Home Aktualitet Limon i shtrydhur apo fikje e kandilit?

Limon i shtrydhur apo fikje e kandilit?

nga Editor

Nga Pëllumb Nako

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk është më në detyrë, por shfaqja e kësaj dite që iu rezervua publikut, nuk mund të shpëtojë pa u vënë re apo pa u komentuar. E gjitha kjo, sepse trajtimi mediatik që iu bë çështjes të krijon bindjen se sa pak vlen një drejtues i lartë i administratës. Kemi të bëjmë me figurën drejtuese të një institucioni më masiv dhe më kryesori në Shqipëri dhe që brenda tij numëron mbi 10 mijë vetë.

Është institucioni, i cili ligjërisht përfaqëson forcën legjitime të shtetit jo vetëm mbi shkelësit e ligjit, por edhe mbi shtetasit e devotshëm të këtij vendi, që për një arsye apo tjetrën dalin e protestojnë. Parë në një tjetër këndvështrim, shfaqja e largimit të Drejtorit të Përgjithshëm nga detyra, të kujton ekzaktësisht atë që quhet mentalitet mafioz. Një qeveri e caktuar, hibride në raport me shtetin e së drejtës, mund të mos ketë lidhje konkrete me krimin e organizuar, por nuk i shpëton dot mendësisë mafioze të të qeverisurit.

Këto janë dy gjera të ndryshme, por njëkohësisht njëlloj të rrezikshme. Këto mendësi kjo qeveri i ka familjare. Më konkretisht: Kur vite më parë, në vendin fqinj, një mafioz vajti te mjeku për të mjekuar një plagë të marrë gjatë një atentati, i tha këtij të fundit se plagën e kishte marrë aksidentalisht në një gardh të rrethuar me tela çeliku. Mjeku, nga ana e tij, i vuri në dukje se plaga ishte e shkaktuar nga një armë. Mafiozi e dëgjoi dhe i tha: “Doktor, plaga është siç them unë, kurse ti mjekoje siç mendon ti”.

E njëjta logjikë ndodhi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm. Gjithë ditën e ditës, media dhe portalet u shuan duke njoftuar shkarkimin e drejtorit dhe pasi harxhuan gjithë bateritë, papritmas, nga të njëjtat burime, u tha se ai nuk ishte shkarkuar. Nuk vonoi dhe protagonisti doli personalisht me një deklarim publik ku shpalli dorëheqjen. Në fakt, teksti i dorëheqjes dukej qartë i përgatitur shpejt e shpejt pasi përmbante përfundimisht lapsuse nëpër gjithë rreshtat e tij. Logjika mbetet e thjeshtë, njëlloj si më sipër me mjekun. Njëlloj sikur Kryeministri t’i thotë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë: “Ti për mua je i shkarkuar, por dil publikisht e bëj sikur jep dorëheqjen”.

Shkarkimi, në fund të fundit, si akt i prokuron Kryeministrit disa përparësi. Fillimisht i krijon atij mundësinë që duke rrëshqitur nën rrogoz njoftimin publik për shkarkimin, krijon mundësi të mira që të shfryhet pakënaqësia, indinjata e gjithë asaj pjesë të opinionit publik, e cila kishte parë te figura e Drejtorit të Përgjithshëm një drejtues të lidhur me krimin, të politizuar në mënyrë të tejskajshme që nuk nguron të përdorë forcën brutale, edhe në kundërshtim me ligjin, sa herë që i paraqitet rasti t’i shërbejë politikisht qeverisë kundër opozitës dhe popullit opozitar. Por në përfundim dihet, ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka materializuar vullnetin e qeverisë edhe në objektivat e saj jo legjitime.

Nga ana tjetër, duke i krijuar mundësinë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të recitojë publikisht aktin e dorëheqjes, madje me fjalë lëvduese për qeverisjen, gjëra që as ai vetë nuk i beson, të gjithë dinë se ai është i urdhëruar për dorëheqje, Drejtori shpëton deri dikur faqen. Por nga ana tjetër, krijohen më tepër mundësi për të justifikuar emërimin e tij të ardhshëm në një detyrë që kënaq egon dhe sedrën personale në raport me shërbimet e pakushtëzuara që i ka bërë qeverisjes. Gjithçka duket e puthitur mirë dhe në dukje të parë nuk të krijohet përshtypja se gjithsesi diçka tjetër fshihet në gjithë këtë shfaqje.

Në fakt, tolerimi për të shpëtuar faqen duke dhënë dorëheqjen, nuk bëhet për të shpërblyer Drejtorin e Përgjithshëm për shërbime e tij, por mbetet një lloj kompromisi i largimit të tij të butë për të mos hapur telashe duke nxjerrë sekrete të pakëndshme të qeverisjes nga një pakënaqësi e mundshme. Nga ana e tij, edhe drejtuesi i lartë, bën me kënaqësi dorëheqjen dhe me fjalë shumë të ndritura për shefin e madh, sepse e di që e ka shkelur ligjin dhe mund të ndodhet në një situatë jo të këndshme para tij.

Gjithçka përputhet me kodin e heshtjes tipar tjetër i kulturës mafioze të të qeverisurit. Megjithatë, në këtë shfaqje kamorriste është ministri i Brendshëm ai që nxjerr me apo pa dashje realitetin: “Prisni edhe pak sa t’i fiket kandili dhe do ta mësoni”, tha ai. Limoni u shtrydh. Kjo është konsiderata e politikës për Policinë./Panorama/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!