Home Aktualitet 30-vjetori i marëdhënieve Shqipëri-SHBA, flet ambasadori i parë amerikan në Tiranë: Momentet e pabesueshme që përjetova

30-vjetori i marëdhënieve Shqipëri-SHBA, flet ambasadori i parë amerikan në Tiranë: Momentet e pabesueshme që përjetova

nga Editor

Më 1 tetor të vitit 1991, u rihap në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara, pas një ndërprerjeje 52 vjeçare të marrëdhënieve mes të dy vendeve. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria i kishin vendosur marrëdhëniet diplomatike në vitin 1922, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Por në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe më pas nga Gjermania, marrëdhëniet u ndërprenë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist e mbajti Shqipërinë në izolim dhe vetëm pas rënies së tij, u bë e mundur rivendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Sot, me rastin e 30 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, Shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, bisedoi me ambasadorin e parë amerikan në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve, William Ryerson, mbi kujtimet e tij nga ato vite.

Zëri i Amerikës: Ambasador Ryerson, një tetori shënon rihapjen e ambasadës amerikane në Tiranë. Ju ishit ambasadori i parë në Shqipëri pas një periudhe 52 vjeçare pa marrëdhënie mes dy vendeve, të ndërprera pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe të rivendosura vetëm pas rënies së komunizmit. Çfarë kujtimesh keni sot 30 vjet më pas, nga ato ditë të vitit 1991?

Ambasadori Ryerson: Mund të flasë me orë të tëra për kujtimet. Janë kaq shumë. Unë nuk isha i pranishëm kur ne u rikthyem në pronën tonë në rrugën e Elbasanit. Diplomati Chris Hill ishte i pranishëm.

Flamurin amerikan e ngriti e veja e një ish punonjësi të Legatës Amerikane, që ishte vrarë më pas nga regjimi komunist. Për fat të keq nuk kam një foto, ndonëse imazhin e saj e kam në kujtesë, pasi e njoha më pas dhe u bëmë miq. Kishte një sërë gjërash që ndodhën në ato fillime. Kur mbërrita për herë të parë në muajin prill të vitit 1991, isha vendosur në Hotelin Dajti. Gjera të çuditshme. Një ditë pas mbërritjes, shkova për t’u takuar me zyrën e protokollit në Ministrisë së Jashtme për t’i njoftuar që do ndiqja në sallë seancën e parlamentit. Në atë kohë po diskutohej projekt-kushtetua dhe ishte rrëzuar varianti i paraqitur. Më thanë “jo nuk mund të shkosh”.

I pyeta “Ç’do të thotë nuk mund të shkoj? Unë protestoj!” U thashë më tej, se po të shkoni në Uashington, mund të hyni në Kongres për të ndjekur punimet, mund të mërziteni, por nuk jeni të ndaluar të hyni. Nuk ndryshuan qëndrim. Përgjigja ishte përsëri Jo. U thashë zyrtarisht “Qeveria ime proteston!” Më vonë atë ditë u takova për herë të parë me Gramoz Pashkon. Më pyeti nëse do të shkoja në parlament për të ndjekur punimet. I tregova ç’më kishin thënë. Do merremi ne me këtë, më tha. Të nesërmen më marrin në telefon nga protokolli dhe më thanë se mund të shkoja dhe mund të merrja edhe përkthyesen me vete.

Kuptova një gjë, “insisto, mos prano gjepurat që të thuhen”. Ishte dhe një episode i dytë, i kësaj natyre. Vijnë një ditë dy aparatçikë në hotel, unë isha duke shtypur diçka në makinë shkrimi dhe filluan të flisnin me një person, shqiptar, që punonte për ne. Ata u ankuan se përse kishim marrë njerëz në punë pa miratimin e Ministrisë së Jashtme. U ktheva dhe u thashë “Më falni, rivendosja e marrëdhënieve parashikon që ne do të marrim në punë kë të duam dhe mund të shkojmë ku të duam në mbarë vendin. Nëse diçka ka ndryshuar nga ju, ndoshta do të na duhet të largohemi”. Që atëhere nuk dëgjova më prej tyre. Dua të ritheksoj atë që mësova herët në Shqipëri, “mos u dorëzo përball pengesave”.

Zëri i Amerikës: Një nga momentet më kulmore të mandatit tuaj në Shqipëri ishte vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker. Çfarë ndikimi pati kjo vizitë për marrëdhëniet mes dy vendeve? Jemi në një moment që Shqipëria, një vend që e ka sharë Amerikën për 50 vjet, që nuk ka pranuar marrëdhënie me të dhe sapo vendi fillon hapjen, vizitohet nga Sekretari i Shtetit. Si e shpjegoni këtë?

Ambasadori Ryerson: Ishte një vendim i mirë. Pjesëmarrja në miting ishte e pabesueshme, një-e-dhjeta e popullsisë së vendit kishte dalë në shesh. Mendoj se njerëzit në atë kohë e kuptuan, se gjerat po ndryshonin. Pati një ndikim të thellë në zhvillimet politike. Mendoj se Baker, dhe ky është mendimi im, pasi nuk isha në mendjen e tij, e kuptoi që po lindte një mundësi dhe vendosi të ndihmonte. Pa dyshim, ai ishte kurioz, “ç’është ky vend?” Zyrtarët në Uashington, në Departamentin e Shtetit, të ndihmuar edhe nga reportimet që bënte shërbimi shqip i Zërit të Amerikës, po e shihnin që gjerat po ndryshonin. Për vëmendjen që pati Shqipëria në Departamentin e Shtetit pas vizitës, e mësova me vonë nga ambasadori izraelit në Romë, i cili mbulonte edhe Shqipërinë.

Kur erdhi në Tiranë për të paraqitur letrat kredenciale, kërkoi që të takoheshim, filluam të flisnim dhe më tregoi se kur Bakeri shkoi në Izrael, një ose dy muaj pas Shqipërisë, e vetmja gjë për të cilën dëshironte të fliste ishte vizita në Shqipëri; Lindja e Mesme kishte probleme, ai fliste për vizitën në Shqipëri. Po ashtu dëgjoja që në Departamentin e Shtetit, ku ka një zyrtar, që është në fund të hierarkisë, e që merret me një shtet të caktuar, Brazilin, Tajlandën, etj., që në zhargonin diplomatik njihet si “desk officer”, pra kur bëhej fjala për Shqipërinë, thuhej se emri i këtij zyrtari ishte James Baker! Tregohej se kur James Baker dëgjonte për ndonjë projekt, ose nismë, pyeste, a mund ta bëjmë këtë edhe në Shqipëri! Pra ai ndihmoi shumë me këtë vëmendje që i dha Shqipërisë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!