartë një gjë, se duke thënë Amerika, Amerika duket sikur flasim për koncept gjeografik apo thjeshtë për një emër. Për ne Amerika, janë parimet e lirisë e demokracisë, janë parimet e drejtësisë mbi të cilat ajo ngrihet! Për këtë e kemi parë si ëndërr gjatë diktaturës e vazhdojmë ta shohim me shpresë dhe tani! Paradoksi i këtyre viteve të fundit është se na kanë akuzuar si antiamerikanë kundërshtarët tanë, pinjollët e diktaturës komuniste. Si mund të jemi ne antiamerikanë dhe pasardhësit e ish- Bllokut, që drejtojnë edhe sot ish-PPSH, dolën papritur proamerikanë?! Rama, djali i Kristaqit dhe nipi i Spiro Kolekës, që jo gjatë diktaturës, po kur ishte kryetar bashkie, hidhte me përbuzje përpara mediave e në mënyrë demonstrative flamurin amerikan; që ka votuar të paktën dy herë kundër rezolutave dhe qëndrimit të SHBA në organizatat ndërkombëtare, përfshi rastin në OKB kur ambasadorja USA në atë organizatë e kërkoi votën e partnerëve në mënyrë eksplicite; që i lejoi vetes të sulmojë si ordinere kandidatin e më pas Presidentin e SHBA-ve duke bërë dhe kërcënime qesharake për prishje të marrëdhënieve midis dy vendeve, qenka proamerikan? Demokratët shqiptarë, por dhe shumica e shqiptarëve nuk mund të bëhen antiamerikanë se ka dhe një histori pas mes dy vendeve. Po është e vërtetë që ka nga ata që po përpiqen t’i bëjnë demokratët, antiamerikanë dhe po përpiqen boll. Po përpiqen duke shkelur pikërisht parimet që përmenda më sipër e mbi të cilat qëndrojnë SHBA-të. Po ju garantoj që ky nuk është as Sali Berisha e as demokratët që po e mbështesin, përkundrazi. E keqja është se kanë filluar dhe disa kolegë të mi të bëjnë pyetje që nuk i nderojnë aspak duke hedhur indirekt idenë se të gjithë ata demokratë që kanë dalë në krah të Berishës në lëvizjen që ai ka nisur, qenkan kundër SHBA! Ky është një spekulim keqdashës. Së pari si koncept; le të presupozojmë për një moment që gjithë kjo lëvizje qenka ngritur kundër vendimit të DASH për Berishën (gjë që është tërësisht e pa vërtetë) po pse shtetasit amerikane që protestojnë deri dhunshëm ndaj vendimeve të qeverive amerikane që i konsiderojnë të padrejta, qenkan antiamerikane?! Po kongresmenët apo senatorët amerikanë që kundërshtojnë vendimet e qeverisë apo dhe të vetë Presidentit, janë antiamerikane?! Kjo vetëm për koncept sepse për sa i përket “Foltores” ajo nuk ka asnjë lidhje me vendimin e DASH, ajo ka lidhje me vendimin e Bashës.

A është kjo një çështje personale e Berishës dhe a besoni se po e përdor ai “Foltoren” për të mbrojtur veten?

Çështje personale e Berishës mbetet marrëdhënia me Sekretarin Blinken lidhur me shpalljen “non grata” dhe ai këtë e deklaroi vetë që të nesërmen. Nuk kërkoi ndihmën e partisë, përkundrazi. Berisha nuk e filloi “Foltoren” kur u shpall “non grata” po pas vendimit të Bashës. Ndërkohë kujtoj këtu që kemi shembuj me sjellje krejt tjetër brenda dhe jashtë vendit dhe për raste flagrante; Fatos Nano u dënua nga drejtësia për korrupsion dhe angazhoi gjithë partinë në mbrojtje të tij. Shihni çfarë po bën Partia Republikane në Francë për Sarkozyn që është dënuar nga drejtësia franceze, kërkojnë ta kandidojnë prapë për President. Berisha nuk e kërkoi këtë nga PD kur u shpall ‘non grata’, përkundrazi. Pra, çështja që Berisha ka me vendimin e DASH është çështje e tij personale. Ndërkohë çështja që është ngritur në PD e po trajtohet në “Foltore” është vendimi i shpallur nga Basha për largimin e Berishës nga grupi parlamentar, vendim i marrë jo vetëm pa u votuar në forume, po edhe pa konsultuar fare madje as me drejtuesit e tjerë më të lartë të PD .

A mund të heqë dorë Berisha nga “Foltorja” duke parë që po përçahet PD?

Në fakt “Foltorja” nuk është shkaku, është pasoja dhe një pasojë që Basha e dinte që përpara se ta ndërmerrte atë hap. PD nuk ishte në ditë të mirë as para 9 shtatorit, por nuk kishte përçarje në PD, madje kishte dhe besim se do të fillonte një betejë e fortë për rikthimin e demokracisë në vend. Vetë Basha e deklaroi këtë kur tha; “Beteja jone fillon tani”. Kjo situatë që është sot, u krijua me datë 9 pasi Basha beri deklaratën. Pra është e lehtë të kuptohet se cili ishte shkaku dhe shkaktari i kësaj përçarjeje. Eshtë Basha ai që duhet t’i japë fund kësaj situate nëse i dhimbset partia që kryeson.

Sipas jush cila është zgjidhja e kësaj situate brenda PD-së?

Nëse ne do të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, të fshehim kokën në rërë si struci me idenë që ajo që nuk dua ta shoh, nuk është duke ndodhur, do të ishte jo vetëm gabim po faj edhe me i rendë ndaj demokrateve. Siç e thashë me lart, kjo situatë u krijua për shkak të vendimit të marrë personalisht nga Basha, po jo vetëm për këtë arsye, minimalisht Basha duhet të kërkojë vetë të votëbesohet nga anëtarësia e PD-së. Unë mund ta pranoj që vendimi i Bashës është marrë nën presion dhe siç thotë vetë Basha, ka menduar se po merr vendimin me të drejtë për kushtet ku ishte, por sot rezulton ndryshe. Shumica e anëtarësisë së PD mendon ndryshe. Për shkak të atij vendimi ne jemi sot në një përçarje mes demokratëve që për fat të keq po thellohet! Në këto kushte, e përsëris, Basha ka detyrimin minimal të dalë e të kërkojë votëbesimin e anëtarësisë. Në të kundërt perspektiva është e errët. Po mblidhen firmat dhe së shpejti në bazë të statutit mblidhet dhe kuvendi i PD që do të marrë vendimet e tij. Basha ka deklaruar ndërkohë se nuk do e lejojë të mblidhet kuvendi, (që do të thotë se nuk do e njohë kuvendin, se për ta ndaluar nuk e ndalon dot). Cili mbetet rezultati? Një katastrofë! Prandaj vetëm vota e anëtarësisë sa më shpejt për mua i jep një zgjidhje kësaj situate. Vetëm pasi të vendosin ata vetë me votë, demokratët do të mund të bashkohen dhe një herë kundër atij që është armiku jo vetëm i demokratëve por i gjithë shqiptarëve, Edvin Ramës. Pa i dhënë zgjidhje kësaj situate as nuk kemi shanse të bëjmë opozitë e jo me të përmbysim Ramën apo të fitojmë zgjedhje!

Ju thoni të votëbesohet, po z.Basha sapo është rizgjedhur në krye të PD për të tretën herë. Sa mund të ndodhë një hap i tillë?

Vërtetë u zgjodh para një muaji, po në kushte krejt të tjera e me ne të gjithë në krah, përfshi Berishën që pavarësisht rezervave që shprehu publikisht për zhvillimin e zgjedhjeve aq shpejt, prapë u detyrua të konformohej për të shmangur thellimin e përplasjeve që nxorën kokë menjëherë pas 25 prillit. Nëse Basha do e merrte vendimin për Berishën para se të zhvilloheshin zgjedhjet për kryetar në këtë mënyrë që e mori, apo qoftë edhe të deklarohej se nëse zgjidhej do të ishte i detyruar të merrte një vendim të tillë, atëherë do të ishim ok. Por sot e shohim që kemi një situatë krejt tjetër dhe e vetmja zgjidhje mbetet vota e anëtarësisë. Në një mënyrë apo një tjetër Basha duhet të votëbesohet. Dhe nuk mund të bëjë deklarata si ajo që nuk do të lejojë të mblidhet kuvendi, sepse janë krejt pa vend për të mos i quajtur ndryshe. Një kryetar që thotë nuk njoh Statutin, votën e anëtarësisë dhe kuvendin e partisë që drejton!

Ju deklaruat se keni qenë me afër me Bashën se sa me Berishën dhe sapo thatë që e keni mbështetur Bashën dhe në zgjedhjet e fundit për kryetar? Tani pse po i dilni kundër dhe po e sulmoni dhe për gjëra që dikur e keni mbrojtur?

Së pari, unë nuk po diskutoj Bashën as si qytetar, as si familjar, as si demokrat e as si shok po të doni. E kam mbështetur me bindje edhe në zgjedhjet e fundit që u bënë për kryetar. E që t’i shkoj të vërtetës deri në fund; publikisht kam thënë se jam me Bashën deri sa një nga kandidatët e tjerë të japë një alternativë konkrete për mënyrën se si rrezohet Rama e mos përqendrohet vetëm tek sulmet ndaj Bashës aq sa të linin në harresë dhe manipulimin e zgjedhjeve të bëra nga Rama. Pra, e mbështeta me bindje. Duhet të them diçka për vetë; Unë kam pasur një parim në marrëdhëniet e mia brenda PD. Kur kisha rezerva apo kundërshti për çështje të ndryshme, preferoja t’ia shprehja kryetareve direkt pa i diskutuar me pas. Pa i ngritur madje as në mbledhje kryesie, sepse do ishte njësoj si t’i bëja publike. Këtë e kam bërë dhe me Berishën po më shumë me Bashën. Si nënkryetar kam dhënë mendimin tim, por publikisht kam mbrojtur qëndrimin zyrtar të PD. Në raste kur vendimet i kam konsideruar tërësisht gabim e në kundërshtim me bindjen time, kam preferuar që të mos prononcohem fare publikisht. Pavarësisht nga kjo, nuk kam ndërmend as tani as me vonë ta akuzoj Bashën për vendime apo qëndrime, të cilat, si nënkryetar partie, unë publikisht i kam mbrojtur. Por një gjë mund ta them, në të gjithë qëndrimet që unë kam mbajtur për çështje të caktuara kam pasur si bosht bindjen se me Ramën nuk mundet e nuk duhet as bashkëpunuar e as bërë marrëveshje. E vetmja logjikë që funksionon me Ramën është forca. Rama nuk ofron asgjë e nuk bën asnjë marrëveshje pa menduar me parë hilen për ta zhbërë atë. E në këtë pikë historia e këtyre viteve me ka dhënë të drejtë. Ndërkohë, për t’u kthyer tek pyetja juaj; gjërat ndryshuan tërësisht me aktin që Basha ndërmori me 9 shtator që i dha një goditje shumë të rëndë PD e që solli këtë situatë ku jemi sot.
Po mbase dhe duhej të behej shkak diçka për të lëvizur ujërat. Demokratët kanë nevojë për dikë që t’i çojë në fitore përballë kësaj bande që është sot në pushtet e me sa duket Basha nuk është i përshtatshëm për këtë. Basha mund të ishte i duhuri në rrethana të tjera, ku mos kishte nevojë të përballej me presione ambasadorësh e me bandat në pushtet. Ne luftuam të gjithë ta bënim Bashën kryeministër e unë mendoj se ai mund të ishte një kryeministër i standardeve europiane, por që të realizohej kjo, duhej me parë rrëzuar Rama me gjithë bandën e tij e me sa ka provuar koha, Basha me mënyrën e tij, nuk mundet! Edhe pas 25 prillit premtoi luftë me të gjitha format e mënyrat me regjimin, por, në fakt, PD dhe grupi parlamentar janë futur në rrugën e një opozite rutine, sikur të jemi në një vend normal me demokraci të zhvilluar e përballë të kemi një qeveri të dalë nga zgjedhje legjitime! Ky regjim duhet përmbysur jo të përmiresohet me këshilla opozitare si ato shtatë pikat. Ramës i duhen thyer turinjtë jo t’i bejmë makiazh. Me grisje letrash e “beteja të fituara” kundër komisioneve on line nuk bëjmë asgjë. Me ato jemi deri në fyt. Madje kemi fituar 8 vitet e kaluara edhe beteja serioze si miratimi i ligjit për dekriminalizimin që më pas ka rezultuar nul, sepse Rama prapë qëndron në pushtet me krimin. Nuk po akuzoj grupin parlamentar për qëndrimin, sepse nuk është faji i grupit që jemi në këtë situatë. E një grup që nuk ka më mbrapa ata që e kanë votuar nuk mund të bëjë më shumë, për këtë unë jam koshient.

Z.Basha duket se preferon të mos i përgjigjet vetë z.Berisha, por ndërkohë nga mbështetësit e tij janë shprehur se ata që mbështesin atë janë vetëm “një pakicë e zhurmshme”, disa “ish-ministra dhe ish- drejtorë të Berishës”. Cili është reagimi juaj në këtë rast?

Nuk e di kush i përdor këto argumente, por mua më duket më shumë si një shfryrje inatesh, për ndonjë ish-drejtues që ka abuzuar me pushtetin se sa si argument. Vetë Basha ka qenë tri here ministër i Berishës dhe ka punuar me drejtorët e Berishës në qeveritë e Berishës me veprat e të cilave ne mburremi sot! Sa për atë që janë pakicë apo shumicë, këtë e ndan vota. Pikërisht për këtë arsye demokracia funksionon me votë. Nëse janë pakicë, atëherë nuk ke pse i trembesh votës!
Unë kam dëgjuar dhe teori të tjera që vetëm e dëmtojnë PD-në. Dikush e ka harruar “masakrën zgjedhore” dhe ka zbuluar prapë që fajin edhe për humbjen e zgjedhjeve e paska pasur Saliu! Dikush përmend moshën e Berishës dhe si “proamerikan” harron që Presidenti aktual i SHBA është ca më i vjetër se Berisha e ka që në vitet ‘70 në politikë. Sepse nuk është numri i viteve që ke në politikë që të konsumon, por abuzimet që mund të kesh bërë gjate atyre viteve, në të kundërt përvoja në politikë dhe ndershmëria janë vlera të pazëvendësueshme! Pikërisht për të ndaluar këtë frymë përçarjeje që ka filluar edhe mes anëtarëve, është e nevojshme të jepet zgjidhja. E zgjidhja e përsëris është votë e anëtarësisë. Së fundmi të bëjmë të qartë diçka: Nuk ka “demokratë të Berishës” dhe “demokratë të Bashës”, ka vetëm demokratë, të cilët sapo kjo çështje të mbyllet, do të jenë përsëri bashkë me një qëllim të vetëm; përmbysjen e Ramës./GAZETA SHQIPTARE

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!