Home Aktualitet Ekspozita “Lulet” e artistit Nelo Llukaçi

Ekspozita “Lulet” e artistit Nelo Llukaçi

nga Editor

Kur një artist pikturon një lule, ai huazon bukurinë nga natyra dhe shton aromë nga zemra dhe shpirti i tij.
Kjo përzierje e natyrës me shpirtin e një artisti shpaloset më së miri në ekspozitën e artistit të mirënjohur durrsak Nelo Llukaçi i cili vjen për artdashësit me ekspozitën e tij vetjake “Lulet” në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.

Në këtë ekspozitë tablosh lulesh, dallohet jo vetëm larmia e ngjyrave dhe llojeve të luleve por edhe spektri emocional i artistit, i cili, përmes teknikës së vajit, pastelit apo akuarelit ndërthur një rrëfenjë artistike tejet impresionuese dhe emocionuese për shikuesit. Një seri tablosh me lule që ngjason me një rrëfenjë emocionesh personale por të përjetueshme po njësoj edhe nga shikuesit.

Kompozimet e luleve njihen ne art si natyrë e qetë, e megjithatë mjeshtëria e Nelo Llukaçit i bën ato të gjalla e plot frymë. Arti e ka ndjekur njeriun në çdo hap, e madje i ka paraprirë hapit të zhvillimit përmes imagjinatës së artistit, e kësisoj sot mendohet se arti cek vetëm tematikat komplekse, por e vërteta e artit është se paraqet emocionet e kulluara dhe thjeshtësinë natyrore. Ndaj edhe lulet janë një subjekt i prekur hollësisht edhe nga mjeshtrit e mëdhenj si Claude Monet, Van Gogh etj.

Kjo thjeshtësi e përzier me pasionin dhe nervin artistik të Nelo Llukaçit mbush me aromë ngjyrash edhe ekspozitën “Lulet” të artistit.

Nelo Llukaçi njihet si skulptor, autor i disa veprave skulpturore të ekspozuara si në Galerinë Kombëtare të Artit ashtu edhe galeri të tjera, e natyrshëm pritet që dora e skulptorit e kalitur nga guri të jetë e fortë në çdo krijim, por në këto vepra ndihet një delikatesë e butësi në trajtim, teknikë dhe ngjyra, që tregon gjerësinë e shpirtit artistik të Nelo Llukaçit, si edhe forcën e tij të shprehjes e cila i flet butë shikuesit dhe e bën atë të meditojë mbi bukurinë e elementëve të natyrës, siç janë lulet, duke e shkëputur nga jeta e ftohtë dhe e izoluar e teknologjisë, por duke e kthyer në bazën dhe esencën e jetës e cila na shfaqet thjeshtë përpara syve por që rrallëkush i kushton vëmendje.

Lulet janë simboli universal i bukurisë por ato janë edhe rrëfenjë e një jete artistike të Nelos, të cilin arti e ka shoqëruar në çdo frymëmarrje të tij.

​“Lulet me ngjyrat dhe aromën e tyre më kanë dhënë energji në çdo kohë, në momente të vështira e të gëzuara.” shprehet Nelo. “Në fëmijëri nisa t’i pikturoj si ndjesi e së bukurës dhe elegancës, duke vazhduar për t’u futur në shpirtin e tyre. Isha aq i pandarë nga ato sa miq të familjes thoshin gjithmonë ‘Nuk e sheh Nelon pa lule.’ Muzeu Arkeologjik në Durrës kishte një kopsht plot ngjyra e aromë, pjesë e jetës sime si restaurator, një botë që e shijoja pa fund. Ashtu edhe sot shijoj e pikturoj çdo lule me perceptimin tim shpirtëror.”

​Kjo ekspozitë është treta brenda tri viteve të fundit, duke treguar se edhe kushtet e vështira të pandemisë, e sidomos izolimi që teknologjia i kë bërë shoqërisë, nuk e kanë ndalur Nelo Llukaçin të manifestojë artin e tij e të nxisë brezat të ndiejnë magjinë e artit e të rrugëtojnë në universin e pafund të tij.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!