Home Aktualitet Inflacioni, 2.4% në muajin gusht të këtij viti/ Pasqyroi, më së shumti, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës

Inflacioni, 2.4% në muajin gusht të këtij viti/ Pasqyroi, më së shumti, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës

nga Editor

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, inflacioni shënoi vlerat 2.2% dhe 2.4% në muajt korrik e gusht, duke ardhur në rritje kundrejt gjashtëmujorit të parë të vitit.

Rritja e inflacionit pasqyroi, më së shumti, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës nuk pësoi ndryshime të ndjeshme.

Në këndvështrimin makroekonomik, Banka e Shqipërisë gjykon se, rritja e inflacionit pasqyroi goditjet që vijnë nga ambienti i huaj, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas BSH-së, çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe të produkteve energjetike, kanë njohur një rritje të shpejtë gjatë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore, ashtu edhe vështirësitë që ka pasur rikthimi i ofertës në nivelet e parakrizës.

Projeksionet aktuale flasin për një normalizim të situatës gjatë vitit të ardhshëm, duke sugjeruar se ndikimi i saj në çmimet finale të konsumit do të jetë i ndjeshëm, por kalimtar. Megjithatë, ecuria e çmimeve të produkteve energjetike dhe të lëndëve bazë vijon të mbetet në vëmendjen e bankave qendrore në të gjithë botën.

Nga ana tjetër, vlerëson BSH-ja, presionet inflacioniste të gjeneruara nga ekonomia e brendshme paraqiten në rritje, por ende të përmbajtura.

BSH-ja, shprehet se do të vazhdojë me politikën monetare stimuluese dhe synon të arrijë objektivin e inflacionit 3 %, brenda vitit 2022. /ATSH/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!