Home Aktualitet Ekonomia përtej euforisë qeveritare

Ekonomia përtej euforisë qeveritare

nga Editor

NGA KLODIAN TOMORRI

Në kohë normale, një rritje ekonomike prej 17.89 për qind do të justifikonte edhe festime në rrugë. Por në ekonominë e çuditshme të vitit 2021, e vetmja që ka arsye të festojë dhe të bëjë politikë është qeveria. Ndërsa qytetarët, jo dhe aq shumë.

Së pari, shifra 17.89 për qind sado impresionuese të duket, nuk është dhe aq e jashtëzakonshme. Ky është një rigjallërim i formës V, tipik për recesionet pandemike. Ekonomia tkurret fortë për shkak të mbylljes dhe rimëkëmbet po kaq fort menjëherë sapo hiqen masat kufizuese të pandemisë. Pra kur ekonomia tkurret me 11 për qind, për efekt të bazës është e pritshme që shifra e rimëkëmbjes në tremujorin korrenspondues të vitit tjetër të jetë po dyshifrore.

Me pak fjalë, në Shqipëri nuk po ndodh asnjë mrekulli, po vetëm ajo që po ndodh gjithandej. Konsideroni Eurozonën. Në të njëjtën periudhë, ekonomia e pasur e Eurozonës u rrit me 14.3 për qind vit më vit. Jo shumë larg në terma relative me Shqipërinë, por shumë larg në terma absolute. Të ardhurat për frymë në Eurozonë janë 3 herë më të larta se në Shqipëri. Rrjedhimisht për të mbajtur hapin e ekonomisë europiane, Shqipëria duhet ta ketë rritjen ekonomike të paktën tre herë më shumë se Eurozona. Në cdo skenar tjetër, qytetarët shqiptarët varfërohen në terma relativë krahasuar me fqinjët e tyre të BE-së.

Së dyti, si zëvëndëskryeministri ashtu dhe ministrja e Financave u kujdesën të vinin në dukje se rritja është me bazë të gjerë. Formalisht kjo duket sikur është në rregull, pasi nga 12 sektorë të ekonomisë, 11 regjistruan rritje. Por sërish, djalli qëndron në detaje. Sektori i ekonomisë, që nuk u rrit ishte bujqësia. Aty jetojnë dhe punojnë më shumë se 40 për qind e popullsisë. Pra rritje me bazë të gjerë, ku 40 për qind e popullsisë as kontribuojnë dhe as përfitojnë nga rritja ekonomike! Kjo është pak larg të vërtetës.

Qeveria e ka përgjigje edhe për këtë. Zv/kryeministri Arben Ahmetaj e justifikoi stanjacionin e bujqësisë me faktin se ndoshta qeveritë e mëparshme kanë manipular shifrat e këtij sektori gjatë viteve të shkuara. Por teksa INSTAT dhe EUROSTAT do të numërojnë lopët anembanë vendit për të gjetur të vërtetën e qeverisë, ka dhe një të vërtetë tjetër. Arsyeja se pse bujqësia nuk rritet mund të jetë më e thjeshtë se sa numri i lopëve.

Dy sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike në tremujorin e dytë janë ndërtimi dhe industria. I pari zgjerohet nga ekspansioni i qeverisë dhe mësymja e parave me prejardhje të dyshimtë. I dyti, është shfrytëzim i mirëfilltë i burimeve natyrore të vendit, nga i cili përfitojnë vetëm disa. Tani e kemi përgjigjen se pse bujqësia nuk rritet. Bujqësia është sektori i vetëm që nuk preket nga politikat ekspansioniste të qeverisë dhe sigurisht as nga paratë e krimit sepse trafikantët nuk ndërtojnë sera.

Ekspansioni qeveritar financohet gjithmonë me borxh. Në dy vitet e fundit, qeveria ka marrë 1.3 miliardë euro borxh, ndaj një pjesë e shifrave pompoze të ekonomisë janë të inflatuara me borxh. Rritja ekonomike e ushqyer me borxh nuk bën pjesë tek formulat e shëndetëshme për të rritur mirqënien e një vendi.

Së treti, shifrat e një tremujori nuk tregojnë asgjë për shëndetin e një ekonomie. Ajo që vlen më shumë është trendi i saj afatgjatë. Në tetë vitet e fundit, që nga koha kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet, ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 1.9 për qind në vit. Ky është problemi i vërtetë. Shqipëria, vendi më i varfër I Europës ka një dekadë të plotë me rritje stanjative. Dhe do të duhen shumë tremujorë me rritje të shpejtë, që kjo të ndryshojë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!