Home Aktualitet Vetëm ringritja e PD e shpëton vendin nga qeverisja Rama/Basha

Vetëm ringritja e PD e shpëton vendin nga qeverisja Rama/Basha

nga Editor

Nga Bujar Nishani

Kryeministri në detyrë i këtij vendi, Edi Rama ka bërë sot dy deklarata interesante.

E para që: “Vetëm në diktaturë çmimet i vendos qeveria” dhe

E dyta që: “Pagat nuk rriten sipas dëshirave por sipas kapaciteteve”, duke ju referuar kështu propagandës që po përgatit për të fshehur skandalin më të madh të mandatit të ri qeveritar që sapo ka nisur, atë të grabitjes masive të financave të familjeve të çdo shqiptari përmes rritjes së paralajmëruar dhe abuzive të çmimeve të energjisë.

Në fakt, thelbi i të dyja deklaratave është i saktë dhe i drejtë.

Pavarësisht se E. Rama nuk po thotë ndonjë gjë të re, perifrazimet e tij në ato dy deklarata kanë të vërteta brenda tyre.

Në një shoqëri të kapitalit të lirë, ofertën e përcakton tregu i lirë dhe vlera e punës bëhet sipas kapacitetit të ekonomisë që ajo gjeneron!

Deri këtu në rregull.

Por që të dyja këto deklarata janë qartazi pranim me gojën e tij të dështimit të madh të qeverisjes së Edi Ramës me kosto të madhe dëmi, ndaj jetës së çdo shqiptari e çdo familje shqiptare.

Në diktaturë çmimet i vendos qeveria por në diktaturë modeli ekonomik është i centralizuar pa alternativa që mundësojnë fleksibilitetin dhe pasjen e oportuniteteve të shumta për të tejkaluar çdo dështim të një burimi me një burim tjetër.

Edi Rama në 8 (tetë) vitet e qeverisjes së tij ka dështuar në mënyrë spektakolare për të investuar, ndërtuar e përfituar garanci ekonomike mbi alternativa burimesh.

Kjo për të dyja arsyet.

Paaftësia dhe Korrupsioni!

Nuk ka asnjë krizë reale për Shqipërinë.

Ka vetëm shkatërrim të buxhetit të shtetit, grabitje banditeske e tij gjatë fushatës elektorale për të manipuluar zgjedhjet prej Edi Ramës me miliardat që shpërndau pa asnjë kriter për të marrë vota të pamerituar dhe të manipuluara.

Tani, Edi Rama kërkon të mbushë buxhetin duke futur dorën në xhepin e familjeve shqiptare.

Vërtet që pagat rriten sipas kapaciteteve por pikërisht këtu prej 8 (tetë) vitesh Edi Rama ka dështuar rëndë të projektojë, nxisë, stimulojë, ndërtojë politika që të rrisnin kapacitetet ekonomike të vendit e për rrjedhojë pagat dhe pensionet e shqiptarëve, minimalisht të ishin dyfishuar përgjatë 8(tetë) viteve dhe shqiptarët të kishin mundësi të balanconin çdo sfidë financiare.

Kjo vetëm për një arsye.

Hajnia dhe korrupsioni i kësaj qeverie.

Raporti zyrtar i KLSH tregon se gjatë 8 (tetë) viteve të qeverisjes së Edi Ramës buxheti i shtetit është vjedhur me më shumë se 2(dy) miliardë dollarë, që po të ishin futur në buxhet dhe jo në xhepat e hajnisë, do të kishin mjaftuar për 3 (tre) fishimin e rrogave dhe pensioneve.

Pikërish këto deklarata të sotme të Edi Ramës tregojnë me gojën e Edi Ramës dështimin skandaloz të Edi Ramës, penalizimin e rëndë të xhepit të çdo shqiptari prej Edi Ramës.

Në këtë situatë ka vetëm një zgjidhje.

Largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe kësaj qeverie.

Natyrisht që Edi Rama nuk largohet me vullnet të tij.  Sepse ai nuk ekziston tek ai.

Largimin e tij duhet ta bëjë menjëherë opozita.

Në çdo vend të lirë e demokratik, në një situatë të tillë skandali dramatik mbi ekonominë e shqiptarëve, opozita ka çdo të drejtë dhe legjitimitet politik, kushtetues e politik ta rrëzojë prodhuesin e këtij skandali me çdo mjet demokratik të mundshëm.

Por “opozita” e Lulzim Bashës nuk e kryen dot atë mision.

Lulzim Basha e ka harruar premtimin që ju bëri demokratëve dhe shqiptarëve pas 25 prillit se: “tash e tutje ka vetëm një rrugë, ajo e mobilizimit masiv popullor”, “të mos lemë asnjë minutë paqe, asnjë minutë oksigjen për këtë regjim”.

Lulzim Basha jo vetëm që nuk e ka këtë axhendë, por edhe më keq akoma, atij nuk i shkon më askush pas në betejën opozitare sepse gjithkush sot e ka të qartë se ka përballë një qeverisje Rama/Basha.

Këtë lloj opozite kërkon të ketë Edi Rama në këtë vend.

Ky është praktikisht asgjësimi “de facto” i pluralizmit.

Shqipërisë i duhet sot urgjent një opozitë e vërtetë dhe reale për të ndaluar Edi Ramën të fusë dorën në xhepin e mjeruar të shqiptarëve që të mbushë buxhetin e shtetit të cilit i ka vënë minat prej kohësh dhe e ndan veç për pushtetin e tij të superkorruptuar.

Shpëtimi dhe ringritja e Partisë Demokratike sot përbën mundësinë për rivendosjen e pluralizmit në Shqipëri dhe shpëtimin e këtij vendi nga qeverisja Rama/Basha.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!