Home Aktualitet Duart e ujshme të nënës sime

Duart e ujshme të nënës sime

nga Editor

Duart e nënës sime disa herë bëhen të ujshme, aq të ujshme sa ti mendon se ajo sapo i ka larë. Djersiten aq shumë, sa kullojnë njësoj si një çezmë që nuk është mbyllur deri në fund.

Besova se me kalimin e viteve duart e saj do të thaheshin dhe nuk do të ishin më të ujshme. Besova se çezma do të ish mbyllur përgjithmonë, por më vonë kuptova se ka disa çezma që nuk mbyllen kurrë dhe pikojnë në përjetësi.

Mama ime ishte veç 15 vjeçe, kur në të gdhirë të një nate pranvere, pa prindërit e saj të varur me kokë poshtë. Pranë tyre qëndronin dy burra me shtat të madh që ulërinin- Ku i keni florinjtë?!
Pas çdo pyetje kishte një goditje. Gjaku kish mbuluar fytyrën e dy prindërve të varur me kokë poshtë dhe vajza e tyre rrinte e shtangur si një statujë dylli.

Vitet më pas vijuan me vuajtje, persekutim dhe përçmim, por ajo natë la një gjurmë të përhershme te nëna ime.

Duar që djersiten çdo herë që shohin uniformën e një polici. Duar që dridhen dhe kullojnë djersë. Çezma e asaj nate nuk është mbyllur kurrë. Ajo pikon ende mbi duart e nënës sime.

Ajo është e moshuar, por edhe sot teksa kalojmë kufirin apo thjesht ulemi në një kafene dhe krejt papritur shfaqet një polic, duart e saj fillojnë të kullojnë djersë. As unë nuk e di, se si krejt papritur, ato duar të rrudhura nga vitet tjetërsohen në ujvarë djerse.

Asgjë nuk e ndal atë ujvarë. Nuk e ndal as koha që ka kaluar. Nuk e ndalin as fjalët e mia- Qetësohu, mam! Nuk na bëjnë asgjë.

Ajo ujvarë djerse jeton brenda nënës sime dhe rishfaqet çdo herë që uniforma e policisë zë shikimin e saj.

Çezma e së shkuarës vazhdon të pikojë sepse nuk u mbyll siç duhet dhe tek duart e nënës sime shoh çezmën e pambyllur të kombit tim.

Post Scriptum- Kjo histori e rrëfyer nga djali i një familjeje të persekutuar më vjen ndërmend shpesh, teksa shoh një larmi personazhesh nē jetën politike në kë të vend që përfaqësojnë jo vetëm duart e ujshme të nënës sime, por edhe çezmën e pambyllur të këtij kombi.

Elona Caslli.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!