Home Aktualitet Dokumenti i zbuluar nga “Reuters”: BE nuk garanton më anëtarësimin e vendeve të Ballkanit

Dokumenti i zbuluar nga “Reuters”: BE nuk garanton më anëtarësimin e vendeve të Ballkanit

nga Editor

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të rajonit në Bashkimin Europian nuk është i garantuar. Kështu thuhet në një dokument të brendshëm, të parë nga agjencia e njohur Reuters.

Kjo agjenci i referohet edhe katër diplomatëve, që thonë se gjashtë vendet e Ballkanit nuk e kanë të sigurt vendin e tyre në BE, ashtu siç iu ishte premtuar dikur.

Sipas agjencisë Reuters, vendet e Bashkimit Europian nuk bien më dakord për të garantuar anëtarësimin në union në të ardhmen të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të frikës për reagimin nga ana e disa shteteve anëtare.

Edhe në samitin e 6 tetorit të liderëve të BE me ata të Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria pret “dritën jeshile” për hapjen e negociatave, pritet që të ketë një ngërç.

Në samit, BE planifikonte që të ritheksonte edhe një herë premtimin e bërë 18 vite më parë për t’u dhënë “mbështetje pa mëdyshje për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, sipas një drafti të 11 shtatorit, të parë nga Reuters. Por sipas diplomatëve të pyetur nga Reuters, janë zhvilluar të paktën dy raunde bisedimesh por nuk është gjetur një marrëveshje.

Sipas Reuters, disa vende të pasura, si Danimarka, Franca dhe Holanda, kanë frikë se mos përsëritet anëtarësimi i nxituar i Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007, si dhe menaxhimi i keq i fluksit të emigrantëve nga Europa lindore drejt Britanisë, që solli edhe pakënaqësinë e britanikëve ndaj BE-së.

Shtetet pro zgjerimit, si Austria, Italia, Kroacia, Sllovenia dhe vendet Baltike, kanë qortuar Gjermaninë dhe Francës për faktin se nuk i kanë bërë presion mjaftueshëm Bullgarisë, për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të një debati për gjuhën. E duke qenë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të lidhura në këtë proces, kjo pritet sërish të ndikojë edhe në vendimin për vendin tonë, pavarësisht deklaratës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen se “e ardhmja e Shqipërisë është në BE” gjatë vizitës në Tiranë të martën.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!