Home Aktualitet Presidenti Meta vlerëson Kryqin e Kuq Shqiptar, në 100-vjetorin e themelimit, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

Presidenti Meta vlerëson Kryqin e Kuq Shqiptar, në 100-vjetorin e themelimit, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

nga Editor

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi veprimtarinë e vyer dhe kontributet e pandërprera humanitare dhe fisnike të shoqatës me të vjetër në vend, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Në ceremoninë solemne të mbajtur në Pallatin e Brigadave, Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim, me motivacionin: “Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e spikatura fisnike dhe përkushtimin e vazhdueshëm 100-vjeçar në shërbim të njerëzve në nevojë. Në vlerësim të veprimtarisë së pandërprerë vullnetare dhe humaniste të dhënë për çështje të ndryshme si: mbështetja e shtresave më në nevojë; dhënia e ndihmës së parë; përgjigjja në raste katastrofash natyrore dhe njerëzore si dhe promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut.”

Në fjalën përshëndetëse para drejtuesve, anëtarëve, veprimtarëve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, ambasadorëve, klerikëve dhe drejtuesve të bashkësive fetare, artistëve dhe intelektualëve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

“I nderuar President i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq e të Gjysëmhënës së Kuqe, zoti Rocca,
I nderuar President i Kryqit të Kuq Shqiptar, zoti Alushi,
I nderuar Profesor Subashi,
Të nderuar anëtarë të Kryqi i Kuq Shqiptar,
Të nderuar ambasadorë dhe miq të komunitetit ndërkombëtar,
Të dashur vullnetarë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar,
Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Jam shumë i lumtur dhe nuk mund të mungoja sot në këtë event, për të festuar së bashku 100-vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Gjatë gjithë historisë së tij 100-vjeçare, kontributi i Kryqit të Kuq Shqiptar ka shkëlqyer në ndihmë të njerëzve në nevojë, veçanërisht në momentet më kritike.
   
Programet sociale, programet e shëndetit, programet për përgatitjen dhe përgjigjen në raste katastrofash, programet për rininë dhe edukimin humanitar, programet e ndihmës së parë, kanë pasur një impakt të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë, e sidomos për shtresat në nevojë dhe po kështu për të promovuar vullnetarizmin.

Programi i dhurimit vullnetar të gjakut, i shtirë në të gjithë vendin, ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e gjakut për fëmijët telasemikë dhe kategoritë e tjera të qytetarëve me këtë nevojë kaq jetike.

Po ashtu, ai ka rritur ndërgjegjësimin e të rinjve e të rejave sidomos, por edhe qytetarëve të thjeshtë të vendit tonë, për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë.

Shfrytëzoj këtë rast, të falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar, që ka qenë gjatë këtyre tre viteve një partner kyç i ‘Aleancës Për Dhurimin e Gjakut’, duke organizuar së bashku, shumë seanca dhe fushata për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë tonë, për nevojën e dhurimit vullnetar të gjakut edhe në këto dy vite kaq të vështira të pandemisë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Falë përkushtimit dhe frymës humanitare shembullore, Kryqi i Kuq Shqiptar, ka sot struktura të shtrira në të gjithë vendin, dhe përbëhet nga mijëra anëtarë dhe vullnetarë aktivë.

Ata kryejnë veprimtari të ndryshme humanitare në ekipe të specializuara, duke e bërë këtë organizatë prestigjioze, shembullin më të mirë të forcës së vullnetarizmit, por edhe të humanizmit në vendin tonë.

Vlerësimi i sotëm shkon në nderim dhe në kujtim të gjithë themeluesve, drejtuesve dhe vullnetarëve ndër vite, të cilët në periudhat më të vështira të shekullit të kaluar, u kujdesën për fëmijët e varfër dhe shtresat më në nevojë, përmes Strehës Vorfënore, Këshillimores, Shkollës së Infermiereve, hapjes së çerdheve, azileve dhe shtëpive të fëmijëve në qytetet kryesore të vendit.

Ky vlerësim shkon për të rinjtë, anëtarët, vullnetarët dhe stafin tejet profesional, të cilët me veprimtaritë e shumta humanitare, të kryera në situata emergjente, kanë ndihmuar me shpërndarjet masive të ndihmave, me mobilizimin e fuqishëm gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, me ndihmën e dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe tashmë, në situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19.

Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë, që vazhdon të mobilizojë forcën e humanizmit të shoqërisë, duke dëshmuar pareshtur se: Njerëzit ndihmojnë njerëzit dhe se të gjithë ne mund të sjellim ndryshimin, por edhe të mbajmë gjithmonë gjallë buzëqeshjen!

Secili prej nesh mund të ndihmojë në përmirësimin e jetës së atyre që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike dhe sociale.

‘Të ndihmosh pa pyetur se kë po ndihmon.’ – ka thënë Henry Dunant, themeluesi i Kryqit të Kuq.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!