Home Aktualitet Drejtori i Burgjeve, tender 200 milionë lekë pa garë për bulmetin

Drejtori i Burgjeve, tender 200 milionë lekë pa garë për bulmetin

nga Editor

Një nga procedurat tenderuese që ka shkaktuar “tërmet” në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ka qenë blerja e bulmetit. Ish-drejtori Artur Zoto u arrestua dhe u akuzua për korrupsion në blerjen e bulmetit.

Por, historia duket se përsëritet, pasi edhe drejtori aktual, Agim Ismaili, po bën procedura të dyshimta për blerjen e bulmetit.

Ismaili, ish-drejtues i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, duket se e “njeh” mjaft mirë fushën e prodhimit të bulmetit.

Gjatë kësaj kohe, ai ka bërë disa tendera për blerjen e bulmetit për të burgosurit, që në jo pak raste janë kundërshtuar nga subjektet pjesëmarrëse.

Ismaili ka vendosur kritere të veçanta, duke favorizuar subjekte të caktuara. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Ismaili është munduar që skemën ta çojë deri në fund.

Duke zvarritur pafundësisht procedurat tenderuese të bulmetit, drejtori i DPB dhe vartësit e tij duket se i kanë hapur rrugë dhënies së parave pa tender. Madje, me negocim me firmat që prodhojnë dhe tregtojnë bulmet.

BoldNews.al ka siguruar dokumente nga një procedurë e re që ka hapur Drejtoria e Burgjeve. Ismaili ka urdhëruar bërjen e një procedure me objekt “blerje bulmet për nevoja emergjente të DPB, për të dënuarit në IEVP”.

Fondi limit është 178 milionë lekë, ose me TVSH rreth 200 milionë lekë të vjetra. Një shumë e majme, duke qenë se bëhet fjalë për “nevoja emergjente”. Por, kush i la të burgosurit pa bulmet?

Përse kjo nevojë emergjente dhe a s’kishin kohë drejtuesit për t’i bërë procedurat normalisht?

Aplikimi i një procedure të tillë ngre pikëpyetje dhe dyshime, qoftë edhe për favorizimin e firmave të caktuara.

Për më tepër që në dokument thuhet se “tenderi” do të bëhet “me negocim, pa njoftim”.

Duket se historia po përsëritet në Drejtorinë e Burgjeve, pasi “bulmeti” kësaj herë do të hajë “koka” të tjera. /Boldnews.al

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!