Home Aktualitet “E korruptuam me mish derri”/ Kush është Ardi Veliu, “ushtari” që iku sot nga detyra, BËMAT gjatë 4 viteve

“E korruptuam me mish derri”/ Kush është Ardi Veliu, “ushtari” që iku sot nga detyra, BËMAT gjatë 4 viteve

nga Editor

Por Veliu do të mbahet mend gjatë, për “perlat” por edhe protestat e qytetarëve për largimin e tij nga detyra. Megjithatë asnjëherë nuk kanë pasur ndikim tek kryeministri Edi Rama.

TIRANË– Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka vendosur që sot të lërë postin e tij një vit para përfundimit të mandatit për t’ju dedikuar familjes. Por Veliu do të mbahet mend gjatë, për “perlat” por edhe protestat e qytetarëve për largimin e tij nga detyra. Megjithatë asnjëherë nuk kanë pasur ndikim tek kryeministri Edi Rama. Ajo që bëri më shumë bujë, ishte justifikimi i kryepolicit për dhunën e ushtruar ndaj një djali vetëm 15 vjeç, vjet në kohën kur vendi ishte në shtetrrethim. Më 29 maj, kryepolici Ardi Veliu në një lidhje live nga zyra e tij në Komisionin e Sigurisë, i pyetur për dhunën që efektivët kishin ushtruar ndaj të miturit, Veliu nxorri një video të nënës së tij, e cila shfaqej me një armë në dorë.

“Punonjësit e policisë në një moment kanë një kapërcim të kompetencës. Ai që ka dhunuar është pezulluar dhe ka hetim nga SHÇBA. Po ky djali çfarë përfaqëson? A është bindur ai ndaj policisë? Do t’ju shfaq një video. Shikoni nga çfarë familjë vjen ky fëmijë. Ma treguan këtë video për të treguar se sa i edukuar është ky fëmijë. Nuk dua të justifikohem më. Jo se dua të mbroj Policinë. Por të jemi realist,”-tha Veliu. Komenti i tij u bë viral duke hapur diskutime të mëdha, megjithatë gjithçka u rregullua pas një takimi që kryepolici pati me nënën e djalit, Ziada Çodo, e cila shfaqej me armë në dorë por e gjitha për xhirimet e një filmi.

Protestat e opozitës, të cilat kulmuan gjatë viteve të fundit, i dhanë një nofkë ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ky i fundit mori pseudonimin “Sandër Kimiku” nga ish-kryeministri Sali Berisha, por as Veliu nuk shpëtoi. Kritikat e shumta që mori për shkak të gazit që u përdor pa limit, e detyruan që të kërkonte ndjesë ndaj qytetarëve dhe bizneseve që ishin prekur nga lënda kimike e përdorur për të neutralizuar turmat. Por telashet nuk do të mbaronin këtu për të.

Në të gdhirë të 8 dhjetorit të vitit 2020, Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i Policisë, Nevaldo Hajdaraj, i cili tashmë ndodhet pas hekurave. Vrasja e të riut nga Policia solli një revolt të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, duke bërë që për disa ditë në vend, situate të ishte tejet e tensionuar. Protestuesit kërkonin shkarkimin e Ardi Veliut, por morën përgjigje negative nga vetë kryeministri Rama. Në vend të tij u “sakrifikua” asokohe ministri Lleshaj, i cili mori përgjegjësi dhe kërkoi falje për ngjajren.

Në janar të këtij viti, në vend “plasi” dosja e përgjimeve të klanit Ndragheta, ku pretendohej se kishin korruptuar edhe kreun e Policisë së Tiranës në vitin 2017, që përkon asokohe me emrin e drejtorit të sotëm Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.

Një bisedë e datës 9 gusht 2017, zhvillohet mes Tommaso Brutos, të birit, Saverio dhe Ercole D’Alessandro, ku ata thonë se kanë korruptuar me ushqime, djathë e mish derri, numrin 1 të policisë në Tiranë për t’i lejuar të punonin të qetë.

“ai kishte folur me Shefin e Policisë së Tiranës dhe një tjetër zyrtar të lartë në në ministri dhe një zëvendësministër, të cilëve u kishte dërguar ushqime falë sipërmarrësit të qumështit Dedoni, i cili kishte dërguar të gjithë atë furnizim gastronomik me korrier“,-thuhet në dosjen e antimafias. Megjithatë lidhur me këtë çështje, Veliu zgjodhi që të mos komentonte asgjë. Ndërsa “bëma e fundit” ndodhi vetëm pak ditë më parë. Gjatë ceremonisë mortore për nënkomisarin Saimir Hoxha, Veliut i shkau goja dhe tha se efektivët e Policisë paguanin shtrenjtë kryerjen e misionit të tyre, e gjithë për shkak të paaftësisë. Por gabimin e rregulloi shpejt.

“Organizata e Policisë është e vetmja që e ka paguar kaq shtrenjtë përmbushjen e detyrës dhe misionit të saj. Dhe kjo për paaftësi, jo për paaftësi apo për mungesë të profesionalizimit të punonjësve të Policisë,”-tha Veliu duke e korrigjuar shpejt gabimin e tij.

Por si erdhi në detyrë Veliu?

Ardi Veliu u zgjodh drejtori i ri i Policisë së Shtetit më 5 shkurt të vitit 2018 si propozim i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për të zëvendësuar në detyrë Haki Çakon, i cili u lirua nga posti po atë vit më 8 janar.

Por cila ishte karriera e tij dhe si u rrit në detyrë?

Formimin e parë Veliu e ka marrë në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” për të vijuar më pas me studimet në Akademinë Ushtarake dhe në Akademinë e Policisë. Më pas Veliu kryen studime edhe në Akademinë e Policisë në Ankara të Turqisë. Por gjithashtu disponon edhe diplomë për menaxhim biznesi dhe juridik. Më herët, ai ka qenë shef rendi në Vlorë, shef komisariati në Durrës, zv/drejtor policie në Tiranë, drejtor i policisë rrugore dhe së fundmi drejtor i policisë së Tiranës. Në vitin 2007, Veliu është larguar me kërkesën e tij nga policia. Për 7 vjet ai mbajti detyrën e drejtorit të policisë bashkiake në Vlorë, në kohën kur kryebashkiak ishte Shpëtim Gjika. Pas rikthimit sërish në Polici në vitin 2013, ai e gjen vetën në kupolën drejtuese në uniformave blu, por mesa duket tani ka vendosur që të largohet sërish. Kësaj herë për t’ju dedikuar familjes.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!